FIER - Pas arrestimit dy ditë më parë të 27-vjeçares Enkeleda Merka e cila u cilësua si “Nikita” e Fierit, pasi akuzohet se ka kryer grabitje me një armë lodër, kanë reaguar fqinjët e saj në Fier.

Fqinjët shprehen të habitur për këtë ngjarje, madje deklarojnë se familja e 27-vjeçares nuk vuante nga problemet ekonomike. Një nga fqinjet e 27-vjeçares e cilësojnë këtë ngjarje të padrejtë, pasi sipas tyre vajza nuk kishte probleme ekonomike dhe nuk kishte nevojë të grabiste gratë e qytetit me armatosur dhe e maskuar.

Fqinja e Merkaj ka hedhur dyshime se dikush ka dashur ta fusë në kurth vajzën ndaj së cilës janë kryer denoncime në polici për vjedhje me maskë dhe armë, që pas verifikimit rezultoi të ishte një lodër.

“Mbase është futur në kurth. I ati ka ikur që fëmijë në Itali, ishin me me lekë dhe me të gjitha. Enkeleda është rritur në Itali. Mua nuk më besohet që të ketë vjedhur ajo. Dikush e ka bërë”, shprehet një fqinje e familjes Merka.

Edhe babai i Enkeledës, Hadil Merka ka deklaruar në media se qëllimi i arrestimi është mitmarrja.

ARRESTIMI ME 12 JANAR
Policia e komisariatit të Fierit në kuadër të operacionit të koduar “Nikita” ka bërë të mundur arrestimin e shtetases Enkeleda Merka, 27 vjeç banuese në Fier, pasi ka kryer vjedhje me një pistoletë lodër.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë ndalimi i 27-vjeçares u bë për arsye se rreth orës 17.00 të datës 09.01.2013, në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit kjo shtetase duke lëvizur me automjetin e saj tip B.M.W me targa italiane AT 899 TT pasi ka ndaluar, i ka dalë përpara një shtetaseje dhe nën presionin e një pistolete lodër i ka vjedhur çantën e dorës.

Pas kësaj gruaja e dëmtuar ka bërë denoncimin në polici, e cila më pas ka bërë të mundur ndalimin e saj. Në momentin e arrestimit 27-vjeçarja ishte duke udhëtuar me makinën e saj tip BMW.

Sipas hetimeve të policisë së Fierit rezulton se Merka dyshohet se ka kryer dhe dy vjedhje të tjera me dhune, për të cilat policia po punon për dokumentimin e plotë ligjor. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip BMË, një palë dorashka, një kapuç dhe një pistoletë lodër. Materialet proceduriale në ngarkim të kësaj shtetaseje do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)