Kreu i PD tregon se në atë kohë mendon se askush më mirë se ‘Valltari fluturues’ nuk e manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme, pasi ai i ngjante një shqiponje me krah të hapur dhe shikimin e mprehtë.
Sipas Bashës, vallja e artistit të madh ishte një ushqim epik që të çonte shpirtin peshë, ndërsa shton se i detyrohemi shumë Rexhep Çelikut.
“Jam i hidhëruar nga lajmi se u largua sot shumë para kohe, një zot i skenës, Rexhep Celiku. Që në fëmijëri më ka lënë mbresa arti i tij dhe kam menduar se askush më mirë se ai nuk e manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme, sepse askush më shumë se ai nuk i ngjante një shqiponje me krahët e hapur e shikimin e mprehtë. Vallja e tij ishte një ushqim epik që të çonte shpirtin peshë. I detyrohemi shumë Rexhep Çelikut, i cili, ishte bërë me kohë me talentin, pasionin dhe virtuozitetin e tij, nder i kombit. I mundur nga sëmundja e rëndë, por fatlum që do jetojë gjithnjë tek ne, me krahët lart e shikimin nga qielli, si shqiponjë krenare”, shkruan Basha.
(Mesazhi i kreut të PD, Lulzim Basha)
d.c./shqiptarja.com










