Xhemal Dingo, një ish-oficer i lartë i ushtrisë para viteve 1990, shprehet i indinjuar nga ky vendim, ndërsa thekson se "këta godina janë pjesë historisë së ushtrisë shqiptare dhe përvetësimi i tyre është një luftë e hapur që i bëhet punës dhe kontributeve të Ushtrisë Shqiptare".
"Për veten time si oficer u mpiva nga trupi, kur dëgjova këtë lajm dhe veçanërisht me qëndrimin e kryeministrit; ai shprehte një pakënaqësi të jashtëzakonshme", tha Dingo para kamerës së "A1 Report".
Të njëjtin mendim ndan edhe kreu i shoqatës së ish-ushtarakëve të këtij qyteti, Ruzhdi Xhepa, i cili u shpreh së pas këtij veprimi të padrejtë fshihen afera të dyshimta, ndërsa theksoi se ky vendim i padrejtë është tregues i urrejtjes nga e djathta shqiptare.
"Kjo masakaradë, ky pazar kanë filluar që para 20 vjetësh dhe përfunduan para 20 ditësh, kur ky objekt i rëndësisë së veçantë u thur me tela e gjemba si burgu i Guatanamos", tha Xhepa.
Ish-ushtarakët e qytetit të Fierit paralajmërojnë një protestë para Shtëpisë së Oficerëvë për të kundërshuar vendimin e qeverisë.
Në mbledhjen e së mërkurës së datës 8 gusht, qeveria, e cila është në fund të mandatit të saj, mori vendimin për t'i kaluar Partisë Demokratike një nga pronat më të lakmueshme të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, përbri Parlamentit.
Vendimi në fjalë nuk gjendej i publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave së bashku me vendimet e tjera, por burime zyrtare konfirmuan për mediat se qeveria e kryeministrit Berisha e ka miratuar atë.
Ajo që dihet është se, ka qenë kreu i ri i demokratëve, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai që ka bërë propozimin për marrjen e një godine tjetër për Partinë Demokratike dhe për këtë është piketuar Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, e cila ka një territor dhe një ndërtim shumë më të madh sesa selia aktuale e Partisë Demokratike.
Deputeti socialist, Erion Braçe akuzoi se selisë aktuale të PD-së i ka dalë pronari dhe ata janë familjarë të pushtetit.
Ndërsa presidenti Bujar Nishani konfirmoi për 'A1 Report" se iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe e firmosi dekretin pë heqjen e godinës së SHQUP nga Ushtria.
Vendimet kanë shkaktuar irritimin e ish-ushtarakëve, të cilët kanë protestuar para Kryeministrisë me fjalë të ashpra, duke e quajtur "vjedhje, "grabitje" dhe se ata "do ta mbrojnë SHQUP-in nga tjetërsimi anti-ligjor".
Kanë reaguar edhe kryministri në pritje për të marrë detyrën Edi Rama, duke e quajtur vendimin "një turp" dhe ministrja e Mbrojtjes në qeverinë e re, Mimi Kodheli, e cila ka premtuar se "SHQUP do t'u kthehet ish-ushtarakëve".
Berisha pas protesës së ish-ushtarakëve ka kërcënuar se "kush prej tyre proteson do t'i hiqet statusi, që do të thotë pagesa suplementare".
Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)