Rreth 190 akademikë palestinezë, artistë dhe aktivistë, kanë dënuar ashpër fjalimin anti-semitik të presidentit Mahmoud Abbas, përmes një letre të hapur. Grupi ka thënë se i dënon komentet e bëra nga Abbasi për Holokaustin.
“Me rrënjë të thella në teorinë racore të përhapur në kulturën evropiane në atë kohë, gjenocidi nazist ndaj popullit hebre ka lindur nga anti-semitizmi, fashizmi dhe racizmi. Ne i kundërshtojmë të gjitha përpjekjet për ta keqinterpretuar apo justifikuar anti-semitizmin dhe krimet naziste kundër njerëzimit”, është thënë në letër.
![]()
Abbas ka nxitur kritika ndërkombëtare kur në fund të gushtit, para anëtarëve të partisë së tij Fatah, ka thënë se “ju mendoni se Hilteri i ka vrarë hebrenjtë për shkak se janë hebrenj, dhe se Evropa i ka urrejtur hebrenjtë sepse janë hebrenj. Nuk është ashtu. Evropianët i kanë luftuar këta njerëz, për shkak të rolit të tyre në shoqëri, që ka pasur të bëjë me fajde, para e kështu me radhë”.
Autortët e “Letrës së Hapur Palestineze” kanë shkruar se “populli palestinez është dëmtuar shumë nga kolonializmi, shpronësimi, pushtimi dhe shtypja izraelite, pa pasur nevojë që të preket edhe nga ndikimi negativ i këtyre narrativave anti-semitike, të nxitura nga personat që pretendojnë se flasin në emrin tonë”.
Ata kanë thënë se janë duke u dëmtuar edhe nga “regjimi autoritativ” i Autoritetit Palestinez, i cili ndikon në jetët e atyre që janë “nën-pushtim”.
Ndonëse Abbas konsiderohet figurë kontroverse nga shumë palestinezë, kjo formë e kritikës së hapur nga figura të njohura palestineze ndaj tij, është e pazakonshme.
Zgjedhjet e fundit presidenciale në Autoritetin Palestinez janë mbajtur më 2005, ndërsa ato parlamentare më 2006./REL

