Sikur duket nga pamjet e Report Tv fshati Ferras ndodhet nën ujë, ndërsa banorët janë në katet e sipërme të banesave të tyre, pasi uji arrin mbi 2 metra. Banorët shprehen se kanë refuzuar të largoheshin nga banesat.
Ata presin që të largohen ujërat duke mos pranuar që të braktisnin banesat, ndërsa shprehen se është hera e tretë që kalojnë përmbytje. Banorët e prisnin këtë gjendje duke marrë masat për sigurimin e ushqimeve për disa ditë deri në kthimin e normalitetit. “Kemi mjaftueshëm ushqime për disa ditë” shprehen ata për Report Tv.
Një banor i zonës, i cili ka edhe një fermë derrash shprehet se situata është më e rëndë se në 2015. “Kam një fermë derrash, sot derrat i kam në magazinë. Punova tre katër ditë më parë duke marrë masa, por përmbytja është e madhe, niveli i ujit është shumë më i lartë se sa në 2015. Nuk e dimë se cfarë do të bëjmë. Kam frikë për fermën” u shpreh ai për Report Tv.
I gjithë fshati nga një fushë, tashmë të jep pamjen e liqenit. Gjithçka në magazina, apo në katet e para të banesave është nën ujë, por në Novoselë situata është më e rëndë, pasi nuk ndërhyhet dot me gomone. Në urën e Mifolit ndodhen rreth 350 banesa nën ujë, ndërsa ndërhyrja bëhet vetëm me helikopter. Zonat më problematike në Novoselë janë në Qarrë, ku uji ka marrë gjithçka që i ka dalë përpara.
[gallery]24998[/gallery]

VIDEO









