Sezoni veror në Fier është çelur zyrtarisht me një festë spektakolare, ku nuk munguan garat e hipizmit, koncerti rock dhe ndeshjet e boksit. Pjesëmarrja masive e qytetarëve është cilësuar si një ogur i mirë për sezonin turistik, sipas kryebashkiakut Armando Subashi, i cili tha se përtej festës, bashkia ka marrë masa konkrete për një sezon të mbarë.
“Ne presim që ky të jetë një sezon i suksesshëm edhe përvojën e kam të plotë edhe investimet që kemi kryer në infrastrukturën për bregdetin do ta mundësojnë këtë gjë. Besoj që kështu do të vazhdojmë deri në fund. Ne kemi bërë një shpërndarë më të mirë të hapësirës së plazhit duke ruajtur raportet të drejta e sipas përcaktimeve të plazheve private dhe publike. Për plazhet publike kemi marrë masa, kemi shtuar numrin e vrojtuesve”, tha kryebashkiaku Subashi.
Fieri ka dy plazhe të mëdha të frekuentuara masivisht, Semanin dhe Darëzezën. Por këtë sezon, surpriza pritet të jetë Pishë-Poro, për të cilin Subashi tha se është “perla” e bregdetit të Fierit.
Në të gjithë vijën bregdetare të Fierit operojnë 100 subjekte private, ndërsa plazhet publike këtë sezon do të jenë 6. Po aq është edhe numri i rojeve bregdetare për plazhet publike.
Komente








