Zgjedhjet/ Rama: Fituam 5 nga 6 bashki, pa i ndezur motorët e fushatës, as më shumë e as më pak se sa prisnim! Lufta në Ukrainë na e bën të pamundur shijen e fitores

TIRANË- Fitorja në 5 nga 6 bashki, për kryesocialistin Edi Rama nuk është as më shumë e as më pak nga ajo se çfarë prisnin nga ky 6 mars. Në reagimin e tij të parë, në një kohë kur procesi i numërimit të votave është drejt fundit dhe panorama është e qartë, Rama nuk ka nguruar të theksojë se kjo fitore ka 2-fish vlerë edhe për faktin se socialistët në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, nuk i "ndezën fuqishëm" motorët elektoral, por pavarësisht kësaj arriti që t'i mundtte kundërshtarët, madje me një diferencë të thellë.

"Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim. 5 nga 6 bashkitë në garë - me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona. Urime fituesve dhe faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan për këtë rezultat, po mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit", shkruan Rama.

Ajo që ia zbeh shijen e fitores, është lufta në Ukrainë, për të cilin kryeministri thotë se për fat të keq ka sjellë edhe ndikimet e para në vendin tonë.

"Thënë kjo, nuk rri dot pa shtuar sot se ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje. Sa hap e mbyll sytë bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo", vijon kreu i qeverisë.

Tani më, pas kësaj fitore, Rama thekson se socialistët kanë përpara një sfidë më të madhe që është mirëqeverisja e këtyre bashkive.

Sa hap e mbyll sytë filmat me Luftën e Tretë Botërore, armët atomike, shkretimin e vendbanimeve, ia kanë lënë vendin realitetit të jetës sonë, ku duket sikur s'ka më asnjë çmenduri të pamundur dhe sikur as vetë fundi i botës, nuk mund të përjashtohet si një nga skenarët e mundshëm. Ndërkohë ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë. Ia dolëm me tërmetin dhe me pandeminë, e gabimisht menduam se më e keqja kaloi. Kjo që sapo na ka dalë përpara është më e keqja fare. Duhet me se s'bën t'ia dalim edhe kësaj. Të bashkuar, jo të ndarë", përfundon Rama në reagimin e tij.

Partia Socialiste fitoi në 5 Bashki, më konkretisht në Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Lushnje, Dibër. Shkodra, një bastion historikisht i djathtë, ka mbetur "blu", por kësaj here jo në dorë të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, por të Sali Berishës dhe koalicionit që ai bëri me LSI-në, ku u shpall fitues Bardh Spahia.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • KOLI: 07/03/2022 18:49

    MOTORRAT I NDEZ PER VJEDHJE TI RAMA.....//////

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse