FIER - Udhëtonin familjarisht drejt Patosit të Fierit, por humbja e kontrollit dhe shpejtësia e makinës kanë rezultuar fatale për kryefamiljarin Refat Resuli ndërsa kanë mbetur të plagosur rëndë djali dhe gruaja e tij.

Rreth 2 kilometra larg qytetit të Patosit, në rrugën nacionale Fier-Patos një mjet tip Benz me targa FR 0879 D ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një kolonë betoni në anë rrugës.

Brenda në mjet ndodheshin një familje nga Fieri, babë e bir dhe nëna e tij. Si rezultat, kryefamiljari Refat Resuli 65 vjeç ka gjetur vdekjen në spital ndërsa drejtuesi i mjetit djali i tij Bledar Resuli 40 vjeç dhe ëma Leonora Resuli kanë marrë plagë të rënda dhe aktualisht janë nën mbikëqyrjen intensive të mjekëve. Policia ka ardhur menjëherë në vendin ngjarjes dhe ka nisur hetimin për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.

Sipas hetimeve të para mendohet se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit nga 40-vjeçari Bledar Resuli dhe shpejtësia tej normave të lejuara.

Redaksia online
(Gre.M/shqiptarja.com)