FIER - Dita e 10- të e grevës së naftëtarëve në Marinzë, ka filluar me një tubim para zyrave të kompanisë Bankers Petroleum ku me pankarta në duar kanë shprehur vendosmërinë për ti shkuar deri në fund plotësimit të kërkesave të tyre.

Sipas kreut të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur Dritan Shahu, gjatë këtij tubimi përfaqësues të kompanisë kanë fotofgrafuar e filmuar punonjësit, një formë presioni që është ndjekur si taktikë nga ata edhe gjatë tubimeve të mëparshme.

Ndërkohë gjendja shëndetësore e 10 anëtarëve të këshillit sindikal po përkeqësohet nga dita në ditë. Sotiraq Dano, dhe Dorjan Dylmishi pohojnë se janë të vendosur të rrezikojnë edhe jetën e tyre, për të mos u tërhequr nga kauza e tyre ndërsa shprehin keqardhjen që fusha naftëmbajtëse është pa mbikqyrjen e tyre.

“Inxhinierë, por të mjerë”. Kështu jemi ne thonë inxhinierët e rinj Valter Nukaj dhe Arti Barjami, të cilët prej vitesh nuk njohin rritje page.

"Kryeministri thotë që punë ka, por profesionistë jo. Ne ja ku jemi, le të na vlerësojnë.Kemi bërë shkollën për atë punë", thonë ata njëzëri.

“Kemi mbaruar për inxhinieri, por nuk marrim as minimumin e asaj që meritojmë. Kemi dalë për të drejtat tona. Jemi të vendosur për këtë gjë dhe i bëj thirrje të gjithave institucioneve. Jemi këtu 10 ditë dhe asnjëri nuk është interesuar për ne. Shpresojmë të arrihet një marrëveshje sa më shpejt”.

Ndërkohë grevistët pavarësisht situatës së rënduar shëndetësore thonë që nuk do të tërhiqen derisa kompania të plotësojë kërkesat e tyre.

“Situata është shumë e vështirë, dje isha vetë që lajmërova ambulancën, pasi kisha tension. Jam operator prej 10 vitesh në këtë kompani. Nuk ka një standard për të gjithë. Kemi familje që na presin jashtë. Ne nuk duam të ikim, duam të rrimë këtu. Presim një zgjidhje nga kompania” tha një nga grevistët.

“Gjendja është e rënduar. Derisa të vijë të na marri ambulanca këtu do të jemi, do të qëndrojmë. Këtu (në kompani) jemi ca të nënës, ca të njerkës”, tha një grevist tjetër.

E ndërsa kompania nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete, naftëtarët ende nuk kanë asnjë përgjigje as nga Kryeministri Rama e as nga Ministria përkatëse.

Në grevën e nisur që prej 15 tetorit dhe e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, naftëtarët e Marinzës  kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës në një kohë kur kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” hetohet nga SPAK, me dyshimin se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm, prej 110 milionë lekësh. Naftëtarët tregojnë se paga mesatare është 60 mijë lekë, ndërsa kërkojnë të shkojë deri në 100 mijë lekë në muaj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:19
Naftëtarët e 'Bankers' në grevë prej 10 ditësh, qytetarët protestë te Ministria e infrastrukturës: Uria e tyre turpi i një shteti të pasur me naftë, por të varfër me drejtësi

Teksa naftëtarët e 'Bankers Petroleum’ kanë hyrë në ditën e dhjetë të grevës së urisë dhjetëra qytetarë e mbështetës u mblodhën këtë të premte para Ministrisë se infrastrukturës dhe Energjisë, Tiranë.

Me pankarta në duar si ‘Uria e tyre është turpi i një shteti të pasur me naftë të varfër me drejtësi’, qytetarët me këtë protestë kërkojnë reagim nga institucionet për ndërmjetësim për shkak të përkeqësimit te gjendjes shëndetësore te naftëtarëve.

Nga ana tjetër ata kërkojnë që punonjësit të kenë kushtet minimale në punë dhe një pagë dinjitoze.

“Dita ditës situata po përkeqësohet. Nuk po e marrim vesh pse nuk ka një reagim nga institucionet, apo kryeministri. Ajo kompani po shfrytëzon të gjithë  pasurinë tonë. Nuk mund të paguhet me një pagë qesharake një naftëtar që përballet me vështirësi. Greva mund të vijojë edhe në vazhdim. Nëse nuk na bëni sikur na shikoni do të protestojmë edhe para kryeministrisë”, tha Renato Tahaj,  inxhinier i sigurimit teknik në Bankers.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Dhjetor, 19:08

    SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, a duhet të japë autorizim Kuvendi?