Për të dytin vit me radhë sulmuesi i Vllaznisë Bekim Balaj u shpall fitues i ‘Topit të Artë’ në futbollin shqiptar. Edhe pse nuk fitoi trofe me ekipin e shkodranëve, sulmuesi ishte golashënuesi i sezonit me 19 gola. Detaj që mjaftoi për të mposhtur konkurrencën e Dejvi Bregut, Baton Zabërgjës dhe Mario Dajsinanit.

“Të them të drejtën emocionuese, duke parë të 4-shen që pretenduan. Gjithsecili mund të ishte në vendin tim, por mbetet të falenderoj të gjithë ata që më votuan si lojtari i sezonit,”-u shpreh Bekim Balaj, futbollist i Vllaznisë.

Bekim më mirë ‘Topi i 3 i Artë’ vitin tjetër apo titulli kampion me Vllazninë?

“Heq dorë nga të gjithë trofetë vetëm që të fitojmë kampionatin,”-tha Balaj.

Topi i Artë’ për vajza për të tretin vit radhazi, u fitua nga Megi Doçi . Një tjetër futbolliste e Vllaznisë.

“Çmimet besoj që i mbyllin gojën të gjithëve. Këto çmime le të jetë shuplakë fytyrës për të gjithë ata që kanë fjalë të këqija për mua,”-deklaroi futbollistja e Vllaznisë Megi Doçi.

Nga spitali, ku iu nënshtrua një ndërhyrje në zemër, Edlir Tetova i Egnatias u ngjit në skenë për të marrë trofeun e trajnerit të vitit.

“Është falë punës. Falë ndihmës së futbollistëve që kanë bërë maksimumin që të jem këtu të meritoj trofeun. Falenderoj presidentin, drejtorin Kledi dhe deri tek punëtori më i thjeshtë i fushës,”-tha Edlir Tetova, trajner i Egnatias.

Baton Zabërgja, Naser Aliji dhe Dejvi Bregu ishin 3 lojtarë të Dinamos pjesë e formacionit të vitit.

“Është kënaqësi që të jesh mes më të mirëve. Një event shumë i bukur dhe më vjen mirë që rrethohemi nga njerëz kaq të rrespektueshëm,”-u shpreh Dejvi Bregu, futbollist i Dinamos.

Arbitër i vitit u shpall Kreshnik Cjapi, ndërsa trofeun ia dorëzoi një figurë botërore e gjykimit si Ginaluca Rocchi.

“Kushdo që mund ta merrte nga ne e meritonte. Ky ishte viti i dytë radhazi që nominohesha dhe si ta merrja si mos ta merrja sërish do isha i kënaqur,”-deklaroi Kreshnik Cjapi, arbitër.