Fjala e Ambasadorit Raunig për projektin
"Për një drejtësi pa vonesa"; reformën në drejtësi‏

10 shtator 2014
 
 
 
I nderuar President Nishani, Ministër Naço,
 
Të nderuar panelistë dhe të ftuar,
 
 
 
Jemi mbledhur këtu sot, sepse kemi një qëllim të përbashkët: “Drejtësi pa vonesa” për qytetarët shqiptarë. Bashkë me cilësinë dhe pavarësinë, efiçenca e proceseve gjyqësore është një përbërës thelbësor i sistemit të drejtësisë që luan rolin e vet në një demokraci funksionale. Ajo është, gjithashtu, element kyç për shëndetin ekonomik dhe social të një shoqërie, siç është edhe me rëndësi jetësore për zbatimin efikas të legjislacionit. Proceset e stërzgjatura gjyqësore po dëmtojnë besimin te drejtësia në Shqipëri. Siç tregoi edhe raporti i Prezencës së OSBE-së “Drejt Drejtësisë”, gjykimet e çështjeve civile në gjykatat kryesore të shkallës së parë zgjasin mesatarisht 280 ditë. Pothuajse gjysma e seancave të monitoruara ishin plotësisht joproduktive. Kjo do të thotë që në ato seanca nuk ka ndodhur asgjë thelbësore – as nuk është paraqitur asnjë argument apo akt, as nuk është marrë ndonjë provë dhe as nuk është bërë ndonjë kërkesë. Kjo, jo vetëm që ul besimin dhe respektin e publikut për gjykatat dhe për sistemin e drejtësisë në tërësi, por përbën, gjithashtu, një humbje të konsiderueshme kohe, si për gjyqtarët edhe për palët. Nuk e kam fjalën teorikisht – kjo situatë ka pasoja serioze dhe praktike për qytetarët shqiptarë. Më lejoni të marr një shembull nga një prej çështjeve të vëzhguara: një grua e moshuar e sëmurë shkon nga spitali në gjykatë dhe merr vesh se seanca nuk mund të zhvillohet për shkak se pala tjetër nuk është njoftuar. Për të tretën herë. Pikërisht kjo është arsyeja që po nisim këtë projekt sot në Korçë: të garantojmë dhënien e menjëhershme të drejtësisë përmes masave konkrete për pakësimin e vonesave. Në rastin e Shqipërisë, një pjesë e zgjidhjes qëndron te ndryshimi i praktikave të ndjekura nga gjykatat – duke i nxitur gjyqtarët që t’i menaxhojnë çështjet në mënyrë aktive. Kjo do të thotë që gjyqtarët bashkë me palët në proces të vendosin synime dhe afate për përfundimin e çështjeve, të shmangin shtyrjet e panevojshme të seancave gjyqësore dhe t’i përdorin me kursim seancat gjyqësore. Rezultatet e projektit tonë fillestar që e zhvilluam me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Krujës flasin vetë. Në Krujë, Kryetarja e Gjykatës, Alma Hoxha, dhe koleget e saj e kanë ulur numrin mesatar të seancave në çështjet penale nga 8.8 në 1.8 përmes menaxhimit aktiv të çështjeve. Numri i çështjeve të mbyllura nga gjykata e Krujës është rritur nga 467 për periudhën janar-mars 2013, në 732 për të njëjtën periudhë të vitit 2014. Kjo është një rritje mbi 150% brenda tre muajve të parë të projektit. Prezenca ka punuar ngushtë me gjyqtarët dhe punonjësit si të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Krujës, ashtu edhe të Korçës, për këtë projekt. Siç treguan edhe gjyqtarët e Krujës, me vullnetin për t’i rinovuar procedurat ekzistuese për t’i bërë ato më efikase, mund të arrihen rezultate mbresëlënëse brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Kryetari i Gjykatës Admir Belishta dhe gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë do të demonstrojnë se shpejti se në gjykatat më të mëdha mund të përmirësohet efiçenca. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë përpjekje me partnerët tanë, duke përfshirë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, kontributi dhe orientimi i të cilëve kanë qenë vendimtarë për projektin “Drejtësi pa vonesa”. Bashkëpunimi ynë me Programin JuST të USAID-it përbën një shembull të shkëlqyer të punës së përbashkët të aktorëve ndërkombëtarë për të kombinuar ekspertizën e tyre të specializuar për t’u ardhur më mirë në ndihmë institucioneve vendase. Në fund, duhet theksuar se zbatimi i suksesshëm i këtij projekti varet nga çdo gjyqtar, prokuror, avokat, oficer policie dhe përfaqësues shteti. Të gjithë duhet të angazhohen që ta bëjnë çdo seancë kuptimplotë dhe produktive. Rezultati na intereson të gjithëve. Që të gjithë përfitojmë nga seancat më produktive dhe nga gjyqet më të shpejta dhe që të gjithë duhet të ndërmarrim një rol aktiv për ta bërë këtë realitet. I njëjti bashkëpunim, i njëjti angazhim i plotë, është thelbësor që “projekti” më i madh i reformës në drejtësi të ketë sukses. Dhe duhet patjetër që të ketë sukses. Që Shqipëria të mbijetojë e të ecë përpara si demokraci, duhet të ketë një drejtësi ku njerëzit besojnë. Qytetari që ankohet, punëtori që apelon ndaj pushimit nga puna, i zoti i një prone, biznesmeni, investitori: ata duhet të jenë në gjendje të besojnë se sistemi shqiptar i drejtësisë do t’i trajtojë drejt, pavarësisht pasurive apo njohjeve. Siç vlerësohet nga kaq shumë njerëz – ekspertë ndërkombëtarë dhe qytetarë të thjeshtë – Shqipëria ka nevojë për një reformë themelore të mënyrës se si funksionin sistemi i drejtësisë. Kjo reformë duhet të përfshijë të gjithë aktorët, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Kuvendin. Kjo reformë duhet të jetë strategjike, me qëllim që të krijojë institucione të afta për t’u dhënë drejtësi të gjithë qytetarëve. Dhe kjo reformë duhet të fillojë tani. Faleminderit!
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Varri i Enverit dridhej nga demonët! Ushtarët që e ruanin përfunduan në çmendinë', Visar Zhiti: Pse Ramizi dhe Nexhmija e çuan Nënë Terezën te ish-diktatori?