Shkodër- Fillon ndërtimi i rrugës së Komanit, që i shërben lidhjes së mijëra banorëve të Vaut të Dejës me pjesën tjetër të qarkut dhe veçanërisht Shkodrën.
Lajmin e ka bërë me dije sot (24 Janar) vetë kryebashkiaku Benet Beci, me një postim në rrjetin social Facebook.
Gjithashtu ajo lidh edhe hidrocentralet me njëri-tjetrin, si dhe një pikë eksplorimi për turistët nga e gjithë bota. Beci rendit edhe vështirësitë e hasura për të arritur deri tek nisja e projektit dhe kthimin në realitet, pasi aksi ishte i degraduar.
Postimi i kryebashkiakut Benet Beci:
“Rruga e Komanit i shërben një numri të konsiderueshëm banorësh të bashkisë Vau i Dejës; lidh hidrocentralet me njëri-tjetrin dhe është pikënisja e eksplorimit të Alpeve tona për mijëra turistë nga e gjithë bota. Gjendja e degraduar në të cilën ndodhej e bënte veç të tjerash, një ftesë jo dinjitoze për turizmin në veri e në të gjithë vendin. Para disa vitesh në cilësinë e drejtuesit të Korporatës ElektroEnergjitike Shqiptare (KESH), me mbështetjen e qeverisë, ndërmora nismën për financimin e ndërtimit nga të ardhurat e korporatës, plotësisht i bindur se përtej të qenit e domosdoshme ishte detyrim i korporatës ndaj banorëve të zonës pas dekadash të shfrytëzimit të luginës së Drinit për prodhim energjie elektrike për të gjithë vendin. Ishte dhe një nga angazhimet kryesore si deputet i zgjedhur i qarkut Shkodër në 2021. Kombinimi i një sërë të papriturash si, gjendja financiare e rënduar pas krizës energjitike, stërzgjatja e procedurave administrative e gjyqësore për lidhjen e kontratës etj., personalisht më patën lënë barrën e rëndë të një premtimi të parealizuar, por mbi të gjitha mbajtur zonën peng të një mundësie të jashtëzakonshme zhvillimi. Vjet Kryeministri Rama premtoi që rruga do të fillojë me çdo kusht, pavarësisht nga kostoja jo e vogël e investimit. Kjo është një fitore e madhe për mundësitë e zhvillimit në qarkun Shkodër dhe jam i sigurt që është vetëm hapi i parë i një sërë nismave publike e private që kanë për të futur në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm një nga zonat më të bukura të vendit”.
Shpallja e nisjes së punimeve dhe projektit të rrugës së Komanit
Bravo kryetar ! Je mundu edhe para 4 viteve por ke pas pengesa por ja arrite qellimit ! Bravo edhe nji her!
Përgjigju