TIRANË- Tirana nuk e kishte kremtuar kurrë më parë, në plot 114 vite, përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, si këtë të shtunë. Protesta ka rikthyer kaosin, dhunën ndaj uniformave blu e institucioneve si dhe pamjet të ngjashme si në ditë lufte, në datën më të shënuar të shqiptarëve 28 nëntorin.

Nga njëra anë pamje të protestuesve me flamuj në duar apo në shpinë, por të maskuar dhe të armatosur me shkopinj, molotovë, gurë. Dhe nga ana tjetër policia, e cila kishte plot 2500 forca sot në terren, kishte zgjedhur të vishte me flamuj kombëtar të gjitha automjetet e saj apo edhe skafandrat mbrojtëse, si për t’i thënë protestuesve ‘sot mos godisni’.

Por kjo nuk i shmangu aktet e dhunës për mbi 6 orë, të përqendruar kryesisht në bulevardin dëshmorët e kombit dhe sheshin Skënderbej. Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, në spitale u paraqitën 47 të lënduar, mes tyre 20 efektivë policie, 15 protestues, 6 gazetarë, 4 kalimtarë, një punonjës sigurie dhe një deputet. Dhjetëra të shoqëruar. 

Në sheshin kryesor të kryeqytetit protestuesit e parë u dukën që në orët e para të mëngjesit. Protesta e paralajmëruar prej javësh kishte kakofoni oraresh, me të paktën 2 grupe që kishin njoftuar njëri orën 10 e tjetri mesditën. Fillimisht dalluan pankartat, ndërsa e veçantë ishte një banderolë gjigande me mesazhin “Shqipëria nuk shitet”.

Ishte ora 11 kur shfaqen në shesh personat e parë të maskuar dhe me shkopinj në duar, dhe menjëherë i vënë flakën një pankarte. Mes tyre edhe shumë të mitur.  Qëndrimi për rreth 2 orë në sheshin “Skënderbej” ishte i qetë, pa asnjë incident, të cilat nisën menjëherë sapo turma filloi marshim drejt Kryeministrisë.

Menjëherë dëmtim shtyllave të dritave, semaforëve, kangjellave metalike në rrugë, ndërsa nuk mungoi edhe sulme ndaj Bankës së Shqipërisë, duke i thyer xhamat. Pllakat e trotuarave u shkulën për të goditur policinë. Gurëve dhe molotovëve uniformat blu nisën menjëherë t’i kundërpërgjigjen, shpërndarje me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa nuk munguan edhe shoqërimet e para. Kaosi rikthehet pas shumë ditësh të jetë sërish ‘sundimtar’ në Bulevardi dëshmorët e kombit. Njw moment i frikshëm kur mijëra gurë hidhen drejt uniformave blu, me efektivë që të rrezikuar seriozisht tërhiqen.

Pas më shumë se një ore betejë, policia nisi të gjuante me plumba gome.  Protestuesit shpërndahen, kryesisht te parku rinia, zona e bankës së Shqipërisë dhe pastaj të sheshi e më pas rikthim sërish te bulevardi. Një itinerar që u përsërit disa herë. I thyen xhamat dhe sulmohet me molotovë Teatri i Kukullave. Aty ngjitur edhe selia e Partisë Socialiste, por policia kishte marrë masat dhe protestuesit u mjaftuan me thirrjet digje PS-në.

Sulmit nuk i shpëtoi edhe Ministria e Mjedisit, dera e së cilës u shkatërrua dhe iu vu flaka. Rreth orës 16:00 mjetet ujëhedhëse ishin tashmë të Ministritë dhe bulevardi ishte totalisht bosh, nën kontrollin e bluve. Beteja tashmë transferohet thuajse e gjithë në sheshin “Skënderbej”, ku u përqendruan pjesa dërrmuese e protestuesve. Pikërisht këtu policia vuri në jetë një risi në këtë protestë në aksionin e saj, hedhjen e gazit edhe nga ajri me dron.

Më pas protestuesit u shpërndanë në rrugica të ndryshme, kryesisht te fillimi i bulevardit ‘Zogu 1’ dhe zona e 9-katsheve. Rrugës nuk mungonin aktet e shkatërrimit. Në shesh një oficer policie mbeti i plagosur, i shtrirë në pritje të ambulancës. Nën kërcënim të dhunës protestuesit kontrollojnë edhe ambulancat që kalojnë për t’i ardhur në ndihmë të lënduarve. Mendojnë se ato mund të transportojnë civilë apo gaz lotsjellës.

Përballja vazhdonte në rrugicat rreth sheshit Skënderbej, ndërsa rreth orës 17:00 sulmohet nga mbrapa edhe Bashkia e Tiranës, ngjitur me Xhaminë. Policia ndërhyn me gaz lotsjellës. Ora shënoi 17:20 kur policia nisi aksionin për të shpërndarë sërish  protestuesit nga sheshi Skënderbe dhe rrugët përreth. Te zona e 9-katësheve shihen kosha të djegur dhe të përmbysur në rrugë. Ndërkohë shihet dhe autoboti i cili vijon lëvizjen nën shoqërimin e efektivëve të policisë

Blutë nisën ndjekjen dhe shoqërimet e shumta. Rikthimet herë pas herë në shesh të protestuesve zgjatën deri pas orës 20, kur mbeten vetëm një numër shumë i vogël i tyre, duke i dhënë fund orëve të dhunës në ditën e shenjtë të shqiptarëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Protesta e dhunshme/ Dëmtohet në sy një i ri: Më qëlluan drejtpërdrejtë te 'Opera', sapo mbarova bisedën me mamanë në telefon (VIDEO)

 

Një i ri nga Vlora, Saimir Dine, është dëmtuar në sy gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar ditën e sotme, më 28 Nëntor në Tiranë.

Aktualisht ai ndodhet te Spitali i Traumës dhe burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se do të duhet që pas disa ditësh t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

“Kam shumë dhimbje. Gjithë krahun e majtë e kam kështu, sikur po më godet me thikë. Isha vetëm, tek pull, sapo dola te trau i Hotel Tiranës. Mora mamin në telefon. Më tha ‘ku je?’. I thashë ‘jam këtu, po pi një kafe’. Ça do i thoja. Te krahu i Operës përballë, kur po flisja me nënën, sapo mbylla telefonin, më erdhi goditja. Ishte e drejtpërdrejtë si gjuajtje. Unë isha vetëm, as po godisja, as po bëja”, tha i dëmtuari.

Ende nuk dihet nëse Dine është dëmtuar në sy me plumb gome, me fishekzjarrë, apo me sende të tjera të forta.

Rasti i Dines vjen pas atij të të riut Erion Vishkulli, i cili u dëmtua me plumb gome në sy dhe u desh t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale në Shqipëri e Itali për të shpëtuar syrin e tij.

Ora 22:45
PD në Komisariatin nr. 1 në mbështetje të protestuesve të shoqëruar, deputetja Çapja: Policia t’i lirojë menjëherë personat e arrestuar në mënyrë të paligjshme (VIDEO)

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Klodiana Çapja, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 1 të Tiranës, së bashku me avokaten Eda Grimci dhe të rinjtë demokratë në mbështetje të protestuesve të shoqëruar nga policia pas protestës së zhvilluar në Tiranë.

Përmes një videomesazhi nga ambientet e komisariatit, Çapja dhe Grimci i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit të lirojnë menjëherë të gjithë protestuesit që janë shoqëruar në mënyrë të paligjshme.

Videomesazhi i plotë:

Së bashku me avokaten Eda Grimci, në Komisariatin nr. 1, në mbështetje të protestuesve të shoqëruar.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të lirojë menjëherë çdo protestues të shoqëruar në mënyrë të paligjshme dhe të garantojë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Ora 22:34
Protestuesi dëmtohet me plumb gome në nofull, disa persona i japin ndihmën e parë

1795901417_28nentori.jpg

Një protestues ka mbetur i dëmtuar ditën e sotme me plumb gome në nofull.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se pasojat janë të rënda, me nofullën e çarë e të gjakosur.

Ndërkohë pranë protestuesit të dëmtuar, ndodhen persona të tjerë që e kanë ndihmuar atë që të heqë plumbin e gomës nga mishi.

Ora 21:26
Protesta e dhunshme/ Përditësohet bilanci, 47 të lënduar, mes tyre 20 efektivë policie dhe 6 gazetarë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë publike bilancin e përditësuar të personave të lënduar gjatë protestës.

Sipas njoftimit të ministrisë, deri në orën 21:00, në dy strukturat spitalore në Tiranë janë paraqitur gjithsej 47 persona për të marrë ndihmë mjekësore, 36 prej të cilëve në Spitalin Universitar të Traumës dhe 11 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në Spitalin e Traumës janë paraqitur 12 efektivë policie, njëri prej të cilëve është shtruar në spital, 14 protestues, tre prej të cilëve vijojnë të jenë të shtruar, gjashtë gazetarë, njëri prej të cilëve ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe katër kalimtarë.

Të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.

Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur 11 persona të tjerë të lënduar: tetë efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet.

Ministria bën me dije se të gjithë personat e paraqitur në QSUT kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.

Ora 21:01
Përlasje mes efektivëve dhe maskave, shoqërohet një influencuese dhe bashkëshorti i saj

1795896719_protesta.JPG

Gjatë përplasjeve në protestë policia ka shoqëruar influencuesen, Keisli Alia dhe bashkëshortin e saj.

Ndërkohë nuk dihet nëse çifti ishte pjesë e tubimit apo ndodhej rastësisht në zonën ku po zhvillohej protesta

 

Ora 20:56
Protesta/ PL ndan videon e protestuesit: U qëllua me plumb gome në kokë, do bëjmë kallëzim! Anëtari i LRI në spital: Isha në orar pune, s’e di çfarë ndodhi (VIDEO)

Një 21-vjeçar ka mbetur i dëmtuar në kokë dhe është shtruar në spital gjatë protestës së sotme të zhvilluar në Tiranë, e cila u shoqërua me akte të shumta dhune.

Përmes një video-mesazhi ai pretendon se punonte te ‘Opera’ dhe ishte në orar pune kur ishte sulmuar, por thotë se nuk mban mend asgjë nga kush apo me çfarë ishte sulmuar.

“Orgen Hajderi. Isha te puna, punoj te Opera. Kam qenë aty normalisht, por nuk e mbaj mend fare çfarë më ka ndodhur. Jam 21 vjeç. Jam nga Kuçova. Thjesht më dhemb, kam këputje”, thotë i dëmtuari.

Duke i uruar të riut shërim të shpejtë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se 21-vjeçari është qëlluar me plumb gome në kokë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Blushi thotë se Orgeni është anëtar i LRI Kuçovë, teksa paralajmëron se Partia e Lirisë do të bëjë kallëzim penal për ndëshkimin e efektivit që sipas tij e ka qëlluar.

“Shërim të shpejtë dhe solidaritet me trimin guximtar nga Kuçova, 20-vjeçarin Orgen Hajderi, të qëlluar me plumb gome në kokë nga banditët me uniformë! Krenar për Orgenin, anëtarin e LRI Kuçovë! Partia e Lirisë do të bëjë kallzim penal për ndëshkimin e banditit me uniformë që e ka qëlluar Orgenin! Ky krim nuk falet kurrë!”, thotë Blushi në reagimin e tij.

Në një tjetër reagim, ku shfaqet bashkë me ish-deputetin Lefter Maliqi, Blushi thotë se 21-vjeçari ndodhet duke u operuar në reaminacion, me një hematomë të rëndë në kokë.

“Live nga Spitali i Traumës së bashku me Lefter Maliqin - Dënojmë aktin barbar dhe krimin shtetëror të goditjes me plumb gome në kokë ndaj 21-vjeçarit, Orgen Hajderi nga Kuçova, me hematomë të rëndë në kokë, i cili ndodhet në reamimacion duke u operuar. Partia e Lirisë do të kallëzojë penalisht banditët me uniformë të Edi Ramës që përgjakën sot 28 Nëntorin”, thekson Blushi.

Ora 19:41
Përplasje mes maskave dhe efektivëve, shoqërohet një protestues (VIDEO)

 

Përplasjet vazhdojnë mes disa protestuesve dhe efektivëve të policisë në sheshin "Skënderbej".

Teksa një grup maskash ndodheshin në shesh disa policë kanë shoqëruar njërin prej tyre. 

Ora 19:32
Protestuesit vendosin barriera përballë policisë dhe u hedhin gurë, autuboti i largon me ujë (VIDEO)

 

Një grup protestuesish vijojnë të qëndrojnë në qendër të sheshit “Skënderbej”, ku situata është tensionuar. Disa prej tyre kanë hedhur gurë në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët kanë vendosur një barrierë për të penguar afrimin me ta.

Ndërkohë autoboti po hedh ujë drejt maskave për shpërndarjen e tyre.

Ora 19:27
Protestuesit pakësohen, Flamingoja me drita në kërkim të 'revolucionit' në bulevard (VIDEO)

 

Ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit mbeten sporadike këtë mbrëmje dhe numri i pjesëmarrësve po bie ndjeshëm, në bulevard bie në sy një i ri që mban një flamingo të improvizuar, të zbukuruar me drita. Një rikthim i simbolit të “revolucionit të flamingove”, në një mbrëmje si kjo e Ditës së Pavarësisë, kur kontrasti mes ambicies politike për rrëzimin e qeverisë Rama dhe pjesëmarrjes gjithnjë e më të ulët në protestë bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Ora 18:44
Efektivët vrapojnë për të shoqëruar protestuesit, përdorin edhe plumba gome (VIDEO)

 

Ka ndërhyrë policia ndaj protestuesve, teksa shihen disa efektivë pranë burgut 313 duke vrapuar për t’i ndjekur dhe shoqëruar ata. Siç duket edhe nga pamjet, disa efektivë përdorin plumba gome në drejtim të protestuesve.

Ora 18:36
Protestuesit drejt bulevardit ‘Zogu i Parë’, efektivët heqin blloqet e betonit për t’i hapur rrugën autobotëve të ujit (VIDEO)

 

Një grup protestuesish janë drejtuar drejt bulevardit Zogu i Parë. Pas tyre janë nisur edhe automjetet ujëhedhëse dhe efektivë të Policisë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duken efektivët e Policisë që përpiqen t’i hapin rrugën autobotëve të ujit, duke hequr nga rruga blloqet e mëdhenj të betonit të vendosur aty.

Ora 18:31
Protestuesit i shpëtojnë policisë duke u fshehur në librari, efektivët tentojnë të futen brenda! Stafi kyç derën (VIDEO)

Disa protestues arritën t’i shpëtojnë policisë duke u futur brenda një librarie në sheshin “Skëndërbej”. Policia kishte nisur me shoqërimet pas akteve të dhunë.

Policia tentoi të futet brenda ambiente të librarisë për të bërë të mundur shoqërimin e protestuesve, por hasi në kundërshtimin e stafit.

Ata shihen në pamje teksa diskutojnë më policët, ndërsa më pas i vënë kyçin derës.

Ora 18:19
Protesta e dhunshme/ 35 të lënduar, mes tyre 13 protestues, 9 efektivë policie, 6 përfaqësues të medias

1795888467_protesta.JPG

Numri i personave të lënduar nga protesta ka shkuar në 35. Mes tyre janë 13 protestues, 9 efektivë policie, 6 përfaqësues të medias, 3 kalimtarë dhe një punonjës sigurie, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas bilancit të përditësuar në orën 18:00, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 30 persona, ndërsa 5 të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në QSUT.

Ministria bën me dije se aktualisht në Spitalin e Traumës po marrin trajtim 26 pacientë, të gjithë në gjendje shëndetësore stabël. Dy efektivë policie janë transferuar nga Trauma drejt QSUT-së.

Ndërkohë, në QSUT janë paraqitur 3 efektivë policie, një protestues dhe një punonjës sigurie. Sipas njoftimit, 4 të lënduar kanë lënë spitalin.

Ora 18:07
Disa protestues vijojnë marshimin përgjatë Sheshit 'Skënderbej' me thirrjen 'dorëheqje' (VIDEO)

 

Një grup protestuesish të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, vijojnë marshimin me thirrje “Dorëheqje”.

Ora 17:56
Policia shtrin në tokë motoristin! I riu në lot: U thash ‘hiqni kapelet’ (VIDEO)

 

Efektivët e Policisë kanë dhunuar një motorist gjatë protestës së sotme të zhvilluar në Tiranë.

Në lot, motoristi thotë se u dhunua nga policët, vetëm sepse u tha ‘hiqni kapelet që të dështojë Edi Rama’.

“Unë kam prishur me miliarda euro o shok. Të më shtrijnë mua këta përdhe. Këta për 2500 euro ju duket sikur… Ne kemi lënë nga 250 mijë euro nëpër rrugë o shok. Unë ndalova këtu dhe u thashë ‘ça po bëni, hiqni kapelet që të dështojë Edi Rama’. Ata më shtrinë përdhe sikur isha kriminel”, tha mes të tjerash në lot motorist.

Ora 17:45
Kosha të djegur dhe të përmbysur në rrugë, autoboti vijon lëvizjen drejt 9-katësheve (VIDEO)

Te zona e 9-katësheve shihen kosha të djegur dhe të përmbysur në rrugë. Ndërkohë shihet dhe autoboti i cili vijon lëvizjen nën shoqërimin e efektivëve të policisë

Ora 17:26
‘O shok, ka të sëmurë brenda’, protestuesit e maskuar dhe me shkopinj kontrollojnë ambulancën, dyshojnë për civilë (VIDEO)

 

Një grup protestuesish të maskuar, të pajisur me shkopinj, kanë ndaluar një autoambulancë që po kalonte pranë Sheshit Skënderbej në Tiranë.

Ata kanë hapur derën e autoambulancës, kanë zbritur poshtë stafin mjekësor dhe kanë kontrolluar brenda mjetit nëse ka pasur të fshehur civilë apo gaz lotsjellës.

"Ça s'bien këta, bien molotovë dhe gaz", thotë një prej protestuesve.

'O shok, leje se ka njerëz të sëmurë brenda", thotë një tjetër protestues.

Edhe më herët gjatë ditës së sotme, protestuesit kanë ndaluar autoambulancat për të kontrolluar brenda tyre.

Ora 17:23
Protestuesit shpërndahen nga sheshi 'Skënderbej', pas gazit lotsjellës! Zhvendosen sërish drejt bulevardit 'Zogu I', bllokojnë qarkullimin e mjeteve (VIDEO)

Pas hedhjes së ujit me presion dhe gazit lotsjellës protestuesit janë shpërndarë nga sheshi  'Skënderbej' duke shkuar drejt bulevardit 'Zogut I'.

Ata kanë bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.

Ora 17:10
'Maskat' në aksion, thyejnë me shkopinj druri dritaret e Bashkisë (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar kanë vijuar me aktet vandale në zemër të kryeqyetit.

Në shënjestër ka qenë Bashkia, ku grupi i maskave kanë thyer me shkopinj druri dritaret e këtij institucioni.

Ora 17:00
Sheshi 'Skënderbej' pushtohet nga gazi lotsjellës, maskat hedhin gurë ndaj efektivëve! Autobotët i largojnë me ujë (VIDEO)

 

Një grup protestuesish të mbledhur në sheshin “Skënderbej” po përplasen me efektivët të cilët po hedhin gurë ndaj policëve, ku këta të fundit kanë përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. 

Qendra e Tiranës shifet e mbuluar nga tymi i gazit lotsjellës, ndërsa autobotët kanë hedhur dhe ujë drejt protestuesve. 

Ora 16:38
Sulme me molotovë, një grup protestuesish rikthehen në sheshin ‘Skënderbej’ (VIDEO)

 

Një grup protestuesish u rikthye në sheshin “Skënderbej” dhe rinisën sulmet me molotovë.

Ora 16:31
Një grup protestuesish me maska dhe me shkopinj përplasen me efektivët në 'Rrugën e Elbasanit' (VIDEO)

 

Teksa disa kanë vijuar marshimin, një grup protestuesish me maska dhe me shkopinj janë ndalur në Rrugën e Elbasanit. Sipas pamjeve ata shihen duke u përplasur me disa efektivë policie.

Ora 16:31
Dyshonin se ishte e mbushur me civilë dhe gaz lotsjellës, protestuesit në Tiranë sulmojnë dhe ndjekin autoambulancën

1795888098_srtyudrti.JPG

Një grup protestuesish në Tiranë kanë sulmuar dhe ndjekur nga pas një autoambulancë, nën dyshimin se brenda kishte civilë policie ose gaz lotsjellës.

Nga pamjet duket një grup protestuesish të maskuar dhe të pajisur me shkopinj, që ndjekin me vrap autoambulancën, ndërsa ajo largohet me shpejtësi.

Ora 16:21
Vijon marshimi, një grup protestuesish nisen drejt Parlamentit (VIDEO)

 

Teksa marshimi vijon, një grup protestuesish është nisur në drejtim të Kuvendit, duke lëvizur përgjatë rrugëve të Tiranës.

Protestuesit janë nisur drejt Parlamentit, ndërsa të tjerë janë shpërndarë në disa drejtime të tjera.

Ora 16:18
Aktet vandale gjatë protestës së dhunshme në Tiranë, Policia shoqëron mbi 20 persona

1795879216_shoqerime.JPG

Policia ka shoqëruar deri më tani mbi 20 persona, që kanë marrë pjesë në protestën e dhunshme që po zhvillohet sot në Tiranë.

Protestues të maskuar ditën e sotme kanë kryer akte vandale dhe sulme ndaj efektivëve të Policisë dhe institucioneve.

Sëfundmi ata kanë lënë bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe janë përqëndruar rreth Sheshit Skënderbej dhe një pjesë e tyre pranë Parlamentit.

Ora 16:18
Boshatiset sheshi 'Skënderbej', një pjesë e protestuesve zhvendosen te bulevardi Zogu I (VIDEO)

 

Pas akteve të dhunës te sheshi 'Skënderbej', një pjesë e protestuesve janë zhvendosur te bulevardi Zogu I.

Për shpërnarjen e tyre te sheshi, blutë përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Ora 16:06
Pamje me dron/ Boshatiset bulevardi Dëshmorët e Kombit, protestuesit shpërndahen në rrugët e Tiranës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë 'braktisur' bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' në kryeqytet dhe janë zhvendosur në rrugë të ndryshme të Tiranës, përfshi zonën rreth Sheshit Skënderbej.

Nga pamjet me dron të siguruara nga Report Tv në orën 16:00, duket se në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' ka vetëm disa grupe të efektivëve të Policisë.

Ora 16:03
Lëndohet efektivi i policisë në sheshin 'Skënderbej'! Merret me ambulancë (VIDEO)

 

Një efektiv policie ka mbetur i lënduar në sheshin 'Skënderbej'.

