Final 4/ Egnatia dhe Vllaznia 'shterpë' në 'Air Albania', rrogozhinasit gjejnë Partizanin në finalen e Superligës

Final 4/ Egnatia dhe Vllaznia 'shterpë' në 'Air Albania', rrogozhinasit gjejnë Partizanin në finalen e Superligës

Egnatia 0-0 Vllaznia

TIRANË - Egnatia barazoi 0-0 kundër Vllaznisë në gjysmëfinalen e dytë të "Final 4", zhvilluar këtë të diel në "Air Albania". Rrogozhinasit e Edlir Tetovës kanë marrë të drejtën për në finalen e madhe të titullit kampion, aty ku në datën 26 maj në orën 19:00 po në "Air Albania" gjejnë Partizanin.

Egnatia kaloi më tej edhe falë barazimit, pasi në sezonin e rregullt u rendit më lart (1) se Vllaznia (3). Tanimë Superliga ka mësuar se Egnatia - Partizani do garojnë për titullin kampion në një ndeshje që mund të shkojë më shumë se 90 minuta. Skënderbeu - Vllaznia do duelojnë më 24 maj në kryeqytet për vendin tre dhe katër.

Ndeshja/ Dueli në "Air Albania" nisi me kujdesin e dy skuadrave për mos pësuar. Me ngacmime të vogla, Egnatia iu afrua portës së Qarrit në minutën e 18-të ku edhe shënoi me Zejnullain, por ndërhyrja e VAR bëri që festa për rrogozhinasit të "ngrinte" për një prekje me dorë nga Ibrahimoglu.

Vllaznia kishte mundësitë e saj, por prapavija e ndërtuar nga Edlir Tetova nuk "futi ujë" në këtë duel. Fundi i ndeshjes ishte emocionues, me Montenegron që shënoi për Egnatian, por sulmuesi ndodhej në pozicion jashtë loje.

Më pas radha ishte për shkodranët, që me Ajdarevic dhe Balaj tentuan golin, aq shumë të dëshiruar. Në fund Arbin Zejnullai bëri "me zemër" të gjithë tifozët kur gjatë një dyluftimi u rrëzua keq, me autoambulancën që u fut në fushë.

Disa çaste në tokë për mesfushorin, që më pas u ngrit dhe doli nga fusha me këmbët e veta duke qetësuar të gjithë të pranishmit. Kështu, Egnatia gjen në finalen e titullit kampion Partizanin edhe falë renditjes në vendin e parë të sezonit të rregullt, teksa te Vllaznia nuk mjaftojnë 23 vitet e pritjes për titullin në Superligë, pasi as këtë herë lojtarët e drejtuar nga Thomas Brdaric s'ia dolën të dërgonin trofeun në Shkodër.

Ndeshjet "Final 4"

Gjysmëfinalja e parë 17 maj 20:00/ Partizani 1-0 Skënderbeu

Gjysmëfinalja dytë 19 maj 20:00/ Egnatia* 0-0 Vllaznia

Finalja për vendin tre/katër 24 maj 'Air Albania' 19:00. / Skënderbeu - Vllaznia

Finalja më 26 maj në ‘Air Albania’, 19:00. / Egnatia - Partizani

Formacionet:

Egnatia: Sherri, Fangaj, Dulis, Malota, Xhemajli, Ndreca, Aleksi, Zejnullai, Fernando, Ibrahimoglu, Montenegro Trajner: Edlir Tetova

Vllaznia: Qarri, Smajli, Juriç, Stojanoviç, Hakaj, Krymi, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Gruda, Balaj Trajner: Tomas Brdariç

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:43
Egnatia siguroi finalen, Edlir Tetova: Vllaznia s'na vuri në presion! Thomas Brdaric: Fillim i keq për ne


Egnatia dhe Vllaznia barazuan 0-0 në gjysmëfinalen e dytë të Final 4, me rrogozhinasit që kalojnë më tej për shkak të renditjes më të mirë në sezonin e rregullt dhe do diskutojnë titullin kampion të Superligës në finalen me Partizanin. Ndeshja e "Air Albania" zhvillohet më 26 maj në orën 19:00.

Pas ndeshjes për mediet folën dy trajnerët. Edlir Tetova i Egnatias dhe se Vllaznia nuk i vendosi në presion.

"I kërkova skuadrës të mos nxitonte te qarkullimi i topit, Vllaznia nuk po na vinte shumë në presion, dozat e emocionit janë shumë të forta te këto ndeshje. U munduam që Fangaj të luante nga brenda që t’i jepnim Montenegros hapësirë, por nuk ndodhi, kishte lodhje. Në pjesën e sulmit është i vetmi sulmues që kemi momentalisht dhe ishim të detyruar ta mbanim në fushë.

Nuk mendoj fare për presion në këtë 90 minutësh, iu kërkova çunave të luanin, ta shijonin ndeshjen dhe të kënaqeshin dhe kështu ndodhi. Ndaj Partizanit do të jetë ndeshje e kundërt, Vllaznia bën ndeshje të hapura, do të jetë një finale për t’u shijuar nga të gjithë. Dozat e gëzimit janë, nuk është se morëm një trofe, por kjo është natyra ime. Do t’i çoja një mesazh një personi, do të thoja vetëm “ik re”, u shpreh Tetova.

Ndërkohë Thomas Brdaric i Vllaznisë tregoi se të tijtë i bënë një nisje të keqe ndeshjes.

"Sot nuk shënuam. Nisja ishte e keqe. Luajtëm me një lojtar më pak për disa minuta. Fillimi nuk mund të ishte më i keq. Ne donim të shënonim në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ndryshuam pak. Provuam të kishim lojtarë të freksët në fushë për të shënuar.

Na duhej të shënomin. Por në fund të ditës, 0-0 nuk ishte e mjaftueshme. Duhet ta përgëzojmë Egnatian. E merituan të shkonin në finale. Patëm 3-4 raste për të shënuar. Por kur nuk gjen portën…Në këto ndeshje 1-2 aksione vendosin ndeshjen. Pas ndeshjes nuk dua të gjej justifikime. Ekipi ishte i përgatitur mirë për sot. Patëm shumë probleme sot, në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë.

Nga njëra anë, duhet të shohim veten tonë. Nëse duam të luajmë, duhet të luajmë shumë mirë. Sot nuk mjaftoi. Ne mund të bëjmë më mirë. Të gjithë ishin gati, nuk patëm dëmtime. Kush e fiton kampionatin? Nuk ka asnjë rëndësi për mua. Më besoni, jam i përqendruar te ekipi im. Nuk kam asnjë ide se cili do ta fitojë. Tani e kam mendjen pak bosh", tha Brdaric.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren