FIER- Një 22-vjeçar nga fshati Pojanë, komuna Dermenas, në rrethin e Fierit, ka katër ditë që është larguar nga shtëpia. Eri Pelivani, kështu quhet 22-vjeçari që ka humbur kontaktet me familjarët, i cili së bashku me një bashkëfshatarin e tij dhe dy të tjerë nga Durrësi janë nisur në drejtim të Greqisë.
 
Sipas vëllait të tij Igli Pelivani, 22-vjeçari së bashku me dy shokët e tjerë nga Durrësi janë nisur me këmbë nga zona e Kakavijës, por deri më sot nuk kanë marrë ndonjë informacion. Familja Pelivani ka bërë edhe denoncim në polici për humbjen e djalit të tyre.
 
Por vëllai i Eri Pelivanit ka marrë informacion se shoku me të cilin 22-vjeçari ishte larguar në drejtim të Greqisë është gjetur nga pala greke i mbytur në zonën e Igumenicës.
 
Kjo gjë ka shtuar edhe më shumë frikën e familjarëve, pasi Eri Pelivani nuk njihej me dy djemtë dhe nuk mund të marrin informacion prej tyre rreth vendndodhjes së të rinjve.
 
Vëllai i 22-vjeçarit kërkon nga shteti t’i ndihmojë për të gjetur të familjarin e tyre, duke bashkëpunuar me palën greke.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)