Ai është transportuar me ambulancë për të ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ora 16:02
Protestuesit bllokojnë rrugën në hyrje të Bulevardit 'Zogu i Parë', automjetet detyrohen të kthehen pas! (VIDEO)

 

Automjetet që vijnë nga drejtimi i sheshit janë spostuar dhe kanë mbetur në hyrje të Bulevardit “Zogu i Parë”, pranë Universitetit UFO në Tiranë.

Për shkak të bllokimit të rrugës nga protestuesit, drejtuesit e mjeteve janë detyruar të kthehen pas.

Lëvizja e automjeteve në këtë segment është penguar nga prania e protestuesve.

Ora 15:59
Policia avancon në sheshin Skënderbej, shpërndan protestuesit me ujë me presion (VIDEO)

 

Pas sulmeve të protestuesve, policia ka avancuar në sheshin Skënderbej.

Uniformat blu kanë shpërndarë protestuesit me ujë me presion.

Ora 15:48
Protestuesit sulm Ministrisë së Mjedisit, shqyejnë derën! Policia ndërhyn me gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protestuesit kanë sulmuar edhe Ministrinë e Mjedisit dhe kanë arritur të thyejnë derën. Policia reagoi duke ndërhyrë me gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Ora 15:48
Dhunë në Ditën e Pavarësisë, sheshi Skënderbej nën 'pushtetin' e gazit lotsjellës (VIDEO)

 

Aktet e dhunës të protestuesve janë zhvendosur në zemër të Tiranës.

Sheshi Skënderbej është nën 'pushtetin' e gazit lotsjellës i cili është përdorur për shpërndarjen e protestuesve.

Ora 15:27
Të pajisur me mburoja metalike dhe shkopinj, protestuesit sulme me molotovë dhe gurë drejt policëve te Sheshi Skënderbej (VIDEO)

 

Në Sheshin Skënderbej, një grup protestuesish të maskuar që po kryejnë akte vandale, janë pajisur me mburoja metalike dhe shkopinj druri.

Disa prej tyre po sulmojnë me gurë dhe molotovë efektivët e Policisë, që janë pozicionuar pranë Bankës së Shqipërisë.

Ora 15:25
Protesta e dhunshme në Tiranë/ Rëndohet bilanci, 19 të lënduar, mes tyre 6 policë dhe 4 punonjës të medias

Ndërsa protesta e dhunshme e 28 Nëntorit në Tiranë vijon, numri i të lënduarve ka shkuar në 19, mes të cilëve gjashtë efektivë policie, katër përfaqësues të medias dhe nëntë protestues.

Sipas bilancit të përditësuar nga Ministria e Shëndetësisë në orën 15:15, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 të lënduar, konkretisht pesë efektivë policie, katër përfaqësues të medias, njëra prej tyre shtetase e huaj, dhe tetë protestues.

Ministria bën me dije se të 17 të lënduarit në Spitalin e Traumës janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Ndërkohë, në QSUT, janë paraqitur për ndihmë mjekësore një efektiv policie dhe një protestues. 

Ora 15:07
Një grup qytetarësh 'lodhen' nga protesta në shesh, e zhvendosin në kafene (VIDEO)

 

Në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë po mbahet protesta e radhës.

Megjithatë teksa një pjesë e qytetarëve kanë dalë në shesh, një pjesë tjetër ka zgjedhur të 'protestojë' nga kafja.

"Dorëheqje", dëgjohen të thonë ata teksa duartrokasin.

Ora 15:06
FOTOLAJM/ Me flamur mbi supe e shkop me ‘maja’ metalike, protestuesi i maskuar tregon ‘arsenalin’ në protestë

Me flamurin kuqezi mbi supe dhe fytyrën të mbuluar, një protestues mbante në dorë një shkop me maja metalike gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë.

Tubimi u përshkallëzua në dhunë, me gurë e molotovë të hedhur drejt policisë.

Ora 14:57
Pamje e rëndë/ Polici në flakë pas sulmit me molotov nga protestuesit, kolegu i vjen në ndihmë me fikëse zjarri (VIDEO)

Një incident i rëndë ndodhi gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, kur një efektiv i policisë mori flakë pas hedhjes së një molotovi nga protestuesit. Në pamje shihet momenti kur një koleg i vjen në ndihmë me një fikëse zjarri.

Pamjet u ndanë nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla që e cilësoi sulmin si “tentativë për vrasje”.

“Kjo është tentativë për vrasje! Polici merr flakë nga bombat molotov dhe prapë Policia e ka fajin?! Kjo është mjaft! Apo prapë të hënën do dalë dikush në gjykatën e Tiranës dhe do thotë nuk ka prova për dhunë”, shkruan Balla.

Ora 14:56
Protesta e dhunshme, Policia del me qen te bulevardi 'Dëshmorët e Kombit' (VIDEO)

 

Edhe pse përplasjet janë zhvendosur te sheshi 'Skënderbej', policia ka dalë me qen te bulevardi 'Dëshmorët e Kombit'.

Që në nisje të protestës maskat kanë sulmuar me gurë uniformat blu.

Ora 14:43
Protesta e dhunshme, policia hedh gaz lotsjellës edhe me dron! Protestuesit shkatërrojnë njërin prej tyre (VIDEO)

Për herë të parë, policia përdori një dron për të lëshuar gaz lotsjellës dhe për të shpërndarë protestuesit.

Report Tv sjell pamjet e momentit kur droni lëshoi gaz lotsjellës në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit po sulmonin efektivët.

Protestuesit arritën që të kapin dhe të shkatërrojnë një prej dronëve që përdorej nga policia për të hedhur gaz lotsjellës. 

