Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, ka diskutuar të premten për miqësoret e Përfaqësueses së Kosovës, por nuk ka marrë një vendim, sipas mediave kosovare.

I vetmi vendim i marrë për Kosovën në mbledhjen e mbajtur në Zurih, është se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, më 14 dhjetor në Tokio. Kjo është konfirmuar për "Kohën Ditore" dhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, që përcolli nga afër punimet e mbledhjes dyditëshe të KE-së së FIFA-s.

FIFA i kishte lejuar Përfaqësueses së Kosovës të zhvillojë miqësore qysh më 22 maj të këtij viti, por pas presionit të Serbisë dhe UEFA-s, FIFA "ngriu" përkohësisht vendimin dhe paralajmëroi se do t'ia shtoi disa modalitete këtij vendimi për "të kënaqur" të gjitha palët, modalitete këto që ishin paralajmëruar se do të zbuloheshin më 27 e 28 shtator.

Por një vendim i tillë nuk është marrë, duke e vazhduar telenovelën për njohjen e Kosovës nga FIFA. Një nga kundërshtarët e njohjes së Kosovës është edhe presidenti i UEFA-s, Michel Platini, por mujat e fundit notat e kundërshtimit janë zvogëluar duke e pranuar në heshtje se pranimi i shtetit më të ri në UEFA shumë shpejt do të jetë fakt i kryer.

(d.b/shqiptarja.com)