FIER - Arrest me burg pa afat, është masa e sigurisë e marrë nga Gjykata e Fierit për shtetasen Enkeleda Merka, e akuzuar për veprën penale vjedhje me dhunë.

Seanca gjyqësore ndaj Merkaj u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nuk janë lejuar as gazetarët dhe as familjarët e 27-vjeçares.

Prokurori i çështjes është shprehur përpara trupit gjykues se Enkeleda Merkaj i ka dalë përpara një shtetaseje dhe nën presionin e një arme pistolete, e cila rezultoi lodër, i ka vjedhur çantën e dorës.

Prokurori kërkoi masën e arrestit, burg pa afat, deri sa të përfundojnë procedurat hetimore.

Nga ana tjetër, avokati i Enkeleda Merkës ka kërkuar masën e arrestit, burg në shtëpi me arsyen se mungojnë provat për të vërtetuar vjedhjen për të cilën akuzohet.

Trupi gjykues me në krye Irena Gjokën vendosi masën burg pa afat. Ky vendim nuk u prit mirë nga të afërmit e të dënuarës me pretendimin se Enkeleda ishte e pafajshme.

27-vjeçarja u arrestua 4 ditë më parë nga Policia e Fierit dhe u sekuestruan një automjet tip BMW, një palë dorashka dhe një pistoletë lodër.

Redaksia Online
(ga/Shqiptarja.com)