Festivali/ Florian Vlashi do të 
sjell në Durrës tingujt spanjollë

Festivali/ Florian Vlashi do të <br />sjell në Durrës tingujt spanjollë
TIRANE- Festivali “Netët e muzikës klasike” që do të zhvillohet në muajin gusht në qytetin e Durrësit, i është kushtuar Spanjës. Bienalja artistike që ka mbërritur në edicionin e 7-të të saj nuk do të jetë as më shumë e as më pak sesa “një udhëtim muzikor në vendin e Servantesit”, siç shkruan në hyrje të projektit të tij Florian Vlashi, violinisti durrsak që jeton dhe punon që prej 23 vjetësh në Korunja, buzë oqeanit Atlantik. “Para disa kohësh teksa lexoja gazetën pashë një lajm që më bëri të mendohem-tregon violinisti i mirënjohur.

Në gjiun e Durrësit, në afërsi të Kepit të Palit ishte zbuluar një anije 1700-vjeçare e mbytur që transportonte drejt Durrësit mallra spanjolle me shumë vlerë si verëra e vajra për të kënaqur shijen e hollë të aristrokratëve të kohës”. Violinisti 52-vjeçar tregon se bashkë me lidhjet e Skënderbeut me fisnikët spanjollë; legjendat për qëndrimin e Servantesit në Ulqin apo përkthimit të Don Kishotit nga Fan Noli dëshmia për anijen e lashtë e kanë bindur se ka ardhur koha për të ndaluar më gjatë edhe në muzikën spanjolle. Mbrëmja e parë e gushtit do t’i kushtohet Flamencos dhe interpretuesit e saj do të jenë spanjollë”, tregon Vlashi, duke shtuar se gjithçka do të shoqërohet edhe me vargjet e poetit Federico Garsia Lorka.

Në Torrën Mesjetare të Durrësit do të tingëllojnë pjesë korale nga muzika e vjetër e autorëve shqiptarë dhe të huaj si “Antifonari” nga Gjergj Danush Lapacaj (rreth 1495 – rr 1570), “Tientos” nga Antonio de Cabezon (1510 – 1566), “Officium Hebdomadae Sanctae” nga Tomás Luis de  Victoria (1510 – 1611) dhe pjesë nga Opera “Scanderbeg” e Antonio Vivaldit  (1678 – 1741). Kori Kamertal i Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi do të përcjellë te dëgjuesit edhe pjesë të painterpretuara më pare”, nënvizon Vlashi.

Don Kishoti do të jetë protagonist i një mbrëmje tjetër, që do të ketë në qendër muzikën baroke. Chachona e Henry Purcel (1659 – 1695) dhe Burleskat e Don Kishotit nga kompozitori Georg Philipp Teleman (1681 – 1767) do të interpretohen nga orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” dhe do të shoqërohen nga  vargjet e veprës së Servantesit. Dy kitaristët e mirënjohur Ehat Musa dhe Demir Doçi do të ndezin imagjinatën e shikuesve me tingujt e disa veprave kushtuar Spanjës nga kompozitorët Luigi Boccherini (1743–1805) dhe Juan Crisóstomo de Arriaga (1806–1826), që shoqërohen nga solistët e Bienales.

Sarasate dhe Albeniz do të jenë dy kompozitorët në qendër të mbrëmjes kushtuar muzikës klasike në odeonin “Nikolin Xhoja” të qytetit bregdetar. Prof. Përparim Kabo do të moderojë një takim imagjinar mes Servantesit, Hugoit dhe Dalisë në bregun e Durrësit, ndërsa janë zgjedhur për ta shoqëruar pjesë nga Turina, Falla, Albeniz, Granados dhe Debysi, si dhe projeksione të veprave të piktorit surealist spanjoll. Sopranoja spanjolle Pilar Jurado dhe violinisti Florian Vlashi, të shoqëruar nga ansambli muzikor “Shekulli XX” do të sjellin së bashku tingujt nga gadishulli Iberik. Në këtë edicion nuk do të mungojë një koncert në spitalin rajonal të qytetit bregdetar, për të mundësuar çaste kënaqësie edhe për pacientët, familjarët e tyre dhe personelin shëndetsor.

Violinisti Florian Vlashi ka përgatitur platformën për konkursin e Bienales “Nata e yjeve të rinj”. Dhjetëra nxënës të shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli” do të garojnë mes tyre në sallën e koncerteve “Pjetër Dungu”, ndërsa instrumentisti fitues do të jetë mysafir në Spanjë ku do të interpretojë me një nga orkestrat e qytetit La Korunja. Gjatë ditëve të Bienales janë programuar edhe workshope me praninë e artistëve të shquar nga Spanja.

Violinisti Florian Vlashi, i formuar në shkollën e mesme artistike të Durrësit dhe në Institutin e Arteve (sot Universiteti i Arteve) në Tiranë, është një nga artistët më aktivë në skenat ndërkombëtare, njëkohësisht ideues dhe drejtues i Festivalit me traditë 10-vjeçare “Netët e muzikës klasike”. Ai interpreton në Festival së bashku me dy djemtë, Danieli në violinë dhe Martini në violonçel dhe me bashkëshorten Rediana violonçeliste.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian