Pavarësisht se bizneset deklarojnë si kosto të rritur, pagat më të larta për punonjësit, shifrat e Institutit të Statistikave tregojnë të kundërtën. Pagat në sektorin privat në vend kanë mbetur në vendnumëro, madje në raport me tremujorin e tretë të vitit që përkon me sezonin veror ato janë ulur.

Gjatë tremujorit të tretë 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 83.300 lekë nga 83.906 lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit.

E gjithë kjo ulje e pagës ka ardhur prej sektorit privat. Pas reformës së pagave për administratën publike, në vitet 2023 -2024, hendeku mes pagës mesatare në shtet dhe asaj në privat, është thelluar. Paga mesatare në shtet nga 74 mijë lekë në 2022-shin, ka arritur në 100 mijë lekë. Ndërsa në privat në shtator paga mesatare ishte 76.3 mijë lekë nga 77 mijë lekë në qershor të 2025-ës.

Të dhënat e INSTAT nxjerrin në pah edhe pabarazinë e theksuar mes sektorëve të ekonomisë, ku biznesi me numrin më të madh të punonjësve ka paga më të ulëta se mesatarja kombëtare.

Kështu, bujqësia mbetet sektori më i nënpaguar, ku paga mesatare e punonjësve përllogaritet në 55.889 lekë, ndjekur nga sektori i ndërtimit me 68.277 lekë, më pas vjen tregtia, transportit dhe turizmit me një mesatare prej 68.349 lekë si dhe industria me rrogë mesatare në fund të shtatorit në vlerën 69.968 lekë. Pra sektorët me numrin më të madh të të punësuarve kanë pagat më të ulta.

Pavarësisht aksioneve kundër nëndeklarimit të pagave nga bizneset, apo caktimit të referencave për rrogat në sektorin e turizmit apo edhe rritjes së tyre të detyruar të pagave për shkak të mungesës së punonjësve, shifrat e INSTAT, tregojnë se pjesa më e madhe e punonjësve nuk e arrijnë pagën mesatare as të përgjithshme dhe as mesataren e sektorit privat. 48% e të punësuarve', thotë INSTAT paguhen deri në 60 mijë lekë.

Për të luftuar fenomenin negativ të pagave të nëndeklaruara, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve miratoi paga reference për turizmin në verë, si dhe do të vijojë me aksionin edhe në vitin e ardhshëm me fokus kryesor në sektorin e ndërtimit.

Në Shqipëri rezultojnë rreth 1.1 milionë të punësuar por nga këto vetëm 771 mijë janë me sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Ndërkohë kemi 104 mijë shqiptar të papunë, nga të cilët më shumë se 67 mijë qytetarë janë regjistruar pranë zyrave të punës si punëkërkues. Por si paradoks, teksa mijëra qytetarë kërkojnë punë, bizneset ankohen për mungesë stafi e kanë shpallur 6 mijë vende të lira pune.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:57
Debat mes ekspertëve, Çoçoli: Nëndeklarimi krim ekonomik! Zekja: Pagat janë rritur deri 30%, biznesi nuk është ‘kriminal’

 

Diskutimi nëse bizneset po deklarojnë apo jo pagat reale, u shoqërua me debate në studion e Report TV. Florian Zekja Koordinator i shoqatës “Pro-Eksport”, thotë se bizneset nuk mund të anatemohen duke thënë se po mashtrojnë me pagat.

Sipas tij sektori i manifakturës pavarësisht sfidave me të cilat vijon të përballet, ka vijuar ti rrisë pagat e punëtorëve me deri 30% gjatë viteve të fundit.

“Në radhë të parë biznesi nuk mashtron. E dyta biznesi nuk bën punë kriminale, por është ai që çon ekonominë përpara. Pagat siç e dimë normalisht nuk vendosen as nga qeveria por as nga gjendja ekonomike. Ato vendosen nga një treg i lirë i cili po të shohim dy vitet e fundit treg, sidomos pas pandemisë biznesi në përgjithësi ka bërë një rritje të pagave deri në 30%, ku këtu mund të përmend sektori manifakturës që pati një situatë shumë të mirë, por pastaj 2023 filloi një rënie e  prodhimit dhe të gjithë problematikave dhe tani ka një problematikë tjetër që nuk e thotë asnjëri që biznesi i manifakturës vetëm nga këmbimi i euros ka pasur një rënie prej 25-30%”, thotë Zekja.

