Financat zbulojnë planin, jo më
vendosje kushtesh nga FMN-ja

Financat zbulojnë planin, jo më<br />vendosje kushtesh nga FMN-ja
Qeveria shqiptare parashikon të ndryshojë nivelin e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke e kaluar atë nga marrëdhënie që përcaktohen nga një marrëveshje detyruese-kushtëzuese, në monitorim dhe këshillim.

Këtë e ka bërë dje të ditur në një intervistë televizive ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Sipas tij, ka qenë puna e mirë që është bërë nga administrata shqiptare për të zbatuar reformën makro-fiskale ajo, që ka çuar dikasterin e tij të propozojë një ndryshim të tillë.

Marrëveshja trevjeçare mes shtetit shqiptar dhe FMN përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm.

Nuk do të ketë një marrëveshje të re të tipit të artikullit tre, pra një marrëveshje detyruese kushtëzuese. Do të preferonim të kishim një marrëveshje të bazuar në artikullin katër, pra thjesht një monitorim dhe këshillim edhe për një arsye se reforma makrofiskale tashmë i ka njohur sukseset e veta”, tha Ahmetaj. Qeveria kërkon më shumë hapësirë buxhetore për 2017-ën, pasi duhet të financojë programin e reformave: “Është reforma në drejtësi, është reforma e decentralizimit, reforma e ujit dhe reforma në administratën publike, që përfshin sigurisht rritjen e pagave dhe pensioneve”, tha ministri. Duke shtuar se gjithsesi do të vijojë politika e uljes së borxhit publik, deficitit buxhetor, duke garantuar një rritje mbi 3.5 për qind në vit.

Një shenjë për këtë vendim kreu i Financave publike e kishte shfaqur që më 11 tetor, kur deklaroi tek Zëri i Amerikës, pa dhënë shumë detaje, se bashkëpunimi me institucionin më të rëndësishëm financiar do të vijojë. “Është shpejt për të menduar se çfarë lloj marrëveshjeje do të kemi vitin tjetër me FMN, por një gjë është e sigurt: ne do të vazhdojmë punën me FMN, ndoshta në një marrëveshje politikash”.
 
Marrëveshja
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi pak muaj më parë rishikimin e tetë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë sipas marrëveshjes Extended Fond Facility. Përfundimi i rishikimit mundësoi lëvrimin e menjëhershëm të rreth 35.9 milionë eurove, duke i çuar disbursimet totale sipas marrëveshjes në 298.3 milionë euro.

Në deklaratën zyrtare për mediat Fondi njoftoi se kriteret e performancës janë plotësuar dhe gjithashtu është arritur progres në axhendën e reformave strukturore. Rimëkëmbja ekonomike është mbështetur nga investimet e mëdha që kanë të bëjnë me energjinë dhe nga rimëkëmbja graduale e kërkesës së brendshme. Deficiti i llogarisë korente është zgjeruar, por nga ana tjetër, inflacioni po rikuperohet.

Fondi vuri në dukje se, pavarësisht lehtësimit të konsiderueshëm monetar, rritja e kredisë mbetet e ngadaltë, duke u kufizuar nga kreditë e këqija. Gjithashtu, FMN rekomandoi që politika e autoriteteve duhet të vazhdojë të përqendrohet në rregullim fiskal, duke mbështetur rritjen nëpërmjet lehtësimit monetar.

Një strategji e bazuar në zgjerimin e bazës tatimore, përmirësimin e mbledhjes së taksave si dhe zbatimin e reformave strukturore do të ndihmojë në uljen e borxhit, duke krijuar kështu hapësirë për shpenzime publike më produktive.

Bordi Ekzekutiv miratoi një marrëveshje 36-mujore nën EFF për Shqipërinë në 28 shkurt 2014, me një shumë 370 milionë euro.

Kjo marrëveshje solli në nivelin e mëparshëm marrëdhëniet e institucionit me Shqipërinë, pas vendimit të qeverisë Berisha për të mos rinovuar marrëveshjet e vazhdueshme të deriatëhershme dypalëshe, për të patur një liri më të madhe për shpenzime apo politika fiskale. Por kjo solli, jo vetëm rritjen jashtëzakonisht të lartë të borxhit publik, por edhe një situatë të pazakontë, ku shteti u detyrohej kompanive të kontratuara private rreth 700 milionë dollarë, që nuk u paguante për vite me radhë.

Qeveria Rama, siç kishte premtuar edhe para se të vinte në pushtet, rilidhi marrëdhëniet detyruese me FMN duke arritur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura përmes kredisë me kushte shumë të favorshme, por gjithashtu u vu nën kontrollin e një “mësuesi” të rreptë për çdo hap që kishte lidhje me politikat fiskale.

Tani që po troket viti 2017, gjatë të cilit do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, qeveria duket se kërkon të ketë duart e lira për të bërë shpenzime, për të cilat FMN-ja ndoshta nuk do të ishte dakord. 
 
Arben Ahmetaj
“Me Fondin Monetar nuk do të ketë një marrëveshje të re detyruese kushtëzuese. Do të preferonim të kishim një marrëveshje të bazuar në artikullin katër, pra thjesht një monitorim dhe këshillim, edhe për arsyen se reforma makrofiskale tashmë i ka njohur sukseset e veta”

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Doçi në ‘Repolitix’: Shkëlzeni sekser, mori 700 mijë euro nga biznesmenët se i favorizoi te Berisha! 400 mijë euro fatura fiktive të Argitës

Doçi në ‘Repolitix’: Shkëlzeni sekser, mori 700 mijë euro nga biznesmenët se i favorizoi te Berisha! 400 mijë euro fatura fiktive të Argitës