Prezenca e OSBE-së, si partnere tradicionale e Shqipërisë në reformën e saj për forcimin e shtetit ligjor, e kremton me krenari këtë arritje. Tradita jonë është traditë bazuar në cilësi. Asistenca jonë për çdo akt ligjor në këto 17 vite ka mbështetur ekselencën në reformën ligjore. E kam fjalën për cilësi jo thjesht të formulimit të tekstit, por njëherësh, cilësi të procesit demokratik.
Parimi i parë i procesit demokratik është përfshirja. Përfshirja është thelbësore për qëndrueshmërinë, për zbatimin e reformës në plan afatgjatë.
Procesi demokratik është përfshirës kur të gjithë kanë mundësinë të kontribuojnë dhe kur të gjitha kontributet çmohen. Përveç ekspertëve, kjo do të thotë që të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, si dhe të gjithë ata që i drejtohen këtij sistemi, të kenë mundësinë e pjesëmarrjes. Mundësia ka dy anë: rastin, siç janë konsultimet e gjera dhe takimet e hapura, si dhe kohën, kohën për të studiuar, për të diskutuar dhe për t'iu përgjigjur propozimeve.
Me keqardhje konstatoj se, në këtë fazë, jo të gjitha forcat politike kanë shfrytëzuar mundësinë për të marrë pjesë në këtë proces. Ato nuk duhet të përjashtojnë veten nga formësimi i të ardhmes së Shqipërisë.
Në këtë proces, elementi thelbësor i radhës është shpejtësia: reforma duhet të vazhdojë pa vonesa dhe pa ngurrim, por edhe pa ngut. Po t'i biem shkurt gjatë procesit demokratik, ka rrezik që të bëjmë gabime dhe të zgjidhim problemet e sotme duke krijuar probleme të reja për të ardhmen.
Ekspertët po shqyrtojnë ndryshime kushtetuese dhe legjislative shumë serioze e të rëndësishme. Në nivelin e lidershipit duhet të shohim përtej këtyre ndryshimeve dhe të hedhim sytë te zbatimi. Zbatimi i ligjeve të reja ka rezultuar sfidë në të kaluarën, por është një sfidë që mund ta përballojmë së bashku tani që t'i paraprijmë një të ardhmeje më të mirë. Por kjo kërkon planifikim.
Tani, ndërkohë që ekspertët po punojnë për masat legjislative, është koha të bihet dakord për një plan zbatimi. Le të punojmë së bashku për të krijuar një Plan Strategjik, me vizion gjithëpërfshirës për sistemin e drejtësisë sot dhe nesër. Plani duhet të përmbajë masa menaxhimi si, për shembull, futjen e sistemit të Menaxhimit Aktiv të Çështjeve në të gjitha gjykatat e rretheve, të nevojshme përpara se ndryshimet të hyjnë në fuqi.
Plani Strategjik duhet të identifikojë ndryshime të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata. Ai duhet të llogarisë nevojat për burime, si dhe fushat ku duhen hulumtime të mëtejshme për të adresuar çështjet përcaktuese lidhur me politikat. Plani, gjithashtu, duhet të identifikojë nevojat për trajnim për gjyqtarët, avokatët dhe të tjerë, që të mësojnë të punojnë me legjislacionin e ndryshuar.
Prezenca e OSBE-së ndan shqetësimin për përmirësimin e llogaridhënies në lidership, në sistemin e drejtësisë dhe në të gjitha institucionet. Korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha për përparimin e Shqipërisë: për të përshpejtuar zhvillimin e këtij vendi, duhet ta shërojmë atë nga kanceri i korrupsionit. E dimë që kjo sëmundje ka prekur shumë shtresa të shoqërisë dhe institucione publike, përfshirë gjyqësorin. Është e rëndësishme të theksojmë, megjithatë, se masat antikorrupsion duhet të shtrihen në mënyrë të bashkërenduar në të gjitha institucionet. Ato nuk janë vetëm çështje hetimi dhe ndjekjeje penale.
Më lejoni të theksoj se drejtuesit dhe institucionet e këtij vendi, përfshirë sistemin e drejtësisë, kanë përgjegjësinë që jo vetëm të luftojnë me vendosmëri korrupsionin, por edhe të udhëheqin përmes shembullit që japin. Drejtuesit dhe vendimmarrësit në Shqipëri kanë detyrimin që të jenë transparentë, llogaridhënës dhe – e fundit, por jo më e pakta – të ndershëm ndaj qytetarëve.
Si përfundim, dëshiroj t'ju përgëzoj të gjithë ju që morët pjesë në përgatitjen e këtij dokumenti analitik tërësor, sidomos Kuvendin, kryetarin e komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, zotin Xhafaj, si dhe të gjithë ekspertët.
Ky dokument përbën arritje në procesin e reformës dhe është një hap i parë serioz. Më lejoni të them se reforma në drejtësi është proces shumëdimensional dhe me shumë hapa, dhe shpresoj të çojë drejt një sistemi gjyqësor thelbësisht të ripërtërirë dhe të besueshëm. Një sistem gjyqësor për një shoqëri të drejtë, ku të gjithë qytetarët – nga më i pambrojturi deri te më i fuqishmi – të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të mund të gjejnë drejtësi.