“Biznesi është engjëll dhe paguan rregullisht pagat njësoj sa i deklaron në tatime apo paguan më pak”, pyet Çoçoli.

“Biznesi nuk është engjësll por nuk është as djalli. Biznesi ka ato problematika të cilat kanë të gjithë bizneset në gjithë botën por nuk është kriminel biznesi”, thotë Zekja.

“Është kriminel kur trukon pagat”, ndërhyn Çoçoli.

“Biznesi i eksportuesve po bën diçka heroike, biznesi manifakturës punëson 70.000 veta, i ka mbi kurriz, sepse e gjithë kjo rënie e euros artificiale e krijuar nga shumë faktorë po e përballon biznesin. Kështu që biznesi është bërë mur gome duke mbrojtur, duke mbajtur përsipër të gjithë problematika që ka ekonomia shqiptare të cilat vijnë nga problematika të tjera”, shprehet Zekja.

Ora 18:56
Gati 50% e të punësuarve nuk e arrijnë pagën mesatare/ Eksperti Fatos Çoçoli: Këto nuk janë rroga reale, ‘trukohen’ nga biznesi

 

Për nivelin e ulët të pagave eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli jep dy arsye kryesore.

“Gjëja e parë është që numri i vendeve të reja të punës me pagë të lartë siç është vendi i ri i punës në sistemin bankar apo në teknologjinë e informacionit për elektronikën është pak më i ulët relativisht. Arsyeja e dytë është pikërisht edhe trukkimi i pagave në zonat, në sektorët që për ne vazhdojnë të kenë rritje. Ne e dimë që ushqimi kryesor i rritjes sonë edhe për këtë vit janë dy. Është turizmi, por është edhe ndërtimi”, thotë Çoçoli

Sipas tij shifrat e pagave të deklaruara nga bizneset nuk janë reale, pasi ato trukohen nga biznesi për shkak se duan të shmangin kostot që kanë nga tatimi dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore.

'Sipërmarrësit tanë e kanë më të lehtë të mashtrojnë shtetin, t'i japin një shifër të gabuar të asaj që japim. Për shembull ti je punëdhënëse dhe unë jam punëmarrësi dhe kërkoj një vend pune dhe më thua që po do të marrësh 900.000 ALL të vjetra në muaj shtetit do t'i deklarojmë 600.000. Ti edhe nuk paguan një pjesë të sigurimeve shoqërore që ke ti dhe përfiton shumë më tepër ti. Pra është një marrëveshje paraprake”, thotë Çoçoli.

Por ulja e deklarimit, ndikon automatikisht edhe në nivelin mestar të rrogave në vend, si dhe dëmton punëmarrësin pasi ulet vlera e kontributeve për pensionin.

“Kostoja është e jashtëzakonshme. Krimi ekonomik është shumë i rëndë. Pse? Sepse ti praktikisht po minon skemën e pensioneve të vendit tënd. Tregu i punës vazhdon të jetë dukshëm shumë më informal sesa ai në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi”, thotë Çoçoli.

Me faj për këtë situatë Çoçoli bën edhe inspektoratet.

“Kemi 15 inspektorate që i mbajmë me taksat tona dhe këta duhet të bëjnë të pamundur ta bëjnë ambient antibiotik për çdo sipërmarrje që të mos trukojë paka. E dinë që të trukojnë, por ngaqë marrin diçka nën dorë, një pjesë e mirë e tyre ndodhemi në këtë situatë”, tha Çoçoli.

Nëndeklarimi është ngritur si shqetësim serioz edhe në Progres Raportin e KE për Shqipërinë, të publikuar në nëntor.

“Punësimi joformal mbetet një problem me shumë punëtorë që nuk kanë kontrata formale, pa sigurime shoqërore dhe mbrojtje ligjore, ndërsa nënraportimi i pagave është i përhapur, duke gërryer pensionet. Bashkëpunimi trepalësh midis Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale, sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve mbetet i dobët”, thuhet në progres raport.