FIER - Vetëflijimet nga pesticidet dhe barnat vrasin për çdo vit në rrethin e Fierit me dhjetra jetë njerëzish.

Fenomeni është kthyer në një problem për të gjithë shoqërinë në këtë rreth dhe sidomos për bluzat e bardha që përballen me rastet në fjalë dhe përpiqen të kthejnë në jetë viktimat e këtij fenomeni.

Mjeku intoksikolog i spitalit të Fierit, njëherësh dhe drejtues i repartit të urgjencës, Lulëzim Banushi, ka shprehur keqardhje për rastet e shumta të personave që në mënyrë tragjike kryejnë aktin e vetësakrifimit duke gëlltitur fotoksinë apo pesticide.

Vetëm për 3 muajt e parë të këtij viti, Banushi tha se janë regjistruar 15 raste vetëhelmimesh me barna të ndryshme dhe fotoksinë, ku dy persona megjithë trajtimin mjekësor, nuk janë rikthyer në jetë.

Mjeku ka thënë gjithashtu se janë të shumta arsyet që detyrojnë viktimat në aktin e vetflijimit si gjendja e dobët ekonomike apo papunësia, grindjet brenda familjes e deri edhe xhelozitë mes bashkëshortëve apo të dashurve

Sipas mjekut intoksikolog, në këtë periudhe ka një numër në rritje të rasteve të të intoksikuarve me alkool si dhe me lloje te ndryshme drogash që shkojne në mbi 50, kryesisht të rinj.

Përdorimi i alkolit është një tjetër formë e pakënaqësisë dhe e mënyrës se ngushllimit të gjendjes shpirtërore apo sociale të shumë të rinjve, por që përfundon me dëmtim të shëndetit të tyre.

Pjesën më të madhe të vetëhelmimeve e përbëjnë helmimet me pesticide si dhe barnat farmaceutike, ku dominojnë rastet e vullnetshme të gëlltitjes së tyre. Në vetëm pak raste, rezulton se marja e medikamenteve ka qënë e pavullnetshme dhe ka ndodhur në mënyrë aksidentale tek femijët . Shpesh kanë qënë gjyshërit apo të rriturit që kanë gabuar duke lënë në vende të dukshme, barnat e tyre.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)