FJALA E PLOTË E AMBASADORIT TË OSBE
Z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar pjesëmarrës!
Në emër të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, dëshiroj, së pari, të përgëzoj Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë për organizimin e kësaj veprimtarie, e cila vjen në çastin e duhur dhe mbledh së bashku një diapazon kaq të madh aktorësh, për të diskutuar çështjet kyçe, që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore.
Pak muaj më parë, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, të cilat misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve i quajti konkurruese, me pjesëmarrje aktive të shtetasve gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore. Një delegacion i OSBE/ODIHR-it kreu një vizitë vijuese në Tiranë gjatë javës së shkuar, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit përfundimtar me aktorët e rëndësishëm shqiptarë.
Prezenca e OSBE-së mirëpret gatishmërinë e shprehur nga qeveria shqiptare për të zbatuar plotësisht rekomandimet dhe për të vijuar punën me reformat zgjedhore dhe institucionale, me qëllimin për të përgatitur sa më mirë zgjedhjet në të ardhmen.
Ne mirëpresim çdo reformë zgjedhore që ndihmon përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor. Prandaj, ne inkurajojmë autoritetet Shqiptare që të trajtojnë rekomandimet që ndodhen në këtë raport – si dhe rekomandimet e papërmbushura nga raportet e mëparshme. Një reformë e tillë duhet bërë në kohë dhe në mënyrë profesionale. Duke marrë parasysh që zgjedhjet e ardhshme vendore do të mbahen pas rreth 18 muajsh, është shumë e rëndësishme që çdo ndryshim i mundshëm i Kodit Zgjedhor të miratohet rreth mesit të vitit 2014, në përputhje me Kodin e Këshillit të Evropës për Praktikat e Mira në Çështje Zgjedhore.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme që procesi i reformës të jetë i bazuar në konsultime të gjera dhe gjithëpërfshirje, me kontributin e të gjithë aktorëve të përfshirë në zgjedhje – partitë politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile. Kjo do të ndihmonte për të ndërtuar besimin dhe do t’u jepte të gjithëve një rol drejt arritjes së rezultatit përfundimtar.
Por sfida e vërtetë qëndron në zbatimin e Kodit Zgjedhor nga të gjithë aktorët. ODIHR-i ka theksuar që zbatimi nga ana e të gjithë aktorëve ka pasur mangësi në një sërë aspektesh. Korrigjimi i kësaj situate duhet të jetë përparësi.
Sidoqoftë, përputhja e plotë e zgjedhjeve me standardet ndërkombëtare do të arrihet vetëm kur partitë politike të zbatojnë ligjin në mënyrë të paanshme dhe në mirëbesim. Kjo është një pikë kyçe e raportit të ODIHR-it, që thotë “atmosfera e mosbesimit mes dy forcave kryesore politike cenoi klimën zgjedhore dhe vështirësoi administrimin e të gjithë procesit zgjedhor”. Nevojitet që drejtuesit politikë të punojnë së bashku për të ndërtuar një klimë besimin reciprok dhe për të arritur konsensusin për të zbatuar në mirëbesim kuadrin ligjor zgjedhor.
Partitë politike duhet, gjithashtu, të përkushtohen për të respektuar shtetin e së drejtës, në mënyrë që të garantojnë profesionalizmin e institucioneve. Kjo pikë është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me trajtimin e çështjes së KQZ-së, e cila vepron me numër të reduktuar anëtarësh që nga mesi i prillit të vitit 2013. Prezenca inkurajon fuqimisht Kuvendin të përmbushë detyrimin ligjor për të plotësuar vendet bosh në KQZ, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.
Administrimi i zgjedhjeve është përmirësuar vazhdimisht në vitet e shkuara. Sidoqoftë, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ka ende fusha të cilat kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm, në veçanti në lidhje me ndërtimin e kapaciteteve të administratës zgjedhore. Trajnimi i përshtatshëm dhe i efektshëm i komisionerëve zgjedhorë të të gjithë niveleve është diçka thelbësore.
Prandaj, Prezenca e OSBE-së dhe Këshilli i Evropës po punojnë nga afër me KQZ-në për të shqyrtuar idenë e krijimit të një shkolle për komisionerët zgjedhorë. Kjo shkollë do të ofronte një platformë të qëndrueshme trajnimi, për çështje që lidhen me zgjedhjet, për komisionerët zgjedhorë dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm, edhe përtej periudhave zgjedhore. Kjo do t’u mundësonte në veçanti administratorëve zgjedhorë të niveleve të mesme dhe të ulëta të zgjeronin njohuritë e tyre profesionale dhe të përmirësonin profesionalizmin e tyre gjatë kryerjes së detyrave.
Brenda kuadrit të mandatit të saj, Prezenca e OSBE-së është e gatshme të ndihmojë institucionet shqiptare për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të garantuar zgjedhje në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe me standardet e tjera ndërkombëtare.
Mirëpresim përfshirjen e shoqërisë civile në këtë proces diskutimi dhe reforme dhe besojmë se veprimtaria e sotme do të shërbejë që procesi të nisë mbarë.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)