FILADELFIA- Kopshti zoologjik i Filadelfias ka publikuar një video ku shfaqen katër këlyshë të porsa lindur nga luanesha afrikane katër-vjeçare Tajiri. Ata janë këlyshët e parë që kanë lindur në kopshtin zoologjik që prej vitit 1996-të.
 
Kujdestarët e kopshtit tregojnë se si nëna dhe këlyshët janë në gjendje shumë të mirë dhe se luanesha po tregon të gjithë kujdesin e duhur duke u qëndruar pranë fizikisht këlyshëve të cilët kanë nevojë për përkujdesjen e saj. Ata po monitorohen me kamera nga kujdestarët për t’i lejuar luaneshës që është bërë nënë për herë të parë të tregojë afrimitet me këlyshët e saj pa e shqetësuar dhe pa i cënuar privatësinë, çka do ta bënte të sillej në mënyrë të tensionuar.

Kopshti zoologjik e cilëson si një sukses shumë të madh lindjen e këlyshëve pasi kjo po ndihmon në ecurinë e programeve të tyre për menaxhimin e kafshëve të kërcënuara dhe në rrezik zhdukje. Këlyshët do të shfaqen për publikun jo më herët se pas disa muajsh derisa kujdestarët e tyre të jenë siguruar se zotërojnë shëndet të plotë dhe nëna e tyre të jetë e gatshme për t’u përballur me shumë vizitorë rreth saj.

Redaksia Online
(Suada Bajraktari/e.s/shqiptarja.com)