Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Televizionit në Bari, BIF&ST është një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në rajonin e Mesdheut. Këtë vit, në këtë festival është vlerësuar me çmim edhe një film shqiptar.

Burri i Shtëpisë” nga Andamion Murataj është vlerësuar me çmim special si një nga filmat më të veçantë të edicionit të 17-të të festivalit.

“Jam shumë i lumtur që kthehem këtu pas 35 vitesh që vura këmbë në brigjet e Barit me anijen ‘Vlora’, por tashmë pas 35 vitesh rikthehem me filmin tim. Nuk është vetëm një film shqiptar, por është vërtet një bashkëprodhim shqiptaro-italian. Faleminderit Domenico Procacci-t, që më hapi dyert në kinemanë italiane dhe faleminderit “Palomar”-it, që ka mbështetur këtë film. Një falenderim i veçantë është për Apuglia Film Commision që mbështeti zhvillimin e filmit, që në ditët e para.”, tha regjisori Andamion Murataj gjatë marrjes së çmimit në Bari.

Filmi u vlerësua nga juria ndërkombëtare në seksionin “Meridiana”, duke vënë theksin veçanërisht në interpretimin e Drita Kaba Karagës në rolin e Franit.

“Ishte veçanërisht e vështirë për jurinë të zgjidhte mes shumë interpretimeve femërore të një niveli shumë të lartë”, thuhet mes të tjerash në vlerësimin e jurisë.

Juria e kryesuar nga regjisori dhe shkrimtari Roberto Andò dhe e përbërë nga Diana Martirosyan (kritike filmi dhe gazetare kulure nga Armenia), Giovanni Orlando (producent filmi dhe televizioni nga Shtetet e Bashkuara), Fatma Sfar (aktore, muzikante dhe performuese nga Tunizia) dhe Ahmed Shawky (kritik filmi dhe president i FIPRESCI nga Egjipti), e cilësoi interpretimin e Karagës si një portretizim të fuqishëm dhe kompleks të një personazhi që sfidon normat, mes identitetit dhe ndjenjës së amësisë.

Performanca e saj u konsiderua si një nga pikat më të forta të festivalit, “në vlerësim të punës së një aktoreje të aftë të sjellë një personazh jashtëzakonisht kompleks me një thjeshtësi çarmatosëse.”

“Burri i shtëpisë” ka në qendër të tij historinë e një burrneshe të vendosur në kushtet e një shoqërie moderne të një Shqipërie që ndryshon dita-ditës. 

Për ndërtimin e karakterit të Franit, regjisori Murataj ka zgjedhur që në fillim aktoren Drita Kaba-Karaga nga Maqedonia e Veriut, duke e parë personazhin të lidhur me aftësitë e jashtëzakonshme psiko-fizike dhe mjeshtërinë e lartë interpretuese të aktores.

Të tjerë çmime që u ndanë në edicionin e 17-të të Bif&st shkuan për: “Sorda - Heshtja e të Tjerëve” me regji nga Eva Libertad, një vepër që juria e vlerësoi për trajtimin e ndjeshëm të diversitetit dhe marrëdhënieve familjare, që u vlerësua si filmi më i mirë dhe për aktorin më të mirë. Çmimi për regjisoren më të mirë iu dha Hafsia Herzi për filmin “The Littlest”, ndërsa aktorja Doha Ramadan u vlerësua për interpretimin e saj në “Happy Birthday”.

Festivali i filmit në Puglia ka si drejtor artistik Oscar Iarussi-n. Këtë vit ai numëroi mbi 50 mijë pjesëmarrës dhe konfirmoi edhe një herë rëndësinë e tij si një platformë ndërkombëtare për kinemanë, duke sjellë histori që nxisin reflektim dhe dialog kulturor.