Kutitë e votimit u hapën të enjten në Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuara, duke filluar zgjedhjet katërditëshe për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në të 28 vendet e bllokut, ku po përballen përkrahësit e integrimit më të thellë me “euro skeptikët” popullsitë, që duan më shumë pushtet për qeveritë e tyre kombëtare.
Gjysmë ore pas fillimit të votimit në Holandë, kutitë u hapën gjithandej Mbretërisë së Bashkuar, e cila po përpëlitet me planet e saj për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.
Mbi 400 milionë qytetarë me të drejtë vote gjithandej Evropës, do të zgjedhin 751 ligjvënës, numri i të cilëve do të bjerë në 705, kur Mbretëria e Bashkuara të largohet nga Bashkimi Evropian. Mbretëria e Bashkuar ka 73 ligjvënës, që do të mbesin pa punë kur vendi i tyre të përmbyllë procesin e ndarjes nga BE-ja.
Deputetët e rinj të Parlamentit Evropian me mandat pesë vjeçar, do të shqyrtojnë dhe miratojnë ligje të propozuara nga Komisioni Evropian, të cilat më pas gjithashtu do të duhet të miratohen nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.
Anketat flasin për rritje të forcave nacionaliste në zgjedhjet e sivjetme që janë të nëntat me radhë për Parlamentin Evropian, që kur janë mbajtur zgjedhjet e para në vitin 1979. VOA