Mundësia e shpejtë që krijojnë zanatet e ndryshme për punë ka bërë që edhe në qarkun e Fierit nxënesit të rendin drejt shkollave profesionale.
Edhe pse ende regjistrimet nuk janë mbyllur këtë vit drejtuesit e shkollave profesionale të Fierit bëjnë të ditur se ky fillim vit ka shënuar rritje të interesit dhe regjistrimeve për të vijuar arsimin e mesëm profesional pranë këtyre institucioneve arsimore.
“Regjistrimet me përjashtim të drejtimit të naftës nuk janë realizuar dhe për këtë u bëjmë thirrje prindërve dhe nxënësve që të regjistrohen në këtë drejtim pasi është një nga aspektet më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare dhe mundësitë e punësimit për rrethin e Fierit janë të mëdha. Nga ana tjetër, drejtimi i kërkim-shfrytëzim naftë-gaz-ujë trajtohet me bursë për nxënësit”, thotë Arta Leka, drejtoreshë e “Petro Sota.”
“Niveli i regjistrimeve në krahasim me vendin e kaluar ka një rritje. Interesi është i shtuar nga nxënësit e klasave të nënta. Këtë vit mësimor vijmë më të kompletuar. Programi që kishim për zhvillimin e shkollës thuajse është në përfundimin e vet. Jemi pajisur me laboratorë të fjalës së fundit të teknologjisë, dy laboratorë të përpunimit të frutave dhe qumështit, kemi dhe një serë moderne”, thotë drejtori i shkollës “Rakip Kryeziu, Alket Merdani.
Drejtuesit e shkollave profesionale bëjë të ditur se tashmë një mundësi e mirë për të vijuar arsimin profesional në qarkun e Fierit janë dhe konviktet e rikonstruktuara në të cilat akomodohen nxënësit nga zonat rurale.
Në qarkun e Fierit janë tre shkolla profesionale, dy në profilet industriale dhe një tjetër në atë bujqësor.








Komente
Komento