FISKALIZIMI/ Skandal, ish monopolistët e kasave fiskale kërcënojnë konkurrencën që do të ulë kostot e biznesit me sistemin e ri

FISKALIZIMI/ Skandal, ish monopolistët e kasave fiskale kërcënojnë konkurrencën që do të ulë kostot e biznesit me sistemin e ri

Foto ilustruese

Në mesin e vitit 2019, kur qeveria nxori për herë të parë për konsultim ligjin e ri për sistemin e monitorimit dhe të qarkullimit, i njohur gjerësisht si ligji i fiskalizimit, i cili në thelb parashikonte eliminimin e kasave fiskale dhe zëvendësimin e tyre me zgjidhje software qe do të mundësonin raportimin në kohë reale të çdo shitjeje, biznesi u bombardua me lajme që ky ndryshim ligjor do të shkaktonte për çdo sipërmarrje, të vogël a të madhe, një kosto fillestare që i kalonte 1000 eurot, plus kosto vjetore ne nivelin e 400-500 eurove. Ky informacion, ndonëse për interesat e ditës u përdor disa here edhe nga politika, në fakt buronte nga vetë biznesi, jo ai zakonshmi i cili druhej se do t’i rriteshin kostot nga një ndryshim i tillë, por nga një grusht i privilegjuar biznesesh, të cilëve iu reduktoheshin fitimet.

Procesi i fiskalizimit të shitjeve me para në dorë në Shqipëri ishte i pandryshuar prej më shumë se 10 vjetësh. Qeveria Berisha në vitin 2009 autorizoi 5 kompani për tregtimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e kasave fiskale që do të mundësonin deklarimin ditor të shitjeve. Nga këto, njëra falimentoi, dhe mbetën 4 kompani që sot e kësaj dite ndajnë një treg që qarkullon mes 10 dhe 15 milionë eurove në vit. Prej certifikimit të parë, asnjë kompani tjetër nuk u lejua të certifikohej, duke krijuar de fakto një oligopol mes 4 kompanive, që shkaktoi një situatë me çmime të larta dhe teknologji të vjetruar. Duke u bazuar te informacioni i publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në treg sot janë gjithsej 29 modele kasash fiskale, nga të cilat 24 të futura në treg në vitin 2012 ose më herët, 2 modele në vitin 2015 dhe 3 modele në vitin 2018.

Ishin pikërisht këto 4 kompani, që i përhapën lajmet për kostot marramendëse të këtij ligji, jo vetëm midis bizneseve apo në media, por edhe në komisionin parlamentar të ekonomisë ku u thirrën në seancë dëgjimore. Në kronikën që mund të shihet në këtë link, një prej përfaqësuesve të këtyre kompanive llogarit një kosto fillestare prej 1265 eurosh dhe një kosto mirëmbajtjeje që fillon nga 5,000 lekë të reja në muaj. Aq bindës është, sa edhe vetë kryetari i komisionit, Arben Ahmetaj mbetet i shtangur. Me presionin e krijuar nga biznesi pas shpërndarjes së këtij informacioni, qeveria u dorëzua duke shtuar në ligj një klauzolë që lejon përdorimin e kasave fiskale, nëse ato përshtatën me sistemin e ri.

Por çfarë ndodhi në vijim?

Prej gati dy muajsh, që kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit certifikuan zgjidhjet e para software-ike sipas standardeve të reja të fiskalizimit, ligji i ri, ka filluar të ketë efektet e tij.

Nga çfarë po shihet në këto dy muaj, në treg ka zgjidhje software kostot e të cilave nuk kanë asnjë lidhje me ato të denoncuara plot zhurme saktësisht një vit më parë nga kompanitë e kasave. Ne kontaktuam me dy kompani, nga të cilat morëm kosto që nisin nga 5,000 lekë në vit pa asnjë kosto fillestare instalimi apo licencimi. Pra, nga 5,000 lekë kosto mujore mirëmbajtjeje që pretendohej dhe kosto fillestare 1265 euro, sot ka në treg zgjidhje me kosto vjetore 5,000 lekë dhe pa asnjë kosto fillestare, përveç një kompjuteri, telefoni ose tableti, dhe një printeri të thjeshtë, që shumica e bizneseve i posedojnë. Qartësisht dhe me vetëdije, kompanitë e kasave fiskale kanë përhapur në Kuvendin e Shqipërisë lajme të rreme, për të ndryshuar një legjislacion në favorin e tyre.

Por çfarë arritën këto kompani më këtë ndryshim që imponuan në ligj duke përhapur lajme të rreme? Deri tani asgjë!

Deri më sot, asnjë nga kasat ekzistuese në treg nuk është mundur të përshtatet me sistemin e ri. Vetëm njëra nga kompanitë e kasave, reklamon një pajisje të certifikuar, me kosto 280 euro, por kjo pajisje nuk figuron në listën e 29 pajisjeve fiskale ekzistuese në treg. Pra, bëhet fjale për një pajisje të re, që bizneset duhet ta blejnë. Por për më pak se 280 euro, një biznes tani mund të blejë një kompjuter dhe një printer të zakonshëm, ose një pajisje shitjeje smart me touch screen dhe të mos mbetet peng i një pajisjeje me 20 butona dhe një ekran me display led me 8 segmente qe pas dy vjetësh rrezikon t’i duhet ta zëvendësojë përsëri për shkak të ndonjë ndryshimi tjetër procedural që mund të ndodhë ndërkohë.

Një kompani tjetër nga tregtarët aktualë të kasave, ka certifikuar një zgjidhje software, një tjetër pretendon se është në proces, ndërsa e katërta vazhdon të shesë kasa duke i bindur blerësit që ligji do tërhiqet dhe situata nuk do të ndryshojë.

Ndërkohë, për biznesin e zakonshëm, hyrja e ligjit të ri dhe zhdukja e panikut me kosto 1000 e kusur euro, është pritur me lehtësim. Sipas ligjit, që nga 1 janari 2021, sistemi i ri duhet të aplikohet nga çdo kompani që ka marrëdhënie faturash me shtetin: behet fjalë për mbi 13.000 biznese të ndryshme. Ndërsa për ata qe kane marrëdhënie vetëm me privatët apo me individët, sistemi behet i detyrueshëm fillimisht në 1 korrik 2021 për pagesat pa para në dorë, dhe nga 1 shtatori 2021 për pagesat me para në dore. Natyrisht që nëse një biznes ka marrëdhënie me shtetin dhe njëkohësisht pranon pagesa me para në dorë nga privati apo nga individët, ai ose duhet të pajiset me sistemin e ri që plotëson njëherësh edhe faturat elektronike me shtetin edhe pagesat cash, ose duhet të përdorë dhe paguajë të dy sistemet, për t’i bërë qejfin prodhuesve të kasave që theksojnë faktin që ligji lejon përdorimin e kasave aktuale deri në 1 shtator 2021. Sigurisht që bizneset nuk i kanë paratë tepër dhe kanë filluar tashmë të përshtaten me sistemin e ri.

Të gjendura përballë këtyre zhvillimeve, me 8 kompani të tjera të certifikuara dhe çmime shumë më poshtë pritshmërive të tyre, ish monopolistet e kasave janë hedhur përsëri në sulm. Këtë herë jo kundër ligjvënësve, por kundër konkurrencës.

Shqiptarja.com ka mësuar se 4 kompanitë që pasurohen prej 10 vjetësh duke ndarë mes tyre shpenzimet e biznesit shqiptar, kanë bashkuar forcat për të kërcënuar kompanitë e certifikuara për zgjidhjet e reja, që informojnë klientët se me ligjin e ri kasat fiskale nuk janë më të nevojshme. Ne jemi në dijeni të një letre të dërguar drejt administratorit të një prej kompanive të certifikuara për sistemin e ri, të firmosur nga administratorët e katër kompanive të kasave, të cilit i kërkohet të përgënjeshtroje pohimet e kompanisë së tij, se kasat fiskale nuk janë më të nevojshme, duke e kërcënuar në të kundërt me padi penale për shpërndarje lajmesh të rreme që sipas tyre dënohet me 6 muaj deri në 3 vjet heqje lirie.

Administratori i kompanisë në fjalë nuk pranoi të prononcohet për Shqiptarja.com, por duke mos mohuar ekzistencën e letrës deklaroi se për të tilla kërcënime do të ndjekë rrugën ligjore.

Ne fakt ligji specifikon qartë që si bizneset e reja, ashtu edhe ato ekzistuese, deri sa ky ligj bëhet detyrim, janë të lirë të zgjedhin vetë nëse duan të punojnë me ligjin e ri apo me të vjetrin.

Atëherë përse drejtuesit e katër kompanive, që tashmë janë të faktuar që kanë shpërndarë lajme të rreme, jo në media, por në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, tani akuzojnë konkurrentët e tyre për lajme të rreme dhe i kërcënojnë me padi që do i shpinin në burg?

Përgjigjja është e thjeshtë: për të shpëtuar ç'të munden nga tregu që kontrolluan për 10 vjet e tani po i ikën prej duarve.

Por, meqë tregtarët e kasave që nga fillimi kanë pretenduar se e kane merakun te bizneset dhe jo te fitimet e tyre, le të shohim nga këndvështrimi i biznesit se çfarë sjell ky ndryshim.

Biznesi sot e ka detyrim të pajiset me kasë fiskale nëse dëshiron të marrë pagesa cash. Shumë biznese, heqin dorë nga pagesat cash, vetëm për të mos paguar koston e kasës fiskale, e cila varion nga 230 ne 650 euro kosto fillestare dhe mirëmbajtje vjetore qe fillon nga 2,500 lekë, deri në 15,000 lekë të reja plus ndërrimin e memories fiskale, sa herë që ajo mbushet, mesatarisht njëherë në 3-5 vjet, me kosto rreth 150 euro. Por nëse kostoja do të ishte problemi i vetëm, ndoshta shumë biznese do të ishin dakord të mos ndryshonin gjë e të vazhdonin me kasat. Por, duke qënë se kasat janë pajisje jashtëzakonisht të vjetra dhe primitive në funksionalitet, përdorimi i tyre është shumë i vështirë dhe i komplikuar. Nëse i hedh një sy faqeve në rrjetet sociale të kompanive të kasave, vëren shumë njerëz që ankohen për probleme të ndryshme, madje, në një postim, njëra nga kompanitë i mëson përdoruesve se si të bëjnë ndryshimin nga ora diellore në orën legale. Imagjinoni, një pajisje elektronike në vitin 2020, që nuk bën vetë ndryshimin e orës të dielën e fundit të marsit e të tetorit.

Por çfarë risish sjell sistemi i ri?

Sistemi i ri, në radhë të parë, eliminon teknologjinë e vjetër duke futur në skemë zgjidhjet software që janë lehtësisht të përditësueshme në teknologjitë korrente. Nëse një kasë, ti e ble sot, dhe pas një viti del një model i ri, ti je i detyruar të blesh një kasë të re nëse dëshiron të kesh modelin e fundit ose nëse  procedurat ligjore pësojnë ndryshime që nuk përmbushen nga pajisja aktuale. Me zgjidhjet software-ike, ky problem nuk ekziston, pasi çdo ndryshim do të reflektohet automatikisht te çdo përdorues, pa kërkuar kosto shtesë përditësimi.

Veç kësaj, kasat janë pajisje të ngurta, shumë të kufizuara në përdorim. Ato kanë 10 tasta numerikë dhe 8-10 tasta funksionalë, dhe nëpërmjet tyre duhet te bësh çdo funksion. Imagjinoni sa mund i duhet një shitësi të regjistroje me 10 tasta, bie fjala, produktin ‘Patëllxhan’. Nëse sot fiskalizimi elektronik bëhet vetëm për shitjet cash, sistemi i ri i fiskalizimit parashikon edhe faturën elektronike e cila veç vlerës dhe produktit/shërbimit, ka edhe të dhënat e blerësit. Po sa e lehtë është me 10 tasta të shkruash disa herë në ditë NIPT-e blerësish që kanë në përbërje dy shkronja? Të gjitha këto me zgjidhjet software-ike bëhen më ndërfaqe përdoruesi shumë të thjeshtë në përdorim dhe koha e gjenerimit të një fature shkurtohet ndjeshëm.

Atëherë përse sipas shitësve të kasave, bizneset duhet të vazhdojnë t’i përdorin ato; të zëvendësojnë një kasë të vjetër me një të re, dhe të mos kalojnë në zgjidhje me software që edhe sipas pohimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve garantojnë një ulje të kostove?

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eri: 06/12/2020 13:38

    Kasat vtem probleme kane cdo 6 muaj duan riaprim ishalla zhduken nje here e mire e modernizohet me kte sisitemin e ri

    Përgjigju
  • Beni: 05/12/2020 13:34

    Keta jane kryematrapaze. Pyesni pak sa biznese i japin rryshfet ketyre qe tu fshine her pas here memorjen e kasave qe mos ti deklarojne xhiron tatimeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Suksesi i rradhës për Lara Colturin, tjetër rezultat fantastik për objektivat e skiatores që përfaqëson Shqipërinë

Suksesi i rradhës për Lara Colturin, tjetër rezultat fantastik për objektivat e skiatores që përfaqëson Shqipërinë