Në fakt zgjidhja i referohet vetëm financimit të partive dhe vjen nga ndërkombëtarët.
Ekspertë të Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe OSBE-së nën këshillën juridike të një prej ekspertëve më të mirë të zgjedhjeve, Ilir Rusmajli kanë gati një formular të ri të deklarimit të financave të partive.
Formular i cili mund të miratohet thjeshtë nga KQZ pa qenë nevoja të ndryshohet Kodi Zgjedhor, i pamundur përë t’u bërë pa opozitën.
Por çfarë formulari për t’i shtrënguar partitë të mos gënjejnë kur flasin për shifrat e fushatës.
Së pari, çdo finacim privat duhet të jetë i shoqëruar krahas identitetit të dhurueseit dhe numrit të llogarisë bankare (siç është bërë deri më tani), me numrin e kartës së identitetit, telefonit, adresës së tij.
Po ashtu duhet të jepen gjeralitetet dhe kontaktet të personit që ka tërhequr këtë donacion. Çka bën të kuptohet se në rast dyshimesh KQZ mund të kontaktojë me këta persona për verifikime.
Më të detajuara bëhen dhe shpenzime të cilat tashmë nuk mund të jenë thjesht me zëra, të tipit flamuj, banderola etj.
Por partia duhet të depozitojë çdo faturë, identitetin dhe kontaktet me shitësin, madje dhe kartën e indetitetit të këtij të fundit.
Ky propozim gjeti përkrahjen e kryetarit të KQZ-së dhe bashkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Taulant Balla.
Komsioni i reformës zgjehdore ka kohë deri në 9 prill për të ndryshuar Kodin Zgjedhor.
Në amendamentet e saj depozituar në kuvend që në dhjetor të vitit të kaluar, Partia Socialiste propozonte reduktim të financimeve nga buxheti i shtetit, reduktimimi i hapësirave të vendosjes së posterave dhe flamujve elektoral si dhe kohës së transmetimit të reklamave politike në televizione.
Ndërsa, LSI kishte propozuar dënimin me burg për blerjen votës duke e quajtur këtë vepër krim dhe jo kundravajtje penale. Po të gjitha këto ndryshime që kërkojnë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor e Penal, sipas gjasave nuk do të zbatohen kurrë për 18 qershor.
Balla: Vjedhja e votës, ashpërsim të Kodit Penal
Bashkëkryetari socialist i komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, ka paralajmëruar ndryshime në Kodin Penal për të ashpërsuar vjedhjen e votës.
Gjatë një tryeze me Shoqërinë Civile, përfaqësues ndërkombëtarë dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Balla theksoi se komisioni ka afat deri në datën 9 prill për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Balla tha se amendamentet që priten të miratohen janë ato për reduktimin e shpenzimeve të fushatës me ligj, reduktimin e zyrave elektorale si dhe forcimin e masave ligjore ndaj vjedhësve të votës.
"Deri më sot, financat e partive dhe shpenzimet e fushatave, kanë qenë larg atyre që deklarohen. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka afat deri në datën 9 prill. Kemi amendamente në Kod dhe ligjin për partitë. Kemi ende dy javë kohë për të reduktuar shpenzimet e fushatës me ligj.
Kolegët e PD-së janë përpjekur ta bëjnë qesharake këtë.
Gjithashtu nevojitet reduktim i plotë i numrit të zyrave elektorale. Ndryshime në Kodin Penal për ndëshkime të krimeve elektorale. Edhe ndonjë kandidat që i shpëton rrjetës së dekriminalizimit, e ka të sigurt se deri sa të marrë mandatin do e kapë rrjeta prapë", u shpreh Balla.