Fitoren e thellë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, kryesocialisti Edi Rama e sheh si 5 arsye më shumë për të falënderuar qytetarët për besimin që i dhanë PS, pavarësisht dobësisë ekstreme që sipas tij ndodhet opozita, motit me shi e natyrës së zgjedhjeve lokale, të cilat thotë se nuk e stimulojnë pjesëmarrjen e zgjedhësve në procesin e votimit.

"5 bashki, 5 fitore dhe 5 arsye më shumënpër t’i falenderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës se djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk se e stimulojnë pjesëmarrjen", shkruan Rama. 

Rama uron edhe 5 kryebashkiakët e zgjedhur, Brunilda Mersinin në Vlorë, Ervin Cecën në Berat, Florenc Dokën në Cërrik, Gramos Sakon në Tepelenë dhe Altin Bojnin në Mat, duke thënë se arritën rezultate kuptimplota që do jenë themel i punës për 5 në shërbim të komunitetit në 5 bashki.

"Urime kryebashkiakëve të rinj, nga Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës; Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave  dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës; Florenci në Cërrik, Gramozi në Tepelenë dhe Altini në Mat, që të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve", shkruan Rama. 

Kandidatët socialistë fituan thellë përballë rivalëve të tyre në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në 5 bashki, ndërsa PD, e cila mbështeti kandidatë të pavarur, pësoi rënie të thellë duke zbritur nën 20%.