/ATSH/- Spektakli "Gjëndjet e trupit" (Body mods) ishte shfaqja e radhës në edicionin e nëntë të Festivalit të Dancit  Modern dhe Kontemporan, që ka nisur dy muaj më parë në qytetin e Durrësit.

Shfaqja e kompanisë italiane  "Bordelino Danza" u duartrokit gjatë nga spektatorët që mbushën sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit bregdetar dhe që vlerësuan, bashkë me subjektin edhe interpretimin e artistëve nga vendi fqinj.

Koreografi Klaudio Malangone ndërtoi një spektakël mjaft interesant, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e shikuesve në sallë, lidhur me gjëndjet shpirtërore të secilit.
Drejtori artistik i Festivalit, Gjergj Prevazi tha për ATSH-në se ky është një kërkimet e shumta të artistëve të këtij zhanrri, të cilat janë pasqyruar vazhdimisht edhe në shfaqjet e këtij festivali ndër vite.

Që nga fillimi i këtij edicioni në skenat e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit janë ngjitur trupa nga vendi ynë, Hungaria, Zvicra, Italia dhe Kanadaja.
Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan është një projekt unik në vendin tonë, pasi përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik, për të cilën nuk ka ende një veprimtari të ngjashme. Ai ka krijuar një traditë të përvitshme dhe synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme.
Edicioni i këtij viti mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe bashkia e Durrësit.

Festivali i Dancit që organizohet nga shoqata "Bukuroshja e Durrësit" ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Hollanda, Turqia, Italia, Kanadaja, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.