/ATSH/.- Fëmijët dhe të rinjtë me aftësi ndryshme në qytetin e Fierit kanë tashmë qendrën e tyre, projekt i Bashkisë Fier mundësuar nga IADSA, Programi Italo- shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Fier, shoqaten italiane ENGIM, dhe Qendrën Sociale Murialdo.
Në ceremoninë e përurimit të qendrës "Horizont" ishin të pranishëm përvec drejtuesve të institucioneve vendore, deputetëve, përfaqësueve të besimeve të ndryshme fetare, donatorëve, edhe Konsulli i Italisë në Vlorë z. Stefano Bergesio së bashku me Zv.Ministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Bardhylka Kospiri.
Në fjalën e tij kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi, në mbështetje të këtij projekti madhor për qytetin, qytetarët dhe kryesisht familjet e fëmijëve me aftësi ndryshe u shpreh se shumë shpejt kësaj qendre do t'i bashkohet edhe një tjetër qendër diagnostikimi, e cila do t'i paraprijë shëndetit të fëmijëve në moshë më të hershme.
"Këtë punë të mirë që është bërë deri tani duhet ta përsosim më tej. Jam i bindur se bashkë me donatorët tanë, programin e IADSA-s, do të vazhdojmë bashkëpunimin e nisur, duke ngritur edhe një qendër dignostikimi të hershëm për fëmijët nga 0 deri në 6 vjec. Nëse arrijmë në kohë diagnostikimin e fëmijëve me këto simptoma do të jetë më e lehtë përshtatja e tyre në shoqëri. Këta fëmijë, të rinj janë pjesë e shoqërisë dhe si të tillë duhet të zënë vendin që u takon", theksoi Subashi.
Qendra "Horizont" për fëmijë dhe të rinj me aftësi ndryshe është qendra e parë moderne me këtë destinacion në të gjithë Shqipërinë. Me një sipërfaqe prej 1200 m2 ndërtim, që është më shumë se e mjaftueshme për sigurimin edhe të ambienteve kreative e shlodhëse, e pajisur me ashensor, e ndërtuar në një zonë të qetë larg zhurmave, kjo qendër përmbush cdo kriter për dhënien e shërbimeve të specializuara.
Bashkia Fier aktualisht numëron 1245 persona me aftësi të ndryshe, ndër të cilët 361 janë fëmijë dhe të rinj. Rreth 60 % e tyre as nuk marrin dhe as nuk kanë marrë ndonjëherë shërbim të specializuar për arsimin dhe zhvillimin e tyre. Ngritja e kësaj qendre realisht nuk do të mund t'u shërbejë dot të gjithëve, të paktën për momentin, por vetëm rreth 100 personave, që është shumë herë më shumë se asgjë.
Në qendër vijnë rregullisht çdo ditë fëmijë, të rinj me aftësi ndryshe të moshës 6 - 20 vjeç, të cilët kryejnë aktivitete ditore dhe terapi në bazë të nevojave dhe problemeve që vlerësohen nga specialistët e kësaj fushe. Qendra është e hapur nga ora 8.00 -16.00.
Ambientet e kësaj qendre janë të standardeve bashkëkohore, të përshtatura për këtë kategori personash. Ambientet e terapive dhe mësimit janë të ndryshme plot ngjyra dhe me një infrastrukturë të moderuar, si dhe me materiale të ndryshme mësimore dhe didaktike që ndihmojnë specialistët dhe mësuesit për zhvillimin e aktiviteteve dhe terapive.
Kuzhina është projektuar në formën e përshtatshme që të mundësojë jo vetëm ushqyerjen e fëmijëve, por me anë të këtij procesi, ata të arrijnë të mësojnë dhe edukohen për t'u vetëushqyer, si dhe të përmirësojnë disa procese të rëndësishme të zhvillimit psikomotor të trurit. Ambientet e pushimit janë shlodhëse e të freskëta për t'u siguruar fëmijëve një mundësi qetësie pas një ditë aktivitetesh.