Bllokimi i kolektorëve të ujërave të bardha e të zeza veçanërisht pas përmbytjeve nga dalja e shtratit të lumit Vjosë, ka bërë që rreth 300 familje në fshatin Ferras të njësisë administrative Levan në bashkinë Fier të 'bashkëjetojnë' me ujërat e zeza duke u kthyer në shqetësimin më madhor të zonës.
Sipas tyre problematika ka nisur pas ndërtimit të linjës së re nga një firmë private rreth 15 vite më parë, pasi firma në fjalë nuk është angazhuar asnjëherë me pastrimin dhe mirëmbajtjen e saj, teksa theksojnë se situata është rënduar së tepërmi veçanërisht 4 vitet e fundit. Pavarësisht ankesave të vazhdueshme të banorëve problemi ende nuk ka marrë zgjidhje.
Situata paraqitet veçanërisht problematike te pallatet e zonës, ku ujërat e zeza dalin në sipërfaqe duke u krhyer në burim infeksionesh, por edhe konfliktesh të vazhdueshme mes fqinjëve.
‘E kam ngritur shpeshherë zërin për këtë problematikë’ thotë kryeplaku i Ferrasit Zani Hyka, ‘por deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete’.
Ndërkohë sipas informacionit të marrë pranë Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve, investimi i kryer në këtë zonë nga bashkia Fier, nuk ka qënë asnjëherë në varësi dhe menaxhim të këtij institucioni e pavarësisht kësaj, KUZ do të ndërhyjë brenda dy ditëve për pastrimin e kolektorëve të bllokuar, por Ferrasi kërkon një zgjidhje përfundimtare të kësaj problematike dhe jo provizore ç’ka kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse.
Komente










