Financat: Ministria e Integrimit
Bregu ka devijuar fondet

Financat: Ministria e Integrimit<br />Bregu ka devijuar fondet
TIRANE - Një raport i ekipit monitorues të drejtorisë së Buxhetit pranë ministrisë së Financave lidhur me realizimin e fondeve buxhetore në periudhën janar-shtator 2012 tregon se ministria e Integrimit ka devijuar për tre tremujorë të vitit të kaluar fondet, duke favorizuar paga e dieta, ndërkohë që ka mosrealizime të ndjeshme për objektivin e saj kryesor.

Në raport thuhet se “ndërkohë që nuk ka ndryshime në strukturën e programeve ndërmjet parashikimeve sipas buxhetit fillestar dhe buxhetit me ndryshime për këtë periudhë të vitit 2012, në realizimin faktik të shpenzimeve, deri në fund të 9-mujorit, konstatohen shmangie të medha nga buxhetimi për dy programet e para. Ndërsa në planifikim programi ‘Planifikim, menaxhim, administrim’ përfaqësonte rreth 13.6% të totalit të shpenzimeve të planifikuara, në fakt, në fund të 9-mujorit, ky program përfaqëson rreth 38.9% të totalit të shpenzimeve faktike, me një rritje prej rreth +25.3 pikë përqindjeje. Në të njejtën kohë pesha specifike e shpenzimeve faktike në programin ‘Mbështetja institucionale në procesin e integrimit’ është ulur me rreth 29.5 pikë përqindjeje, krahasuar me buxhetimin. Këto deviacione duhet të shpjegohen nga ana e drejtuesve të programeve në relacionin shoqërues të këtij raporti monitorimi”, thuhet në të.

Pra, fonde që duhej të shkonin në favor të mbështetjes institucionale për integrimin, që është edhe objekti kryesor pse ekziston ky dikaster, në fakt shkojnë për të rritur pagat e dietat e punonjësve të saj. Ky është rezultati i “devijimit” të buxhetimit, siç e quajnë me termin profesional monitoruesit e Financave.

Krahasuar me totalin e shpenzimeve vjetore të akorduara nga buxheti, rezulton se për programin e shpenzimeve administrative përqindja e realizimit të shpenzimeve është relativisht e lartë, rreth 77%, ndërkohë që për dy programet e tjera “Drejtësia dhe Tregu i Brendshëm” dhe “Mbështetja institucionale në procesin e integrimit”, kjo përqindje rezulton shumë e ulët, përkatësisht rreth 34.4% dhe 15.8%. Shkak për këtë, theksojunë ekspertët e ministrisë së Financave ka qenë mosrealizimi i investimeve me financim te huaj. Një gjë e tillë ka ndikuar në realizimin shumë të ulët të shpenzimeve të përgjithshme të kësaj ministrie për 9-mujorin 2012, në rreth 26.8 për qind të vjetorit, në një periudhë që mbulon dy të tretat e vitit në kohë.

Gjithashtu, në raport shtohet se shpenzimet korente paraqiten në  performance relativisht të mirë, ndërsa “shpenzimet kapitale në një nivel shumë të ulët”. Në programin “Mbështetja institucionale në Proçesin e Integrimit”, ky nivel është 4.7% dhe në programin “Drejtësia dhe Tregu i Brendshëm”, zero për qind.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Armëpushimi në  Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00

Media: Armëpushimi në Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00