Ora 14:24
Protestuesit me maska sulmojnë Teatrin e Kukullave, thyejnë derën dhe thërrasin në kor: Digjeni selinë e PS! Policia hedh gaz (VIDEO)

 

Një grup protestuesish me maska sulmoi godinën e Teatrit të Kukullave gjatë protestës në Ditën e Pavarësisë. Nga turma u dëgjuan thirrje në kor për djegien e selisë së PS-së, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Ora 14:08
Protesta në Ditën e Pavarësisë, bulevardi mbulohet me gurë pas sulmeve ndaj policisë (VIDEO)

 

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbeti i mbuluar me gurët që protestuesit hodhën drejt efektivëve të policisë gjatë përplasjeve para Kryeministrisë.

Ora 14:08
Pas sulmeve me gurë ndaj policisë në Bulevard, një grup protestuesish rikthehen te sheshi 'Skënderbej'! Policia hedh gaz lotsjellës

 

Një grup protestuesish janë rikthyer sërish te sheshi 'Skënderbej'. 

Më herët në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', protestuesit kanë sulmuar me gurë policinë.

Policia ka hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Ora 14:03
Protesta në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë: 11 të lënduar, mes tyre një polic dhe një përfaqësues mediash i huaj

1795870865_ilenduari.png

Foto: Protestuese e lënduar

11 të lënduar kanë mbetur të lënduar si pasojë e protestës që po mbahet në Tiranë.

Mes tyre është 1 polic, 2 përfaqësues mediash (1 e huaj).

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore informon se gjatë protestës së sotme:

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 4 të lënduar.

- Një efektiv policie

- Dy përfaqësues të medias (një prej tyre shtetase e huaj)

- Pesë protestues

Të gjithë koshientë dhe gjendja shëndetësore stabël. Po trajtohen nga mjekët në shërbimin e urgjencës

QKUM: Ekipet e urgjencës kanë trajtuar në vendngjarje 3 protestues të lënduar. Gjendja e tyre e mirë.

Në QSUT deri tani asnjë i lënduar

Ora 13:48
Aktet e dhunës në protestë/ Policia përdor edhe plumba gome (VIDEO)

Policia përdori edhe plumba gome gjatë përplasjeve me protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ora 13:45
Protestuesit sulm me gurë autobotëve të ujit, momenti kur policia zmbrapset nga bulevardi (VIDEO)

Protestuesit hodhën gurë drejt autobotëve me ujë të policisë gjatë përplasjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pamjet tregojnë momentin kur forcat e policisë u tërhoqën nga bulevardi.

Ora 13:39
Efektiv i lënduar pas akteve të dhunës në protestë, momenti kur shoqërohet nga kolegët (VIDEO)

Një efektiv i policisë u lëndua gjatë përplasjeve në protestën e 28 Nëntorit para Kryeministrisë. Pas lëndimit, ai u shoqërua nga kolegët.

Ora 13:36
Molotovë dhe gaz lotsjellës para Kryeministrisë, tymi mbulon bulevardin (VIDEO)

Protestuesit hodhën molotovë drejt efektivëve para Kryeministrisë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Tymi mbuloi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ora 13:32
Pas sulmeve me gurë, grupi i maskave qëllojnë me llastiqe Policinë (VIDEO)

 

Protesta te bulevardi Dëshmorët e Kombit ka nisur me akte dhune,

Pas sulmeve protestuesit kanë gjuajtur me llastiqe punonjësit e policisë.

Ora 13:31
Aktet vandale, protestuesit qëllojnë me gurë autobotin e policisë te Bulevardi (VIDEO)

 

Protestuesit kanë vijuar me aktet vandale të bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit.

Të maskuarit kanë gjuajtur me gurë autobotin e policisë.

Ora 13:29
Tymuese e sulme drejt policëve në protestë, efektivët përgjigjen me ujë! Autobotët e ‘veshur kuqezi’ (VIDEO)

Gjatë protestës së 28 Nëntorit, disa protestues ndezën tymuese dhe sulmuan efektivët para Kryeministrisë. Policia përdori autobotët me ujë, të veshur me flamuj kuqezi për Ditën e Pavarësisë, për t’i shpërndarë.

Ora 13:08
Aktet vandale në kryeqytet, nisin shoqërimet e para (VIDEO)

 

Policia ka nisur me shoqërimet e para në protestën që po mbahet në Tiranë.

 Protestuesit e maskuar kanë sulmuar me gurë efektivët e policisë.

Ora 13:05
Vijon ‘beteja’ në bulevard, protestuesit hedhin molotovë e gurë në drejtim të policisë (VIDEO)

 

Përplasjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” vijojnë. Protestuesit po hedhin molotovë dhe gurë drejt efektivëve të policisë para Kryeministrisë.

Ora 12:54
Protestues të lënduar në protestë, njëri përplas kokën, tjetri lëndohet në sy! Dërgohen në spital (VIDEO)

Disa protestues mbetën të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Në pamje shihen protestuesit pas lëndimit.

Sipas raportimeve, njëri prej tyre ra dhe përplasi kokën në tokë pasi policia përdori ujë me presion për të shpërndarë turmën. Një protestues tjetër pësoi lëndim në sy. Të dy u dërguan në spital për të marrë mjekim të specializuar, ndërsa në pamje shihet momenti kur njëri prej tyre merret nga ambulanca. 

Ora 12:50
Aktet e dhunës/ Protestuesit thyejnë edhe xhamat e godinës së Bankës së Shqipërisë (VIDEO)

 

Protestuesit kanë nisur sulmet me gurë.

'Maskat' kanë thyer me gurë xhamat e godinës së Bankës së Shqipërisë.

Ora 12:45
Protesta/ 'Maskat' shkulin pllakat e trotuareve, gati për sulm (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar kanë shkulur pllakat e trotuareve te bulevardi 'Dëshmorët e Kombit për sulmet ndaj policisë.

Ora 12:43
Të maskuarit prijnë marshimin, akte dhune nëpër rrugë! Shkulin kangjella e semaforë (VIDEO)

Protestuesit me maska i prinë marshimit nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Gjatë rrugës, disa prej tyre shkulën kangjella dhe semaforë.

Ora 12:41
Pas më shumë se dy orësh, protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë (VIDEO)

 

Pas më shumë se dy orësh në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.

Ora 12:06
Policja nga diaspora e Amerikës mesazh efektivëve: Hiqni kapelet, kam qarë kur janë dhunuar protestuesit (VIDEO)

Një police shqiptare që jeton prej 25 vitesh në SHBA i është bashkuar protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Ajo tha se kishte qarë kur ishin dhunuar protestuesit dhe u bëri thirrje efektivëve të hiqnin kapelet e t’i bashkoheshin popullit.

“Kam 25 vite që jetoj në Amerikë. Kam ardhur në protestë. Ju them të gjithëve të bashkohemi dhe të mos dorëzohemi kurrë. Shqipëria është dhe do të mbetet gjithmonë e shqiptarëve.

Kam qarë me kokërr loti kur dhunohen protestuesit. Policia është për të mbrojtur popullin, jo për të mbrojtur krimin. Por e bëjnë nga varfëria. Duhet të heqin kapelet, t’i bashkohen popullit. Ai që është në pushtet nuk është mbret. Është një njeri, nesër vjen tjetri. Hap rrugën”, tha ajo pwr Report Tv.

Ora 11:57
‘Shqipëria do të rrojë, për të luftojmë ne’, protestuesit shfaqin banderolë: Rama në burg, Berisha në burg (VIDEO)

 

Protestuesit në sheshin “Skënderbej” shpalosën një banderolë me mbishkrimin “Shqipëria do të rrojë, për të luftojmë ne. Rama në burg, Berisha në burg”.

Ora 11:44
Protestues me maska e shkopinj në shesh, mes tyre edhe të mitur! Ndezin tymuese, përdorin edhe gjuhë vulgare (VIDEO)

Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, gjatë protestës së 28 Nëntorit, janë shfaqur protestues me maska dhe shkopinj, mes tyre edhe të mitur.

Disa prej tyre kanë ndezur tymuese dhe kanë lëshuar fyerje me gjuhë vulgare.

Ora 11:28
114-vjetori i Pavarësisë/ Qytetari përcjell mesazhin për Festat e nëntorit përmes çiftelisë: Kjo Shqipni nuk ka zot shtëpie (VIDEO)

 

Një qytetar në Tiranë ka uruar shqiptarët për festat e Nëntorit përmes një interpretimi me çifteli.

“Ju uroj festat e Nëntorit. Kjo Shqipni nuk ka zot shtëpie. I ruajt Zoti brezin e ri. Jam këngëtar nga Mirdita ju uroj të gjithë të mirat”, thotë ai.

Ora 11:19
Protestuesit për Report Tv: Shqiptarët duhet të bashkohen! Diaspora: Populli po vuan nga rritja e çmimeve, shteti shqiptar nuk na përfaqëson (VIDEO)

Në protestën e 28 Nëntorit në sheshin “Skënderbej”, një protestues bëri thirrje për bashkimin e shqiptarëve. Një tjetër e ardhur nga Milano tha për Report Tv se i ishte bashkuar tubimit sepse, sipas tij, qytetarët po vuajnë nga rritja e çmimeve. Një protestues i ardhur nga Selaniku tha se po merrte pjesë për herë të dytë dhe se shqiptarët jashtë vendit nuk përfaqësohen nga shteti shqiptar.

“Shqiptarët duhet të bashkohen. Nëse duam të mbijetojmë në këtë Gadishull Ilirik, bashkoni shqiptarët, ose do të shuhemi si komb. Nuk dorëzohemi. Rroftë Shqipëria etnike! Këtë parullë kemi sot. Bashkohuni, shqiptarë!”, tha një protestues.

“Jemi diaspora e Italisë, ‘Flamingo Milano’. Kemi gjashtë muaj që dalim nëpër qytetet e Italisë. Kemi ardhur këtu për atdheun. Kemi ardhur pa parti, vetëm për këtë popull. Duhet të jetë ditë proteste, jo festë, se populli po vuan nga rritja e çmimeve. E dua tokën time dhe dua të kthehem, por jo me këtë politikë, me 140 hajdutë në Kuvend”, tha një protestuese.

“Është hera e dytë që kam ardhur. Jetoj në Selanik. Erdha për atdheun, për kombin. Edhe të drejtat tona jashtë shkelen. Nuk përfaqësohemi në asnjë aspekt nga shteti shqiptar”, tha një protestues tjetër.

Ora 11:12
Shfaqen grupe protestuesish me maska në protestë, i vënë flakën një pankarte (VIDEO)

 

Një grup protestuesish me maska i vunë flakën një pankarte gjatë tubimit në Tiranë.

Ora 11:01
Protestë në Ditën e Pavarësisë, Report Tv sjell pamjet me dron nga sheshi “Skënderbej” (VIDEO)

 

Report Tv sjell pamjet me dron nga grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ora 10:50. Qytetarët po protestojnë në 114-vjetorin e Pavarësisë.

Ora 10:53
Protesta në Tiranë/ Aleanca Kombëtare me 10 propozime, nga Kushtetuta e re te vettingu i politikanëve (VIDEO)

Në protestën e 28 Nëntorit në Tiranë, Lëvizja Aleanca Kombëtare paraqiti në një pankartë 10 propozime, mes tyre thirrjen e një Asambleje Kushtetuese për të rishkruar Kushtetutën dhe krijimin e një qeverie tranzitore me ekspertë pa parti. Në listë kërkohen edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe vetingu i menjëhershëm i gjithë klasës politike. Pikat përfshijnë gjithashtu konfiskimin e pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, ashpërsimin e dënimeve për korrupsion dhe reformën për çështjen e pronave.

10 PIKAT PËR ZGJIDHJEN TË PROPOZUARA NGA ALEANCA KOMBËTARE

1. Thirrja e Asamblesë Kushtetuese, që të rishkruajë Kushtetutën e Shqipërisë duke i rikthyer kombit shqiptar sovranitetin dhe vendimmarrjen.

2. Krahas referendumit shfuqizues/abrogativ të vendoset edhe referendumi propozues për çështje të caktuara.

3. Ndryshimi i sistemit elektoral dhe kodit zgjedhor në funksion të përfaqësimit të gjithë shtresave shoqërore.

4. Krijimi i një qeverie tranzitore të formuar nga ekspertët më të mirë pa parti, me pëlqimin e Parlamentit Shqiptar.

5. Kalimi në veting të menjëhershëm i gjithë klasës politike.

6. Sekuestrimi dhe konfiskimi i gjithë pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

7. Ashpërsimi i ndëshkimeve penale e administrative për çdo formë korrupsioni, si dhe ndëshkimi me konfiskim i çdo pasurie të pajustifikuar.

8. Ndëshkim i ashpër i ekonomisë kriminale kudo që gjendet dhe me çdo formë; heqje licensash, sekuestrime, konfiskime deri në burgosje.

9. Reformë rrënjësore dhe përfundimtare për çështjen e pronave.

10. Ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi të partive politike, i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë ligjore-politike me mjete legjitime demokratike.

Sot më shumë se kurrë duhet të drejtohemi nga interesi kombëtar shqiptar, si komb, në ndërtimin e shtetit shqiptar, qoftë edhe vetëm si një projekt i përkohshëm politik për të arritur atë që dëshirojmë: bashkimin, pavarësimin e vetëqeverisjen e të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar ashtu si e dëshiruan rilindasit tanë të mëdhenj, të cilët na kanë treguar rrugën, që nuk e kemi ndjekur, por që është e vetmja zgjidhje për të mirën tonë, të brezave që vijnë dhe të kombit tonë të lashtë, të lirë, të nderuar dhe të respektuar, në shtet-kombin tonë shqiptar.

Ora 10:45
“Eja mblidhuni këtu”, protestë me këngë patriotike në 114-vjetorin e pavarësisë (VIDEO)

 

Një grup protestuesish janë grumbulluar te Sheshi Skënderbej për protestën e paralajmëruar prej disa ditësh.

Nga pamjet që Report Tv sjell shihen se një pjesë e tyre këndojnë edhe këngë patriotike.

Ora 10:35
Protesta/ Lisandër Hoxha për Report Tv: Protestojmë për një shtet demokratik, Rama të largohet! PD duhet të ndryshojë (VIDEO)

Anëtari i këshillit kombëtar të PD, Lisandër Hoxha i është bashkuar protestës së thirrur në tiranë në ditën e Pavarësisë. Ai tha për Report Tv se merr pjesë si qytetar, me shpresën se protesta do të hedhë bazat për një shtet demokratik. Hoxha bëri thirrje për largimin e Edi Ramës, ndërsa kritika adresoi edhe ndaj PD duke thënë se duhet të ndryshojë.

“Vij si qytetar. Sot është një ditë feste, ditë për të uruar shqiptarët. Së dyti, është një ditë shprese, se shqiptarët kanë vendosur të festojnë me protestë. Duan një shtet demokratik. Ne na mungojnë këto të drejta, kështu që kam vendosur t’i bashkohem protestës me shpresën se do të tronditë themelet e tranzicionit dhe do të vërë bazat për një shtet demokratik.

Çdo qytetar në republikën tonë është i lirë të shprehë dhe të manifestojë idetë e veta politike, pro apo kundër një partie. Të largohet në radhë të parë Rama. Pastaj partitë politike e kanë të lehtë. Nëse një parti s’të pëlqen, s’e voton dhe del vetë nga sistemi. S’ka sens të themi se ka protestë kundër partive. PD-ja është forcë opozitare që duhet të ndryshojë. Por halli i shqiptarëve nuk janë partitë, as PD-ja, as PS-ja.

Pjesëmarrja është kryesorja. Për pjesën tjetër s’di ç’të them, por dhuna më e madhe është të jetosh në një vend jodemokratik", tha Hoxha për Report Tv. 

Ora 10:24
Protesta në Tiranë, qytetarët nisin të mblidhen në sheshin “Skënderbej”: Shqipëria nuk shitet (VIDEO)

 

Protestuesit kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbej” për protestën e thirrur në Ditën e Pavarësisë. Në shesh kanë shpalosur edhe një banderolë gjigante me mbishkrimin “Shqipëria nuk shitet”.

Ora 10:12
Protestë në Ditën e Pavarësisë, efektivët mesazh feste, makinat e policisë dhe skafandrat 'vishen' me flamujt kuqezi (VIDEO)

Në protestën kombëtare të thirrur në Tiranë në Ditën e Pavarësisë, policia ka zgjedhur të përcjellë një mesazh feste.

Të gjitha makinat e policisë dhe autobotët me ujë të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit janë veshur me flamuj kuqezi me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë.

Në pamje tërheq vëmendjen edhe një vogëlush i cili ka shkuar pranë uniformave blu dhe bashkë me ta ka bërë simbolin e shqiponjës.

 

Ora 08:36
VIDEOLAJM/ Protestë në Ditën e Pavarësisë, makina e ujit e policisë 'vishet' me flamurin kuq e zi

Ndërsa qyterarët do të mbajnë në këtë 28 Nëntor një tjetër protestë në kryeqytet, një nga autobotët e ujit të policisë është 'veshur' me flamurin kuq e zi.

Siç shihet edhe nga pamjet që sjell Report Tv, autoboti shoqërohet nga pas edhe nga një makinë policie.