Firma e Ben Blushit për djegien e
plehrave në furrat e Becchettit

Firma e Ben Blushit për djegien e<br />plehrave në furrat e Becchettit
Deputeti Ben Blushi e ka konsideruar ligjin e mbetjeve si fundin e bashkëjetesës së tij me Partinë Socialiste. Duke kundërshtuar këtë ligj, Blushi ka shpallur dje zyrtarisht largimin e nga Partia Socialiste. Deputeti mund të listonte një mijë arsye, madje edhe nga më banalet, por vetëm ligjin e mbetjeve jo, si shkak për t’u divorcuar me PS.

Nuk mund të përdorte mbetjet për arsyen e thjeshtë se, historia e makthit të plehrave në Shqipëri ka nisur pikërisht me një firmë të deputetit Ben Blushi, 12 vjet më parë. Ky i fundit është personazhi më i kompromentuar në historinë e mbetjeve, madje.

ben blushi firma

Si nisi historia e mbetjeve  
Gjithçka ka nisur 12 vjet më parë, ku Francesco Becchetti tentoi të sillte plehrat e Italisë në Shqipëri. Shqiptarja.com zbardh dokumentin që konfirmon se, 12 vjet më parë, Ben Blushi, i mbështetur nga Fatos Nano, ishte nismëtari që tentoi t’u hapte rrugë plehrave të Italisë, të cilat do të digjeshin në Shqipëri. Konkretisht, në vitin 2004, Ben Blushi, si ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, ka firmosur marrëveshjen me Francesco Becchettit, për ngritjen e furrave të djegies së plehrave në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua mes shtetit shqiptar dhe firmës “ALBANIABEG AMBIENT” sh.p.k, me administrator Francesco Becchetti. Investimi parashikohej 180 mijë euro. Kompania do të importonte 208 mijë ton plehra në vit, por detyrimi i koncensionarit në kontratë theksohej që, nuk mund të kalojë 4 000 000 ton mbetje të ngurta urbane.

Koncesioni i përfolur
Objekti i koncesionit që ngriti Shqipërinë në protesta ishte ndërtimi një qendre për venddepozitimin e mbetjeve, për përpunimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave të ngurta urbane si dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Fabrika do të ngrihej në një zonë mes Tiranës dhe Durrësit. Konkretisht, impianti do të ngrihej në zonën e Kasharit. Skenari për ta kthyer Shqipërinë në një vend toksik nuk funksionoi, por për shkak të firmës së Blushit, sot Becchetti i kërkon shtetit shqiptar 150 milionë euro dëmshpërblim. Me ana të një procesi të hapur në Arbitrazh, Becchetti pretendon se prishja e marrëveshjes nga qeveria shqiptare i ka sjellë atij një dëm prej 150 milionë euro.

Importimi
Marrëveshja parashikonte importin e plehrave në Shqipëri. Neni 9 i marrëveshjes së firmosur nga Ben Blushi parashikonte që koncesionari mund të importonte për vlerësim në impiant pjesë të thana të mbeturinave të parrezikshme, në përputhje me klasifikimet e katalogut europian të mbetjeve, me prejardhje ekskluzivisht nga vende të Komunitetit Evropian në një sasi, mbetjet e së cilës, mbas rafinimit në venddepozitim, të jetë e barabartë me 39 % të vëllimit efektiv të impiantit të venddepozitimit të Kasharit. Ndërkaq, sipërfaqja e sistemit ishte parashikuar 597.65- m2.

Djegie plehrash për 25 vjet
Marrëveshja parashikonte djegien e mbeturinave që do të vinin nga jashtë në Shqipëri për 25 vjet me radhë. “Koncesionari mund të importojë edhe pjesë të djegshme mbeturinash të parrezikshme, në përputhje me katalogun evropian të mbeturinave, ekskluzivisht nga vende të Komunitetit Evropian për sasi nga 9-t/d në 140 t/d për 340 ditë në vit, për të paktën 25 vjet nga mbarimi i ndërtimit të impiantit. Në veçanti koncensionari do të importojë pjesë djegëse të mbeturinave të parrezikshme, në përputhje me nenin 17 të Dekretit Legjislativ 29.12.2003 nr. 387 “Zbatimi i direktivës 2001/77/CE që i përket promovimit të energjisë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme në tregun e brendshëm të energjisë, me prejardhje nga Italia”, thuhet në marrëveshje.

Detyrimet e qeverisë
Qeveria angazhohej për t’i krijuar një sërë lehtësirash koncensionarit. “Angazhohet se në rast paraqitje kërkese për dhënie me koncesion për projekte të reja, të trajtojë koncesionarin e kësaj marrëveshjeje si ngociator të parë. Të furnizojë linjën telefonike dhe elektrike për kantierin dhe impiantin në limitet e përcaktuara në projekt. Të sigurojë prioritetin e kalatave të portit si dhe të zonave portale në brendësi të tij për depozitimin e përkohshëm të kontenierëve që do të përmbajnë mbeturina”, thuhet në marrëveshje.

Kushti
Sipas paktit, koncesionari ishte i detyruar fillimisht që të asgjësonte mbeturinat e ngurta urbane të qarqeve Tiranë dhe Durrës, me kosto zero për 10 vjet, duke filluar nga data e kolaudimit të impiantit. “Detyrimi i koncesionarit nuk mund të kalojë 4 000 000 ton mbetje urbane të ngurta në vit. Është parashikuar gjithashtu një rritje e popullsisë në këto qarqe në këto qarqe në masën 20 për qind”, thuhet në marrëveshje.

Kontrata u prish
Nënshkrimi i koncensionit që lejonte Bechettin të digjte plehrat italiane në Shqipëri, në atë kohë pasoi me debate në qeveri. Pasi Blushi e kishte firmosur, të tjerë kishin menduar ndryshe. Blushi firmosi për furra që do të digjnin mbeturina dhe groposjen e plehrave. Bashkëpunëtorë të afërt me Blushin në Ministrinë e Çështjeve Vendore të vitit kur ai ishte ministër, thonë se tërheqja e Blushit erdhi si rezultat i një pazari të prishur. Sipas bashkëpunëtorëve të afërt, pasi Blushi kishte hedhur firmën, italiani nuk kishte mbajtur fjalën e dhënë për “kontratën nën tavolinë” me Blushin Blushit. Sot italiani Bechetti po shfrytëzon pikërisht firmën e Ben Blushit për t’i kërkuar shtetit shqiptar dëmshpërblim.
 
Dokumente
Zbardhet marrëveshja që konfirmon se 12 vjet më parë, Ben Blushi, i mbështetur nga Fatos Nanon, ishte nismëtari që u hapi rrugë plehrave të Italisë, të cilat do të digjeshin në Shqipëri.
 
Djegia
“Koncesionari mund të importonte edhe pjesë të djegshme mbeturinash të parrezikshme, në përputhje me katalogun evropian të mbeturinave, ekskluzivisht nga vende të Komunitetit Evropian”.
 
Marrëveshja, detyrimet e qeverisë ndaj koncesionarit
Të vërë në dispozicion falas pjesën shtetërore të vendit dhe në çdo rast të lehtësojë çfarë është e nevojshme për këtë qëllim. 
Në rast konflikti me pronarët e truallit, angazhohet të kryejë shpronësime në përputhje me ligjin. Shpenzimet e shpronësimit janë në ngarkim të koncensionarit. 
Të mbajë të hapur kalimet dhe hyrjet në terren, duke përfshirë edhe kalueshmërinë e rrugëve që ligjin superstradën Tiranë-Durrës me vetë terrenin. 
T’i lejojë koncesionarit modifikimet e rrugëve tokësore dhe hekurudhore në afërsi të terrenit. 
Të dërgoja me shpenzimet e vetë deri në venddepozitim mbeturinat e ngurta urbane. 
Të sigurojë asistencën për gjetjen e hapësirave të përshtatshme me sipërfaqe dhe vëllime të nevojshme për magazinimin e lëndës së parë të nevojshme për furnizimin e kantierit dhe të impiantit me materiale. 
Angazhohet se në rast paraqitje kërkese për dhënie me koncesion për projekte të reja, të trajtojë koncesionarin e kësaj marrëveshjeje si ngociator të parë. 
Të furnizojë linjën telefonike dhe elektrike për kantierin dhe impiantin në limitet e përcaktuara në projekt. 
 
Të sigurojë prioritetin e kalatave të portit si dhe të zonave portale në brendësi të tij për depozitimin e përkohshëm të kontenierëve që do të përmbajnë mbeturina. 
Të lëshojë autorizime sipas kushteve të përcaktuara në këtë marrëveshje. 
Të lëshojë në afatet e kërkuara të gjitha autorizimet e nevojshme, për të gjitha licencat për importin që mund të kërkohen nga koncensionari për materiale, mjete, makineri dhe impiante të domosdoshme që lidhen me projektin. 
Të lëshojë autorizime për leje pune, për të cilat koncesionari ka nevojë për angazhimin e personelit të huaj në lidhje me projektin. 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani