Firma misterioze blen ARMO
Ja si do paguajnë 50 mln €

Firma misterioze blen ARMO<br />Ja si do paguajnë 50 mln €
TIRANE - Më në fund, është zyrtarizuar kontrata e shitjes së aksioneve të kompanisë së rafinimit të naftës, që kalon nga pronësia e Rezart Taçit, në duart e një subjekti të panjohur, që nuk ekziston i regjistruar në internet si biznes privat në ndonjë vend të botës. 

Zyrtarisht "Heaney Assets Corp". duket qe është e regjistruar në Ishujt Virgjine Britanikë, që do të thotë se është një kompani offshore, me pronarë që nuk njihen. E, do të jetë "Heaney Assets Corporation" që do të marrë në duar këtej e tutje drejtimin e rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit, që deri tani ishte në pronësi të manjatit shqiptar të naftës.

Pas njoftimit në media për shitjen e aksioneve të Rezart Taçit në kompaninë ARMO të rafinimit të naftës, vjen më në fund edhe konfirmimi zyrtar se një gjë e tillë ka ndodhur me të vërtetë. Në fakt, regjistrimi paraqet dy problematika:

Së pari, nuk kuptohet se si është arritur që të kryhet regjistrimi, duke qenë se dje ka qenë ditë pushimi zyrtar, festa e Bajramit të Madh. Megjithatë, Qendra Kombëtare e Regjistrimit është hapur për të regjistruar ndryshimin e pronësisë dhe atë të drejtuesve të rinj të kompanisë, për pjesën e zotëruar nga Taçi.

Së dyti, me ligj deri në fund të muajit shtator nuk mund të bëhet një shitje aksionesh në ARMO dhe, në se kjo bohet, nuk mund ta regjistrojë QKR-ja. Këtu duket se procesi i regjistrimit është bërë “me urdhër nga lart”.

Rezart Taçi rezulton se i ka lënë vendin si administrator Fatjon Veizajt, emër pak a shumë i njohur në sektorin e hidrokarbureve. Janë regjistruar njëkohësisht edhe largimet e anëtarëve të Këshillit të deritanishëm Mbikëqyrës Gramoz Taçi, Drita Aliçka, Selfo Kapllani dhe Mustafa Taçi, të cilët janë zëvendësuar nga Ibrahim Hastopalli, Laurence Stroch, Abe Halati dhe avokatja, Erinda Ballanca.

85% të aksioneve të kompanisë ARMO që ishin blere fillimisht nga “Anika Enterprises” – firmë kyç e Taçit, që drejtohej nga motra e tij, Anika juridikisht - tashmë kanë kaluar nën kontroll të kompanisë së mistershme “Heaney Assets Corporation”, dhe te kompanisë Reffinery Associates of Texas. Ne fakt te dyja kanë blere respektivisht 80% dhe 20% të aksioneve të holding “Anika Mercuria Refinery Associated Oil” nepermjet te cilës Rezart Taçi deri tani kontrollonte ARMO-n.

Avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë, që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit, bëhet sërish anëtare e re e këshillit, sëbashku me shefin e kabinetit të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Ibrahim Hastopalli. Banka azere kërkoi kthimin e shumës prej 75 milionë eurosh nga Rezart Taçi, shumë kjo e vendosur si garanci për blerjen e “ARMO”. Anëtare është emeruar edhe Erinda Ismailaj, anëtare e zyres se Erinda Ballances si "Juriste asistente".

Po kështu, në këshill do të marrë pjesë edhe një këshilltar i presidentit të ndërmarrjes së minierave të Azerbajxhanit, Abe Halati, ku dihet se shteti dhe vetë presidenti i Republikës së atij vendi kanë interesa direkte.

Nga ana tjetër, në këshill është emëruar edhe një personazh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Laurence Storch, emri i të cilit për shqiptarët thotë edhe më pak se emri i blerësit.
 
E PANJOHURA E BLERESIT DO TE ZBULOHET ME PAS

Emri "Heaney Assets Corporation" nuk përkon me asgjë, po të kërkosh në internet. Gjithshka të le të kuptosh se ai është një subjekt i krijuar enkas për këtë transaksion në Ishujt Virgjine Britanikë, që do të thotë se është një kompani offshore, me pronarë që nuk njihen. Rezart Taçi gjithnjë ka dalë në skenë me emra kompanish të panjohura, madje edhe kur fjala ishte për të fituar tendera me vlerë gjigande, si rasti i Albpetrolit, kur kërkesat nga ana e shtetit për pjesëmarrësit në garë ishin jashtëzakonisht të larta. Më pas, ka dalë se blerësi i vërtetë ka qenë tjetërkush nga ai që prezantohej.

Sipas gazeta Dita në kontratën e shitjes kjo kompani ka lënë si adresë kontakti një zyrë në Evropë. Ajo është zyra e një firme të quajtur “Fortrust Global S.A” e cila ndodhet në Bulevardin “Royal” në Luksemburg. Si person kontakti në Luksemburg është caktuar një zonjë me emër rus, Elena Krotova quhet. Por diçka më tepër mbi identitetin e blerësve mund të mësohet nga personi që erdhi në Tiranë për të nënshkruar kontratën. Blerësi nga Ishujt e Virgjër Britanikë, kishte autorizuar dhe kishte veshur me të gjithë besimin e tij për nënshkrimin e kontratës një person të quajtur Abe Halati.

Zoti Halati ka lindur në Iran por disponon një pasaportë amerikane, ai është shtetas amerikan. Ndonëse i tillë, ai është një azer me origjinë dhe jeton në Baku. Emri i tij korrespondon si përfaqësues i lartë në bordet drejtuese të disa kompanive në Azerbajxhan, të cilat janë kryesisht kompani që operojnë në sektorin e mineraleve.

Në rastin e industrisë së naftës, që përbën një sektor strategjik, qeveria e re nuk mund t’i lejojë vetes të përsëritë gabimin, të cilin i ka kritikuar më shpesh në këtë drejtim të vjetrës, mungesën e transparencës. Kjo duhet të nisë nga verifikimi dhe publikimi i përfituesit të vërtetë të shitjes së aksioneve.  
 

FAKSIMILE
(Faksimile e regjistrimit të ndryshimit të pronësisë dhe organeve drejtuese të kompanive në QKR)

VLERA E KONTRATA: 50 MILION EURO

Ja neni 3 i kontrates te botuar sot nga gazeta Dita me çmimi i blerjes

"NENI 3. ÇMIMI I BLERJES

3.1 Çmimi. Si çmim për shitjen dhe transferimin e Pjesëmarrjeve nga Shitësit tek Blerësi, Blerësi pranon t’iu paguajë Shitësve një shumë totale prej 50.000.000. € (Pesëdhjetë milionë Euro) (Më poshtë, “Çmimi”), i ndarë mes Pjesëmarrjeve si vijon:

(a) € 35, 000, 000 (tridhjetë e pesë milionë) për Pjesëmarrjen në AMRA(70%)

(b) € 500, 000(Pesëqind mijë) për Pjesëmarrjen Taci Oil(1%)

(c) € 14,000,000(Katërmbëdhjetë milionë) për Pjesëmarrjen në Europetrol(28%)

(d) € 500, 000 (Pesëqind mijë) për Pjesëmarrjen në Kuid(1%)

3.2 Pagesa. Pagesa e çmimit, nga Blerësi për Shitësit do të kryhet me tri këste si më poshtë:

(a) Brenda 24 (njëzetekatër) orëve nga përmbushja ose heqja dorë me shkrim e Blerësit, nga kushti i vetëm i mbetur pa plotësuar e i parashikuar në Nenin 4.1 të kësaj Kontrate, Blerësi duhet të paguajë me transfertë bankare, në fonde të disponueshme menjëherë, shumën prej € 35,000,000(tridhjetë e pesë milionë euro) minus çdo shumë të treguar në Nenin 1 1.8(a), në llogarinë bankare të Shitësve të vënë në dispozicion me shkrim nga Taçi. Në rast se kjo pagesë nuk do të bëhet brenda afatit prej 24 orësh, kjo Kontratë do të konsiderohet e zgjidhur me efekt të menjëhershëm, pa qenë nevoja, për ndonjë njoftim tjetër me shkrim. Ajo do të konsiderohet se nuk ka ekzistuar që prej fillimit. Për qëllim të kësaj klauzole, pagesa do të konsiderohet e kryer me nisjen e fondeve nga banka nisëse. Për këtë qëllim kopja e “suiftit” të bankës dërguese me datë valute të njëjtën ditë, do të konsiderohet vërtetim pagese.

(b) Në datën kur mbushen 8(tetë) muaj nga data e Mbylljes (siç specifikohet në klauzolën 4.3 më poshtë) (nëse kjo ditë nuk do të jetë një ditë pune, pagesa do të kryhet në ditën e parë pasuese të punës), Blerësi duhet të paguajë me anë të një transferte bankare dhe me fonde të disponueshme menjëherë shumën prej € 5, 000, 000(pesë milionë euro) në llogarinë bankare të Shitësve të vënë në dispozicion me shkrim nga Taçi.

(c) Në datën kur mbushen 18 (tetëmbëdhjetë) muaj nga data e Mbylljes, Blerësi, duhet të paguajë me anë të një transferte bankare dhe me fonde të disponueshme menjëherë, shumën prej € 10,000,000(dhjetë milionë euro), në llogarinë bankare të Shitësve, të vënë në dispozicion nga Taçi.

(d) Për qëllimin e klauzolave 3.2(a) deri 3.2(c), më lart, pagesa do të konsiderohet përfundimisht e kryer prej Blerësit tek Shitësit, kur blerësi të ketë kryer transfertën bankare , me fonde të disponueshme menjëherë në shumat e specifikuara në paragrafet e lartëpërmendura , në llogarinë bankare të vënë në dispozicion të Blerësit nga Taçi. Titulli i Pronësisë së të gjithë pjesëmarrjeve do t’i transferohet Blerësit në momentin që do të kryhet pagesa e specifikuar në seksionin 3.2(a), si më lart. Çdo pagesë do të konsiderohet e kryer kolektivisht për të gjithë Shitësit, dhe do të ndahet nga Shitësit e Pjesëmarrjeve në proporcion me përqindjet e specifikuara në Paragrafin 3.1, si më lart. Shitësit do jenë bashkarisht dhe personalisht përgjegjës për alokimin e çdo pagese dhe për shpërndarjen e porcionit monetar të çdo shitjeje që i takon secilit shitës, sipas kushteve të kësaj Kontrate. Me përjashtim të rasteve kur është parashikuar shprehimisht ndryshe në këtë Kontratë, dhe pa kufizuar ndonjë të drejtë apo kompensim të Blerësit, pagesat e parashikuara në paragrafet 3.2(b) dhe 3.2(c) do të jenë subjekt kompensimi dhe uljeje, euro për euro, në shumën e çdo zbritje kompensimi ose llogarie,garantuese të parashikuar në klauzolën 8.3


Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Spiropali pret anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës: Diskutuam mbi mundësinë e votimit në zgjedhje! Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët

Spiropali pret anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës: Diskutuam mbi mundësinë e votimit në zgjedhje! Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët