TIRANE, 13 Nentor/ATSH/-Pas suksesit të tij në Çeki, Francë, Finlandë dhe Gjermani, filmi "Bota" do të shfaqet për publikun shqiptar në Tiranë në Kinema Millennium.
Shfaqia premierë e filmit me  skenar dhe regji nga Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, do të startojë sonte, ora 19.30 dhe në ditët në vijim  në oraret 15.00, 17.00, 19.00.
Ka qënë një bashkëpunim i frytshëm i Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë për realizmin e këtij filmi shqiptar, prodhim ky, më i ri kinematografik i regjisores Iris Elezi.
Në botën e saj të parë me metrazh të gjatë, regjisorja e zhvillon skenarin në një fshat të vogël mes Lushnjes dhe Fierit, ku familje të tëra vuajtën internimin.
Aty mes një kënete dhe një kafeneje nga e cila morri titullin, filmi është përditshmëria e secilit dhe marrëdhënia e tij e vështirë me të vërtetën.
Adriatiku i Lushnjës, i krijuar në komunizëm si vend gulagu është zgjedhur nga Iris Elezi për të treguar një javë nga jeta e tre të rinjve me pikëpyetjet e ekzistencës së tyre në Shqipërinë bashkëkohore.
Gra që s'janë të lumtura që e mbajtën kokën poshtë, vajza që nën peshën e një kulture mbytëse guxojnë të vendosin për veten.
Në të 97-in rol, Tinka Kurti vjen si gjyshe ndërsa Artur Gorishti, që rikthehet ne ekranin e kinemase pas shume vitesh, është Beni, i zoti i kafenesë së famshme.
"Bota", ka qënë premierë botërore në Festivalin e Kategorisë A, Karlovy Vary, që u zhvillua në Çeki në datat 5 dhe 6 Korrik dhe tashmë projektohet edhe për publikun shqiptar.
Iris Elezi është një regjisore e re, e shkolluar në Amerikë për teori dhe kritikë filmi,( lëndë të cilën ua mëson studentëve shqiptarë), me përvojën e disa dokumentarëve që mbajnë firmën e saj dhe hapin e parë të madh për një regjisore; një film me metrazh të gjatë që ka gjetur një përkrahje të gjerë morale, profesionale dhe financiare në disa nga festival të njohura në botë.