Financat: Sistemi aktual i pagave në administratë, me risk të lartë

Financat: Sistemi aktual i pagave në administratë, me risk të lartë

Foto ilustruese

Sistemi aktual i pagave të administratës publike, menaxhimi i aktiveve, burimeve njerëzore, krijimi i detyrimeve ndaj privatit janë disa nga fushat e veprimtarisë së institucioneve shtetërore, të cilat vlerësohen me risk të lartë për mbarëvajtjen e aktivitetit normal, ndërkohë që dëmtojnë edhe planifikimet e buxhetit. Këto janë vetëm disa nga konkluzionet, në të cilat ka arritur qeveria, pas analizës së raporteve të auditimit në entë të ndryshme publike. Këto konkluzione janë pasqyruar së fundmi edhe në Ligjin për Buxhetin Faktik të vitit 2017, i cili është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është dekretuar nga presidenti Ilir Meta.

Pagat
Sipas auditimeve, sistemi i pagave, shpërblimeve, trajnimeve dhe komisioneve vlerësohet të jetë në një nivel të lartë risku, që lidhet me shmangiet e konstatuara gjerësisht në zbatimin e procedurave ligjore të kërkuara për këtë qëllim. Si difekte serioze përmenden mungesa e rregulloreve të brendshme, mospërcaktimi i qartë i detyrave dhe përgjegjësive për çdo pozicion pune. Moskryerja e kontrolleve të mjaftueshme dhe të efektshme ka sjellë, madje, rritjen e rasteve të shkeljeve dhe pagesave të parregullta për personelin e administratës publike, pagesat për orët mbi kohën normale të punës, shpërblime, trajnime e dieta.

Asetet 
Në fushën e administrimit të aseteve në dispozicion të institucioneve shtetërore, sërish vlerësohet një mangësi me risk të lartë. Janë konstatuar në këtë fushë problematika të tilla, si asete të dhuruara pa pagesë, pa regjistrimin e parashikuar nga ligji në regjistrat e posaçme të aktiveve të trupëzuara sipas bashkive, mosregjistrim pranë hipoketave, mungesë e një regjistri të aseteve, mospajisje me certifikata pronësie të aktiveve afatgjata material.

Punonjësit
Audituesit vlerësojnë me risk gjithashtu të lartë mënyrën se si trajtohen burimet njerëzore në administratën publike në Republikën e Shqipërisë. Kështu, si fenomene të përhapura dhe të përsëritura konstatohen rekrutimi i punonjësve jo në përputhje me kërkesat ligjore lidhur me aftësinë dhe nivelin e kërkuar të kualifikimeve. Këtyre iu shtohen edhe mangësi serioze si mungesa e rregulloreve për proceset kryesore të punës (ndarja e detyrave), që shoqërohen me mungesën e kontrolleve të brendshme.

Detyrimet
Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, nisur edhe nga niveli aktual i tyre, përbën një problem shumë serioz dhe risk të madh. Ky fenomen është hasur, sipas raportuesve, në një numër të konsiderueshëm institucionesh publike, si në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, atë të Drejtësisë dhe tashmë edhe në pushtetin vendor. 

Privatizimet dhe qiratë
Sistemi i privatizimit, shitjes, qiradhënies së pronës publike është konsideruar gjithashtu me risk, duke qenë se shpesh mungojnë gjurmët e dokumentuara për dhënie me qira, zbatim të detyrimeve për pagesat e qirave dhe kamatvonesave përkatëse, kontrolle për mënyrën e përdorimit të pronës publike nga të tretët sipas kontratave, etj.

Prokurimet
Në nivel të lartë risku mbetet gjithnjë procedura e prokurimeve nga ana e administratës publike. Në këtë sistem ka mangësi të theksuara në drejtim të përzgjedhjes së ofertës më të leverdisshme, anulimin e procedurave, copëtime të fondeve për të shmangur tenderat për mallra apo shërbime që përfshihen në një grup apo emërtim. Problematika të tilla janë hasur në institucionet në vartësi të ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Spitalit të Traumës në Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, etj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë