Fitimtarë pa fitore

Fitimtarë pa fitore
Zgjedhjet parlamentare mbaruan me rotacion politik. E majta e bashkuar mori rreth 1 milion vota, e djathta e përçarë mori rreth 700 mijë vota. Një diferencë që thellohet në mandate parlamentare: tre të pestat e parlamentit do të jenë mbështetëse direkte të qeverisë së re të së majtës. Rotacion politik pati më 1992, më 1997, më 2005 dhe më 2013. Secila me specifikat e veta krejt të ndryshme. Dy të parat si zgjidhje e vetme politike, dy të dytat si votë proteste dhe taktike. Gjithnjë zgjedhjet kanë fitues e të humbur në sensin e mazhorancës dhe opozitës.

Të tilla ishin edhe zgjedhjet e fundit. Por tej leximit të shifrave formale dhe numrit të mandateve, zgjedhjet e 23 qershorit u karakterizuan nga cilësi të veçanta, të cilat ia vlen të rikujtohen. Së pari kemi rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes në votime. Nuk pati efekt fushata për votën e bardhë dhe as thirrjet për bojkot, nuk frikësuan as dyshimet për manipulime apo formalitetin e votimit, nuk pati ikje nga përgjegjësia qytetare dhe as skenarë politikë të partive për kufizimin e pjesëmarrjes.

Secila besoi tek vota masive, secila apeloi pjesëmarrje dhe shifra rekord për banorët de facto që jetojnë në Shqipëri, tregon se qytetarët donin të flisnin me zë të lartë, të dëgjohen dhe të respektohen. Së dyti zgjedhjet treguan se fati i vendit dhe sovraniteti i popullit nuk mund të vendoset as në KQZ, as në sallonet e kryeqytetit dhe as nga një apo dy individë.

Zgjedhësit e zhvleftësuan KQZ-në, ushtrinë militante të pushtetit, institucionet besnike në shërbim të tij, premtimet në formë kërcënuese të pushtetarëve absolutë apo liderëve partiakë, duke krijuar një diferencë të madhe midis qytetarisë zgjedhore dhe parisë politikë në krye të politikës. Së treti kemi një votë masive kundër sistemit aktual qeverisës. Natyrisht e majta ka fituar, por më shumë sesa për ofertën e saj vota ishte kundër palës tjetër, qeverisë.

Arroganca dhe abuzimi, modeli klientelist dhe frika e rrëshqitjes drejt një modeli de facto monarkie, korrupsioni dhe humbja e vlerave morale në politikë e nxitën elektoratin të reagojë me të vetmin pushtet ende në dorë, - votën e fshehtë. Vota kundër dominoi kudo, jashtë cdo parashikimi dhe tej cdo përllogatitje në sallonet e politikës. Së katërti sistemi abuziv që krijoi PD në 4 vitet e fundit iu kthye saj në bumerang me të njëjin nivel abuzivizmi.

LSI ishte bashkautorë e këtij sistemi, protagoniste në skandalet më të mëdha politike, simbol për politika klienteliste, gjithsesi ajo mori votat kurse PD faturën. Sepse PD hoqi dorë nga identiteti dhe moraliteti, e konceptoi qeverinë e pushtetin si prona ta patundura, nuk pati kurajë dhe as vullnet për politikë të “duarve të pastra”, u vet-identifikua me korrupsionin dhe së fundi, modelin LSI e pa si shpëtim të vetëm post-zgjedhor.

Gjë që i humbi asaj jo vetëm elektorat, por edhe ia lehtësoi rrugën shumë prej anëtarëve të saj pragmatistë të pranonin ofertat në mall e shërbime politike të LSI. Së pesti, zgjedhjet u dhanë fund bastioneve, sidomos atyre krahinore. Kudo dominoi vota e protestës, pavarësisht zonës, qytetit, bashkisë apo pritshmërive politike. Më shumë sesa identitetin krahinor, fetar apo klientelist qytetarët preferuan dhënien e votës për ndryshim kolektiv. Një mesazh, të cilin ende politika post-zgjedhore nuk e ka kuptuar dhe lexuar siç duhet.

Së gjashti, zgjedhjet prodhuan një mazhorancë të frikshme, por edhe një opozitë formale. Për herë të parë nga 1997 numrat e opozitës vlejnë vetëm për rroga, prani dhe ndonjë diskutim jashtë rendit të ditës. Krahasuar edhe më 1997 opozita ka deficite të mëdha në personalitete, në aftësi parlamentare, në përvojë nominale, në ndjenjën e solidaritetit, në kauzën që mbrohet dhe në vizionin për të ardhmen.

Së shtati, zgjedhjet konfirmuan fuqinë e parasë mbi fuqinë e programeve. Asnjëherë më parë nuk pati kaq shumë biznesmenë në garë, asnjëherë më parë nuk fituan kaq shumë prej tyre, disa prej të cilave pa asnjë njohje apo lidhje me politikën, por kërkues të vendosur për imunitet politik, si burim për rritjen e pasurisë, rehabilitetin publik dhe fitimin e një statusi të ri social.

Për pasojë, kjo legjislaturë do të ketë një cilësi politike parlamentare shumë herë më të dobët sesa legjislaturat e mëparshme, siç do të ketë ambicie personale për pushtet shumë herë më të mëdha sesa çdo paraardhëse tjetër. Së teti zgjedhjet dhanë mesazhin se në kohë të bipolaritetit të ashpër politik hapësira për lëvizjet e reja politike është minimale.

Votuesit duan palët që kanë pushtet ose duan të kenë pushtet, jo lëvizjet parimore, - një sinjal ky negativ për nivelin e kulturës politike dhe konceptin qytetar mbi politikën. Së fundi, zgjedhjet i dhanë fund abuzimit me kombin, patriotizmin, kartat nacionaliste, ndikimit nga jashtë të vendimmarrjes politike apo propagandës së shfrenuar përmes çdo mediumi. Zgjedhjet ikën por sfidat mbeten ende pa përgjigje.

Çfarë do të ndodhë me premtimet për reforma të thella institucionale e demokratike kur për këtë do të duhen votat e një pjese të madhe të inkriminuar të politikës? A do të ketë forcë politika e re të tejkalojë garën e ashpër për pushtet, fitime, emërime e financime klienteliste brenda partnerëve të koalicionit dhe midis vetë prurjeve aksidentale brenda vetë partive të koalicionit?

A do të ketë forcë mazhoranca e re ti japë fund praktikës së trafikimit të votave dhe mandateve në parlament, në varësi nga oferta politike e financiare e radhës? A do kemi një president të ri të emëruar nga shefi ekzekutiv apo një produkt cilësor të zgjedhjes direkte nga populli, një reformë elektorale që deformon votën dhe cilësinë e përfaqësimit apo një sistem të ri të bazuar mbi standarde e vlera cilësore e të barabarta përfaqësimi?

A do përfitojë opozita e re për nisjen e një procesi thelbësor reformimi në program, ide, përfaqësim, strukturë, lidership dhe partneritet apo do ndjekë praktikën e mbylljes në bunker sipas parimit, “të humbur të çdo qarku – bashkohuni”? A do ketë forcë, kurajë e vullnet mazhoranca e re ti japë fund praktikave të abuzimit me pushtetin, me parcelizimin e administratës mbi përqindje partiake, për zbardhjen (edhe brenda saj) të rasteve abuzime e korruptive, për hetimin deri në fund të dosjeve më të njohura kriminale dhe për ndjekjen e premtimit për politikë të duarve të pastra?

A do të tentojë mazhoranca e re të delegojë në institucionet kushtetuese militantët e pushtetit apo do respektojë parimet e standardet kushtetuese të përzgjedhjes? A do të ketë aftësi mazhoranca e re të mbajë premtimet, të evitojë thellimin e krizës ekonomike, të lëshojë pushtet në emër të interesave të shtetit, të zgjedhë standardet e vendit kandidat në BE në vend të sjelljes ballkanike konfliktuale?
 
Në politikë ende vlen shprehja: dhëndrit të ri dhe fituesit të zgjedhjeve mos u fol sepse nuk dëgjojnë nga ai vesh! Këto pyetje nuk vlejnë për momentin kur pihet shampanjë apo fjalime patetike fitimtarësh, por për mëngjesin e të nesërmes, kur sytë e mendjet e miliona shqiptarëve janë adresuar tek “e keqja më e vogël”, pala që fitoi për shkak të votës masive kundër “të keqes më të madhe”.

Janë pyetje e sfida themelore për ditët dhe vitet e ardhshme, mbi të gjitha për të kuptuar nëse rotacioni i 23 qershorit është shans për ndryshim historik apo një ndryshim formal në karriget e pushtetit, nëse zgjedhjet na dhuruan shanse për fitore të Shqipërisë apo vendi mbetet edhe më tej fitimtar pa fitore.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)