Fitorja e Tavos dhe PS në Himarë/ Martin Leka: Tregues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, opozita në alarm! Vota ishte protestë ndaj Belerit

Gazetari dhe analisti Martin Leka komentoi në Report Tv rezultatin e zgjedhjeve në Himarë, teksa kandidati socialist Vangjel Tavo doli fitues me një diferencë të dukshme ndaj Petraq Gjikurias të opozitës. Leka shprehet se vota e djeshme e himarjotëve ishte një votë proteste ndaj opozitës për kandidimin e një personi si Fredi Beleri zgjedhjet e kaluara.

'Mendoj se është një votë proteste ndaj kriminalizimit të zgjedhjeve në Himarë duke vendosur një kandidat me rekord kriminale të hipotekuara siç janë akuzat ndaj Belerit për vrasjen e dy komandove tona në kufi apo dënimi që ka pasur për përdhosje të simboleve kombëtare. Publiku e ka kuptuar qartë që në Himarë nuk mund të luhet me ndjenja nacionaliste aq më tepër kur në krye të tyre vendosen njeri me rekorde të tilla kriminale. Fakti që në një qendër votimi ai ka marrë vetëm 7 vota, tregon se është votë proteste në bashkinë e Himarës.'

Sa i përket deklaratës së Vangjel Dules ditën e djeshme se Himara sot zgjohet me dy kryebashkiakë duke nënkuptuar që Beleri është ende kryebashkiaku i zgjedhur, Leka thekson se kjo është non sens.

'Shqiptarët kemi një shprehje popullore: Njeriu duke u munduar të heq vetullat heq sytë. Këtë ka bërë edhe zoti Dule dhe ata që paralajmëruar parregullsi pa nisur votimi. Dule me këtë deklaratë i parapriu humbjes apo më saktë e dinte humbjen e kandidatit që ai vetë kishte propozuar. Të kandidosh dhe të pranosh që është kryetar dikush tjetër është non sens, jo vetëm juridik. Të gjithë ata ndihmuan më shumë se sa kandidatin, ndihmuan mazhorancën në humbjen e thellë të kanddiatit të tyre.'

Nga ana tjetër, figura e Vangjel Tavos ishte e pacënuar nga afera korruptive.

'Mazhoranca zgjodhi një figurë të pacënueshme, të pastër politikisht, që deri dje dhe sot ka qenë socialist. U tërhoq nga jeta politike aktive për tu kthyer si prefekt dhe tani kryetar bashkie. Nuk është akuzuar për korrupsion. Në këtë kuptim mazhoranca ka gjetur njeriun e duhur që do bëjë shumë punë, ndërkohë mazhoranca i dha fund sagës së madhe të luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë.'

Tashmë për Himarën shton Leka nis normaliteti me kryebashkiakun e ri në punë.

'Mendoj se koha tani siç e tha Tavo koha nuk është për politikë, por për punë. Himara ka një vijë detare shumë të gjatë, resurse të jashtëzakonshme turistike. Himarjotët duhet të punojnë për ujin, dritat, plehrat dhe për shumë gjëra të tjera.'

Sakaq, këto zgjedhje dhe fitorja e PS-së sipas Lekës janë një tregues edhe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

'Janë lakmues edhe për zgjedhjet që janë shumë afër. Është e qartë, Edi Rama i fiton zgjedhjet me këtë opozitë pa diskutim. Janë zero, sepse në një bashki si Himara, ku vetëmn para një viti kandidati fitues ka dalë me 19 vota diferencë. Kjo diferencë për një vit mes qarqeve ultranacionalistëve grek kalon në 1500 vota i bie që të jetë një votë për të dhënë alarmin tek opozita.

E ka vënë alarmin me kohë që kur përkrahu një kandidat si Beleri. Nuk pati shans ta korrigjonte gabimin e tij.  Minimalisht duhet të mbështeste një kandidat të vetin. Dhe jo një kandidat që kishte si devizë të vetën, trashëgiminë e Fredi Belerit. E përcolli deri në burgun e Fierit, kandidati Gjikuria. Me këtë figurë opozita vetëm ka dobësuar imazhin dhe ka ulur bonuset e veta për zgjedhjet e ardhshme.'

G.K/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe