Fjala e Kryeministrit Berisha para komisionit hetimor parlamentar , 31/01/2011

Zoti kryetar,

anëtarë të komisionit hetimor parlamentar të puçit të 21 janarit,

të dashur qytetare e qytetarë,

sot jam këtu për të dëshmuar për ngjarjen më të shëmtuar në historinë e shtetit shqiptar, nga qershori i vitit 1924 gjer më sot, për një puç grusht shteti, të organizuar nga trojka Edvin Kristaq Rama, Gramoz, Ruçi, Skënder Gjinushi, për të përmbysur me dhunë pushtetin e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’i kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve kohërat e republikave të bananeve, kohërat më të vështira, më të pasigurta e më të pamerituara për qytetarët shqiptarë.

Zoti kryetar,

Puçi i 21 janarit ishte një grusht shteti i organizuar në përputhje me të gjitha rregullat e një akti të tillë të turpshëm; ishte një grusht shteti, i cili u paralajmërua në mënyrën më të përsëritur nga autorët e tij Rama, Ruçi e Gjinushi; ishte një grusht shteti, i cili u përgatit me frymën e një fundamentalizmi ekstrem, duke shfrytëzuar trashëgiminë më të zezë, më negative të Partisë Socialiste.


Grushti i shtetit u udhëhoq nga një treshe në krye të kësaj partie, duke besuar se Partia Socialiste do t’i mbështesë tërësisht ata, pasi e vërteta historike është se kurrë kjo parti nuk ka ardhur në pushtet nëpërmjet votës. Partia Socialiste është e vetmja parti, e cila në kongresin e saj të qershorit të vitit ’90 do të sanksionohej si trashëgimtare juridike e Partisë së Punës të Shqipërisë. Në vitin ’97, Partia Socialiste përdori dhunën, armët e të gjitha mjetet për të ardhur në pushtet. Partia Socialiste nuk bëri kurrë zgjedhje të denja për një vend dhe pasi i humbi ato, me drejtimin e ri dhe dua ta theksoj me drejtimin e ri, sepse unë, me gjithë kundërshtinë e jashtëzakonshme që kam pasur me kryetarin e saj të mëparshëm, kam vlerësuar e vlerësoj faktin se ky zotëri pranoi rotacionin e pushtetit, ndërsa udhëheqja aktuale, trojka Rama, Ruçi, Gjinushi, gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse të minojnë me çdo kusht votën e lirë të shqiptarëve, pushtetin e dalë prej saj.

Ky ishte një grusht shteti i kryer ditën për drekë, para mediave të Shqipërisë e të mbarë botës. Banditë, kriminelë, trafikantë, mercenarë, bashibozukë, në numër gjithsej më pak se 300 vetë, rrethuan për 5 orë Këshillin e Ministrave të vendit, kryeministrin e vendit, me vendosmërinë totale për ta pushtuar ndërtesën dhe natyrisht, për të larë hesapet me qeverinë e dalë nga zgjedhjet e lira.

Zoti kryetar,

për ata, të cilët mund të kenë qoftë edhe dyshimin më të vogël se çfarë ishte ngjarja e bulevardit, siç do të quhej me emrin kod nga puçistët, sepse ishte përgatitur jo vetëm skenari, por edhe semantika, terminologjia që do të përdorej, le t’i referohemi doktrinës së grushtit të shtetit. Në një nga fjalorët më prestigjiozë të botës, fjalorit amerikan Heritage thuhet se “grushti i shtetit është përmbysja e papritur e një qeverie, zakonisht nga grupe të vogla personash me pushtet, ose që më parë kanë qenë në pushtet”.


Zoti kryetar,


ata që rrethuan kryeministrin dhe Këshillin e Ministrave, ata ishin bajlozë të vjetër. Urdhër banditëve i jepte kryetari i puçit, por edhe ish ministri i Sigurimit të Shtetit Gramoz Ruçi, edhe ish ministri i regjimit të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushi, madje dua të them dhe ministra e mbi ministra të atyre që shqiptarët i nxorën me votë nga pushteti dhe që erdhën me dhunë.

Në enciklopedinë concize britanike, “grushti i shtetit është përmbysja e papritur e një qeverie ekzistuese nga një grup konspiratorësh”. Grupi që realizoi grushtin e shtetit kishte dy gjysma: anën e shndritshme, ku operonin Rama, Ruçi, Gjinushi, por kishte edhe të tjerë që qëndronin në anën e errët të hënës dhe këta ishin njerëzit e ngjarjes së bulevardit dhe jo vetëm këta. Mendoj se ky përkufizim është bërë kohë më parë, por sikur të bazohej tërësisht mbi atë që ndodhi në 21 janar.

Në fjalorin e historisë ushtarake të Oksfordit, grushti i shtetit është përpjekja për të ndryshuar një qeveri me kërcënime. Shqiptarët përjetuan gjatë dy muajve të fundit kërcënime nga më të papërmbajturat, por veçanërisht 10 ditët e fundit, kreu i grushtit të shtetit Edvin Kristaq Rama do të deklaronte se Kryeministri i vendit ose do të pranojë kushtet, ose populli do të tejkalojë Kushtetutën, se demonstrata e popullit nuk do të kontrollohej, madje natën para asaj dite do të paralajmëronte Kryeministrin se do t’i duhej të kalonte mbi kufoma. Por, siç thotë dokumenti monumental i Oksfordit, suksesi ose jo i grushtit përcaktohet nga qëndrimi i institucioneve që kanë forcën.

Në shumicën e rasteve një grusht shteti, theksohet në këtë dokument, ndërmerren për të përmbysur një apo disa drejtues tipikisht udhëheqës civilë dhe për të vendosur një pushtet alternativ apo një grupi alternativ. Udhëheqësi dhe udhëheqësit që duhej të përmbyseshin ishte koalicioni aktual. Do t’u përsëriteshin mandatet atyre që ishin angazhuar në konspiracion dhe do të merrte kreun e mazhorancës kryepuçisti Edvin Kristaq Rama.

Në fjalorin politik të Oksfordit theksohet se “grushti i shtetit përcaktohet si rrëzimi i papritur me forcë dhe ilegal i një qeverie”. Nuk besoj të ketë gjë më të kristaltë sesa përpjekja që bënë puçistët në datën 21 janar ndaj qeverisë legjitime të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s. Ata, të cilët imagjinojnë grushte shteti si vërshim tankesh në rrugë, janë gabim. Një nga specialistët më të shquar në botë, Edward Luttwak thekson se “një grusht shteti, një puç konsiston në infiltrimin e një segmenti të vogël por kritik të aparatit shtetëror, që përdoret më pas për të larguar kontrollin e qeverisë nga ato pjesë që kanë mbetur”. Luttwak shkruan se Forcat e Armatosura nuk janë tipar dallues për një grusht shteti. Në Shqipëri, Forcat e Armatosura janë një institucion i shkëlqyer, anëtar i NATO-s, të gatshëm për të mbrojtur rendin kushtetues të vendit, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

21 janari ishte një grusht shteti, po t’u referohemi të gjitha përcaktimeve që ekzistojnë sot në literaturën botërore për këtë akt të shëmtuar. Enciklopedia britanike thotë se intervencioni politik është grusht shteti dhe nënkupton rrëzimin e papritur me dhunë të qeverisë ekzistuese nga një grup i vogël. Ky grup ishte aq i vogël, aq mjeran! Këta ishin 20, 30, 40 aventurierë, të udhëhequr nga një kryepuçist, me gjithsej 200 deri në 300 bashibozukë, morracakë, të droguar, hajdutë, njerëz që kishin ardhur të rrëzonin një qeveri legjitime.

Në fjalorin e lirë, puç apo grusht shteti është përpjekja e papritur e një grupi njerëzish për të rrëzuar një qeveri. Në një dokument tjetër thuhet se grushti i shtetit është rrëzimi i shpejtë jashtëligjore i një qeverie. Në një tjetër Word Web thuhet se “grushti i shtetit është një ndryshim i shpejtë, vendimtar, ilegal ose me forcë i një qeverie”. Në një dokument tjetër themelor thuhet se grushti i shtetit është përmbysja e papritur me forcë e një qeverie nga një grup puçistësh kundër saj. Besoj se nuk ka shqiptar që nuk e ka të qartë se cili ishte grupi i puçistëve që kryesohej nga Edvin Kristaq Rama.

Kam këtu mbi 17 përkufizimi, që të gjitha mbi grushtin e shtetit, e cilësojnë si një akt të përmbysjes së një qeverie me dhunë. Por grushti i shtetit të 21 janarit nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur. Ai ka pasur skenarin tipik puçist, i cili filloi me montimin, falsifikimin e një video nga Edvin Kristaq Rama, me ndihmën e një hierarku, e një persekutori të vjetër të Sigurimit të Shtetit, njeriut që burgoste me ekspertizat e tij hanxhar të rinjtë shqiptarë, edhe djalin e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, të Abaz Kupit, Fatbardh Kupi. Këtu është dokumenti i njeriut që 30 vjet më parë, me dëshminë e tij do të bënte që të dënohej me 12 vjet burg një i ri për hartimin e maturës që kishte bërë dhe ky është çakalli i Edvin Ramës, me të cilin filloi edhe skenari i grushtit të shtetit. U shfaq një video.

Zoti kryetar, reagimi im ndaj asaj videoje ka qenë i fuqishëm dhe jo se unë u lëndova personalisht, por se e perceptova atë si fillimin e një skenari ogurzi. Në rast se qytetarëve u kujtohet në mënyrë të përditshme në parlament dhe kudo, u ndërmorën sulmet më të fuqishme kundër manipulatorit dhe organizatorit të këtij manipulimi. Megjithëse të nesërmen, gazetarët me integritet detyruan çakallin e Ramës që media e tyre të shfaqte pjesën nga ora 13.29.42 sekonda në orën 13.30.4 sekonda, pra, mbi 20 sekonda të prera, gjatë të cilës faktohej se Kryeministri i vendit nuk kishte asnjë lidhje me atë bisedë që Zëvendëskryeministri bënte me ish ministrin e Ekonomisë dhe se në atë bisedë bëhej fjalë jo për kontratë, jo për tender, jo për koncesion, por bëhej fjalë për zëvendësimin e Drejtorit të KESH-it, në përputhje me marrëveshjen midis Partisë Demokratike dhe LSI-së, një kandidat që ishte i PD-së do të zëvendësohej me një kandidat të LSI-së. Por pavarësisht se ishte qartësisht i montuar, sërish Zëvendëskryeministri në aktin e parë iu drejtua me një letër Kryetares së Parlamentit, ku e njoftonte se ai nuk i njihte vetes asnjë imunitet dhe në aktin e dytë erdhi në zyrën time, duke më njoftuar dorëheqjen e parevokueshme, në një akt të lartë qytetarie, por edhe një akt i lartë përgjegjësie politike, pasi, u shpreh zoti Meta, unë nuk pranoj të ulem para prokurorit të shtetit si Zëvendëskryeministër, por si qytetari Ilir Meta. Ndonëse kisha dijeni të plotë, rezultoi se segmente të tjera të videos ishin të manipuluara, rezultoi se 700 mijëshi që përmendet në video ishte në shkresën, me të cilën kompania i drejtohej ish ministrit për dëmin që asaj i krijohej me moszbatimin e vendimit të gjykatës. Por të gjitha këto janë çështje të hetimit dhe unë ju ftoj juve që atë video ta bëni objekt të hetimit tuaj. Prokuroria po heton për korrupsion dhe unë e përgëzoj, por ju duhet të hetoni se aty është fillimi i puçit. Gjithmonë në puçe ka një shkak, duhet të gjendet një pretekst dhe Edvin Kristaq Rama përcaktoi si pretekst shpifjen, trillimin, manipulimin, në bashkëpunimin me një hierark të vjetër të Sigurimit të Shtetit, që u bënte natën e zezë të rinjve shqiptarë, çakallin e tij në Top Channel.

Zoti kryetar,

Hetimi i asaj videoje është jashtëzakonisht i rëndësishëm nga ana juaj, me lidhje me asgjë tjetër përveçse lidhjes së saj me puçin që përjetoi Shqipëria. Ndonëse video u paraqit para gjithë shqiptarëve dhe manipulimi ishte i qartë si drita e diellit, pati një që njeri u tha shqiptarëve në mënyrën më të pafytyrë se nuk është manipulim, por është e vërtetë dhe ky njeri është kreu i puçistëve Edvin Kristaq Rama. Më pas, puçi vazhdonte. U mblodh Asambleja e Partisë Socialiste, të cilën Edi Rama e shndërroi në parti të dhunës dhe e riktheu në origjinën e vet. Edi Rama nuk u fshehu shqiptarëve qëllimet e tij puçiste. Përkundrazi, shqiptarëve u tha se në demonstratën e 21 janarit populli nuk do kontrollohet, por populli e kontrolloi veten shkëlqyeshëm. Ata që rrethuan kryeministrinë nuk ishin gjë tjetër veçse fundërrina, të cilët mjerisht gjenden në çdo komb. Por kur gjejnë një puçist, në mercenarizmin e tyre ata janë të aftë të mos njohin asgjë. Kështu që populli u kontrollua dhe u kontrollua në mënyrë të shkëlqyer. Mijëra e mijëra socialistë, që me qindra herë kishin ardhur për të protestuar tek dritaret e zyrës së Sali Berishës e të Këshillit të Ministrave dhe që nuk kishin pasur as edhe lëndimin më të vogël, veçse respektin total për liritë e tyre, u larguan nga vendi i ngjarjes.

Zoti kryetar,
Puçi u paralajmërua gjerësisht nga Rama, Ruçi dhe Gjinushi. Ky i dyti do të më kërcënonte në parlament se 21 janari ishte fundi im. Unë ju them tani se 21 janari ishte triumfi im dhe njëherësh, 21 janari ishte fundi juaj puçist.
Ky ishte një puç i përgatitur me shumë kujdes, me financim të madh, me mjete të veçanta. Por ajo që nuk kishin llogaritur kurrë puçistët ishte se ata nuk dinin që Policia e këtij Shteti, policia e këtij vendi të lirë ishte e aftë dhe e zonja të zmbrapste çdo puç. Ata nuk llogarisnin se Garda e Republikës së këtij vendi ishte e aftë të mbronte me çdo sakrificë institucionet e republikës. Ata nuk dinin se Shqipëria nuk ishte më skafo-republikë e tyre, por ishte vend anëtar i NATO-s dhe shtetit ligjor.

Për 10 ditë resht, deputetë dhe drejtues të PS-së në rrethet Has, Kukës, Pukë, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Peshkopi, Burrel, Tiranë, Durrës, Krujë, Librazhd, Elbasan, Korçë, Kolonjë, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë rekrutuan mercenarët, paguan sipas dokumenteve të pakundërshtueshme 200 deri në 300 dollarë vetëm për dhunën, 50 deri në 100 dollarë për transportin dhe shpenzime të tjera. U mblodhën për t’u shpërndarë nga baronët e krimit të organizuar në krye të PS-së Fidel Ylli, Tom Doshi, Sadri Abazi, Artan Dulaku, Koço Kokëdhima e të tjerë rreth 2 milion euro. Janë shpërndarë 1.3 milion dhe të tjerat janë në rezervë, apo kanë përfunduar në xhepat e tyre, sepse bashibozukët atë ditë u kthyen e po vidhnin protestuesit në mënyrën më çnjerëzore. Me këto para janë siguruar ngarkesat e tritolit, janë siguruar armët e veçantë, kallashnikovët.

Zoti kryetar,
qytetarët shqiptarë kaun dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbërthimin në çdo qelizë të këtij puçi, të këtij akti të shëmtuar. Ata paralajmëruan Kryeministrin e vendit në dhjetëra në mos qindra raste si po përgatitej. Me një shkallë të lartë përgjegjësie, ata u përpoqën, bënë më të mirën për të paralajmëruar njerëzit e tyre që të mos vinin si mish për top të një grushti puçistësh.

Grushti i zhvillua para kamerave. Qytetarët shqiptarë panë se pasi nuk thyen dot pjesën ballore të Policisë së Shtetit, puçistët dhanë urdhër të sulmohej porta e kryeministrisë.

Zoti kryetar,
në mediat e këtij vendi janë transmetuar thirrjet që vinin nga kullat binjake nga drejtuesit e tyre: përpara, hyni, çani portën. Por sot disponojmë dokumente të pakundërshtueshme se deputetët kryesorë të kësaj partie kërkonin me çdo kusht, urdhëronin me telefon nga lokalet e Fidelit: përpara, ecni, mos kini frikë, të shtënat janë me fishekë manovre, ju do fitoni dhe gjenerali tjetër që pyeste t’u çojmë tani kallashët apo më vonë. Tek Tajvani, një makinë e veçantë ishte e mbushur me tritol, në kallëpe 400 gramëshe, të cilat u shpërndanë dhe i hodhën në mënyrë të përsëritur kundër Gardës dhe Policisë së Shtetit. Makinat me kallashnikovë ishin afër. Edi Rama qëndronte në krye të komandës. Në rast se ndonjëherë një nga puçistët, i sigurt në disfatën, i sugjeroi të largohemi se humbëm, kryepuçisti i thotë në asnjë mënyrë, të vazhdojë beteja. Ëndërronte, besonte se me ata banditë, me ata njerëz të hurit e të litarit, të gurit e eksplozivit do mund të vinte në zyrën e kryeministrit. Kryeministria, Këshilli i Ministrave kishte një mbrojtje të plotë e totale. As 200, as 2000 e as 20 mijë nuk mund ta merrnin atë. Kurrë! Ajo kishte një mbrojtje absolute dhe do të ketë një mbrojtje absolute. Sikundër, në këtë vend të lirë do të respektohet me vendosmërinë më të madhe çdo liri dhe e drejtë e qytetarëve shqiptarë për protestë dhe po me ato ligje, po me atë Kushtetutë do të mbrohen me vendosmëri totale institucionet e këtij vendi.

Pasi mbarova drekën, në orën 14.15 u ktheva në zyrën time. Punonjësve u thashë se institucionet janë kështjella dhe nuk jepen kurrë. Sado e hidhur, sado e shëmtuar, sado e dhimbshme që është ajo që ndodhi në 21 janar, nga ana tjetër, po kaq madhështore, po kaq heroike, po kaq domethënëse është qëndresa e atyre burrave dhe grave të Policisë së Shtetit dhe Gardës, të cilët bënë të qartë se institucionet, kështjellë të lirisë, nuk jepen, nuk mund t’i pushtojë kush kurrë.
Zoti Kryetar,
Demonstruesit erdhën për protestë paqësore, por një pjesë e tyre ka ardhur e pajisur me armë shumë të veçanta, me çadra pistoletë, me stilolapsa pistoletë, me pistoleta e mjete të ndryshme. Duhej me çdo kusht që kryeministri vendit në qoftë se nuk dorëzohej, të kalonte mbi kufoma, të realizohej ajo që kishte paralajmëruar kryepuçisti Rama. Mbi këtë ngjarje ne sot disponojmë të dhëna të shumta, për çdo qelizë, çdo segment të zhvillimit të saj. Por natyrisht, pjesa më kriminale e kësaj ngjarjeje ishte në bunkerin e Fidelit. Aty, Edvin Kristaq Rama me puçistin Ruçi, Gjinushi, me bllokmenë të tjerë, por dhe eksponentë të mafias që ka, të dy dulakët, me pasardhës të bllokut, me të ashtuquajturit gazetarë, të cilët do të botonin në faqet e zeza të tyre njoftimin se Berisha u arratis, kërkoi strehim në ambasadën serbe. Të gjithë ishin në komandë. Që të gjithë janë të dokumentuar. Në komandë ishin edhe ata deputetë të PS-së që rrethuan me zjarr kryeministrinë dhe i prinë zjarrit. Keni bërë një akt shumë të përgjegjshëm, kërkuat tabulatet. Tek Shekspiri thuhet drama gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska. Tabulatet u bënë edhe gracka, ku shpirti i puçistëve kapet e bie si laraska. Ata e dinë veten e tyre ndaj këtij akti, çka i ka tronditur puçistët, sepse në ato kontakte janë të gjitha lidhjet e tyre me krimin, në ato kontakte qëndrojnë të gjitha lidhjet e tyre me puçin. Të jeni të sigurt se përveç atyre ka dokumente të shumta, të cilat Kryeministri i vendit do t’i dorëzojë të gjithë në këtë komision, por edhe në institucionet përkatëse. Pra, zoti kryetar, kemi të bëjmë me një puç të paralajmëruar.

Në mëngjesin e datës 21 janarit, si akti i parë zyrtar kam thirrur ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe u kam kërkuar t’u transmetojnë Policisë së Shtetit dhe Gardës porosinë time për vetëpërmbajtje maksimale, të dëshmojmë respekt të madh për protestën paqësore, për ata që duan të protestojnë në mënyrë paqësore. Ne kishim informacione të sakta nga shqiptarët, por edhe nga diplomatë të vendeve mike për atë që mund të ndodhet dhe që do ndodhte. Por neve takonte që në asnjë mënyrë, të nisur nga këto informacione, të shfaqej qoftë edhe nervozizmi i vogël. Më mbrapa jam informuar se ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kanë përcjellë me përgjegjësi porosinë time tek të gjithë trupat. Ajo që është e papranueshme dhe që kërkon një hetim të thellë nga juaj është fakti se Shërbimi Informativ Kombëtar, Agjencia përgjegjëse për zbulimin dhe kundërzbulimin në këtë vend, që një nga objektivat kryesor ka mbrojtjen e rendit kushtetues, nuk ka sjellë as edhe informacionin më të vogël. Kërkesës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në datën 16 janar dhe ju do keni disponibël dokumentin, kjo Agjenci i përgjigjet se nuk ka asgjë të re. Ndërkohë kur ne kishim informacione të plota për atë që mund të ndodhte.

Cili është shkaku dhe arsyeja, çfarë ia lidhi sytë e i shurdhoi veshët këtij Shërbimi, për të cilin qeveria shqiptare shpenzon sot, për punonjësit e saj 70 përqind më shumë se në vitin 2006. Natyrisht, ishte një shërbim me 1500 vetë dhe i binte të ishte 10 herë më i madh se Shërbimi i Britanisë së Madhe, po ta proporcionojmë për frymë, u ridimesionua dhe arriti në 950 vetë dhe për punonjësit shpenzimet në këtë Shërbim janë rritur 70 përqind, sa asnjë institucion tjetër i vendit. Kjo çështje meriton një hetim i plotë. Nëse këta sy të lidhur e veshë të shurdhur kanë lidhje me vendosmërinë e kryeministrit për të përcaktuar mandatin, është në tagrin tuaj ta hetoni. Pas një kërkesë të bërë nga aleati e vendi që ka përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë unë e shtyva, ndonëse unë mbeten dhe i qëndroj parimit të mandatit. Por një vend që ka bërë gjithçka për Shqipërinë më shumë se kushdo tjetër nuk mund të mos dëgjohej nga kryeministri dhe këtë e bëra pasi bisedova me zyrtarë të qeverisë amerikane me një mirëkuptim. Natyrisht, jo se unë do të hiqja dorë nga mandati, por normale që në çështjet e sigurisë e them edhe haptas ne mbështesim kudo e për çdo gjë qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e mbështesim sepse ato kanë përgjegjësinë kryesore në botë për sigurinë e paqes e stabilitetit. Kjo është arsyeja.
Shërbimi Informativ në disa rrethe, ju duhet të hetoni nëse kanë dërguar apo jo të dhëna në qendër, nuk mund ta them. Unë personalisht di të them këtë që thotë policia. Është e papranueshme që gjatë ditës së puçit Drejtori i Shërbimit Informativ nuk i ka hapur telefonin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili i ka telefonuar në mënyrë të përsëritur. Po ditën e puçit, ky zotëri i ka deklaruar Shefit të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake se nuk ka asgjë të veçantë. Dhe kjo është një deklaratë në drekë. Komisioni duhet të hetojë për të gjithë këto. Ai duhet të hetojë edhe për disa probleme të tjera, të cilat nuk kanë interes publik, por që meritojnë një hetim nga ky komision, për disa të vërteta që janë të rëndësishme për ju.

Zoti kryetar,
Pas 5 orë barbarish mbi Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, grushti dështoi dhe ju garantoj se nuk kishte asnjë shans, zero shans. Në këtë përplasje mbetën tre të vrarë. 81 gardistë të plagosur, 27 policisë dhe dhjetëra demonstrues. Unë kam dalë menjëherë para shqiptarëve dhe kam theksuar se duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave, të cilët, sipas të dhënave paraprake, janë qëlluar nga afër me armë zjarri jo në përdorim të forcave të rendit, pasi këto ishin të dhënat që më erdhën nga spitali, i kërkoj prokurorisë të zbardhë rrethanat e goditjes së tyre në ët gjitha aspektet. Kjo është kërkesa ime në datën 21 janar, në orën 19.00. Natyrisht, e kam theksuar dhe e theksoj se në përpjekjen për një grusht shteti mund të mos ketë asnjë viktimë, mund të ketë 3, mund të ketë 30. Garantoj shqiptarët se kurrë ndonjëherë, cilido të jetë çmimi, një institucion i lirë i këtij vendi të lirë nuk do mund të merret kurrë nga askush. Kjo është jashtë çdo diskutimi. Institucionet nuk preket, liritë e të drejtat e këtij vendi nuk preken. Ky është qëndrimi im. Ndaj dhe unë i kërkova prokurores së shtetit të nisë menjëherë hetimin, pasi kështu është rregulli, si u vranë, kush i vrau, në ç’kushte u vranë. Të gjithë këto, përgjigje që duhet t’i japë ekspertiza. I eliminuan ata që kishin ardhur çadra-pistoletë apo stilolapsa-pistoletë, apo i eliminuan gardistët, të cilët, kur u hap dera, qëlluan në ajër, para të gjithë kamerave, sepse po të qëllonin direkt mbi objekt do të kishte dhjetëra të vrarë, qëlluan direkt, u shkau dora, të gjitha janë çështje të ekspertëve dhe që të gjitha hetohen në një vend të lirë. Dhe vdekja është gjëja më e dhimbshme.
Por puçi nuk ndalonte, humbën një betejë, me turp, me bisht ndër shalë dhe sërish besuan se nuk kishin humbur. Në qoftë se e keni konstatuar atë natë, kreu i puçit Edvin Kristaq Rama ka dalë tre herë në media, përfshirë edhe orën 01.00 të natës. Në orën e fundit, ky puçist do t’u deklaronte shqiptarëve se do të protestojmë nesër kundër horrave të Gardës, e cila ka vite që mbron Edvin Kristaq Ramën dhe e mbron me eficencë të plotë. Këtë do ta deklaronte në orën 01.00. pas kësaj ore, pasi unë e kam zakon të fle vonë, dhe vetëm brenda tre katër orëve, pas shpalljes së kësaj proteste që do të mbahej, një faktor tjetër politik i këtij puçi, siç do faktohej, Prokurorja e Përgjithshme do të vendoste arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës së Gardës, në mënyrë që puçistët të demonstronin lirshëm kundër horrave të Gardës e të pushtonin institucionet. Ministri më informon herët e më thotë se na ka ndodhur kjo gjë. Por unë kisha informacion edhe për stadin B dhe për stadin C të puçit, ndaj nuk isha aspak i papërgatitur. Në këto kushte, ministri lidhet në telefon me Prokuroren e Përgjithshme dhe i thotë se në rast se arrestonin pa asnjë hetim të gjithë zinxhirin e komandës së Gardës, me kë do t’i mbrojmë institucionet, pasi ai i kishte shpallur luftë horrave të Gardës që nuk e lanë të realizonte qëllimin e tij puçist. Burimet direkt nga prokuroria e shtetit më informojnë se ishte përgatitur grupi i gatshëm, i cili, në rast se kryeministri nuk do eliminohej me puç, do të merreshin me hetimin e tij. Nga Prokuroria e Përgjithshme më njoftojnë se ky është urdhër direkt i Prokurores së Përgjithshme, në bashkëpunim me kreun e shtetit.

Ndërkohë, të nderuar deputetë, në deklaratën që kreu i shtetit kishte lëshuar pasdite, në kulimin e agresionit ndaj Këshillit të Ministrave, Shkëlqesia e tij nuk citonte as edhe një herë të vetme fjalën dhunë. Shkëlqesia e tij, Presidenti i republikës i kërkonte të gjithë faktorëve të negocionin për të qetësuar protestuesit. Ndërkohë dërgonte zëdhënësin e tij të pashpallur në Top Channel, ku shprehej se Berisha duhet të negociojë me banditët. Këto janë problemet, një besëprerë dilte aty dhe thoshte se Berisha duhet të shqyrtojë dhe zbërthente, po nuk e kuptova se kush ia kishte shkruar shokut atë komunikatë ky atij, apo ai këtij. Pra, i kërkohej kryeministrit të rrethuar që të turpëronte flamurin e të negocionte me banditë. Kjo është deklarata. Presidenti i Republikës duhet të japë shpjegime se çfarë ia mbylli sytë atij që nuk pa dhunën që panë shqiptarët kundër institucionit kushtetues, cilat ishin ato mure që nuk e lanë atë të shohë, cilat ishin ato ekrane që nuk ia paraqitën atij këtë dhunë. Kjo është çështje, të cilën ju duhet ta hetoni. Shqiptarët duhet ta mësojnë të vërtetën. Një gjë dua t’ju garantoj se ndaj tij në mënyrë të përsëritur kam dëshmuar respekt, respekt dhe vetëm respekt. Që tre muaj kur ka ardhur pas emërimit në Partinë Demokratike, në atë seli ky zotëri ka pasur vetëm mbështetjen dhe respektin e kryetarit të saj. Tani ishte e habitshme.

Të nesërmen, ministri më thotë se kishte një takim presidentin në orën 10.00. E pyes përse e kishte kërkuar atë takim dhe mu përgjigj për arrestimet e Gardës. I them të mos merrej me këtë, pasi unë kam informacionet e mia dhe që gjithçka kombinohej mes Prokurores së Përgjithshme dhe atij. Por meqenëse do të shkosh, pasi nuk ke pse e anulon takimin, i thashë shtroi një pyetje: zoti President, mbi pesë orë është sulmuar në mënyrë barbare Policia e Shtetit dhe institucioni kushtetues i Këshillit të Ministrave. Dhe përgjigja e Presidentit të republikës ishte kjo: opozita ka vetëm fjalë. Së dyti, kur po diskutohej çështja e arrestimit të zinxhirit të komandës së Gardës, Presidenti i republikës i drejtohet ministrit Basha: ki kujdes ato letrat e tua.

Në një situate të tillë, për të parandaluar zhvillime, Ministri Takon përfaqësuesit kryesor diplomatikë dhe unë i thirra në takime të veçantë dhe në grup. Në këto takime i informova për zhvillimet dhe ju kërkova që të sjellin hetues dhe të kontribuojnë në zbardhjen e kësaj të vërtete. Ne jemi shumë të hapur ndaj çdo hetimi, se do të vlerësoja shukë çdo kontribut në këtë drejtim dhe se nuk kam asnjë tendencë, në mënyrë absolute, për të parandaluar asnjë lloj hetimi. Përkundrazi, të secili nga ata, për të cilët është lëshuar mandat arresti, është i gatshëm të deponojë nga ora 12 e natës në orën 12 të ditës, por jo nën arrest kolektiv, siç veproi kryeprokurorja. Një zhvillim intensiv takimesh, ambasadori i SHBA-ve njoftoi se qeveria amerikane ka pranuar dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për hetimin, pasi besueshmëria e institucionit ishte kompromentuar në shkallën maksimale nga titullari i saj. Ky titullar, por edhe zoti Rama pranuan që ekspertë të shquar të SHBA-ve t’i bashkohen hetimit, duke e konsideruar hetimin si elementi më themelor të zgjidhjes së kësaj krize të rëndë, të krijuar nga tentativa për të marrë pushtetin me dhunë nga kreu i PS-së, sëbashku me Gramoz Ruçin e Skënder Gjinushin. Në mënyrën më të papërgjegjshme, në prani të ambasadorit të SHBA-ve, prokurorja e vendit deklaron para gazetarëve se nuk kishte marrë asnjë padi nga policia për dhunim të rendit kushtetues, në një kohë kur e kishte marrë të paktën 24 orë përpara. Ju kërkua në mënyrë të përsëritur të japë sqarime, pro nuk pranoi. Ajo që është më e rënda, e rëndë njëlloj sa rrethimi i kryeministrisë dhe sulmi ndaj saj, ishte shkelja e marrëveshjes me faktorin ndërkombëtar që bëri prokuroria e vendit. Ne, për të kontribuar në një progres, vendosëm dhe ramë dakord që të gjithë anëtarët e Gardës të paraqiteshin për hetim, urdhrat e arrestit do të anuloheshin e do të vazhdonte hetimi sipas të gjithë procedurave, me gjykatë e gjithçka tjetër. Në mënyrë befasuese, kjo zonjë, pasi kishte dhënë miratim të plotë për një marrëveshje hollësisht të negociuar, e shkel atë dhe gardistëve të paraqitur për hetim kërkon me çdo kusht t’u vërë hekurat, pasi mitingu ishte të premten.

Zotërinj anëtarë të komisionit,

Zoti kryetar,
Hetimi i shkaqeve të shkelmimit të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë një nga pistat kryesore në hetimin e grushtit të shtetit, cila ishte qendra, cili ishte truri, cili ishte bosi që urdhëroi zonjën të grisë marrëveshjen. Ka një rëndësi të madhe për vendin që kjo të gjendet. Prandaj ju djegin shumë tabulatet, se të nesërmen e puçit në orën 5 pasdite, zonja merr në telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe i kërkon ekzekutimin e mandateve. Drejtori i thotë se i keni plotësuar me lapsuse teknike dhe vetëm 30 minuta më vonë, Edi Rama, kryepuçisti paraqitet para mediave dhe deklaron se policia nuk po ekzekuton mandatet sepse thonë se kanë lapsuse teknike. Unë kam indicet e mia se cili ishte komunikimi i zonjës Rama me zotin Rama, por është në tagrin tuaj dhe un do të përpiqen të jap ndihmesën time. Por sidoqoftë lemeria nga tablatet flet vetë.

Zoti kryetar,
Jam këtu për të shprehur një mirënjohje shumë të thellë qytetarëve të Tiranës, por në tërësi qytetarëve shqiptarë, të cilët me maturinë e tyre të qëndrimit demokratik, me përgjegjësinë e tyre lanë në vetmi 200-300 banditë, njerëz të hurit e të litarit, bënë që një grup aventurierësh të ndryrë në kullat binjake, në lokalin e Fidelit, pinjollë të bllokut, lakej e çakej të tyre përreth, të përjetojnë dëshpërimin dhe turpin më ët madh për dështimin e tyre. Unë dua të falënderoj të gjithë ata qytetarë, të cilët dhanë dhe japin një kontribut të madh për të qartësuar rolin gjithsecilit, atyre që ishin në bunker dhe atyre që ishin në shesh. Unë kam besim të madh se ju do t’i paraqisni parlamentit dhe shqiptarëve raportin më të plotë, me të vërtetat më konkrete. Një seri dëshmitarësh kanë dhënë dëshmi të shkëlqyera, të cilat do t’u jepej juve, por edhe grupit të hetimit.

Zoti kryetar e të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë,

Ky ishte një grusht që dështoi dhe që nuk mund të realizohet dot kurrë. Askush nuk mund të marrë Këshillin e Ministrave apo ndonjë institucion tjetër. Ky grusht, në fazën A synonte marrjen e Këshillit të Ministrave, Parlamentit, Televizionit Publik Shqiptar dhe ministrive kyçe. Drejtori i Televizionit Publik Shqiptar kërcënimeve me jetë, të bëra ditën para puçit, do t’u përgjigjej; urdhëroni, do më keni para jush lakuriq si kryetarin tuaj të puçit. Natyrisht, edhe zoti Beci kishte ndërmend të mbronte institucionin, njëlloj si unë detyrën time, por ia tha këtë se këtë institucion se merrni dot kurrë. Po kështu parlamentin dhe ministritë. Të gjithë kanë qenë në krye të detyrës.

Dua të falënderoj dhe ju bëj thirrje qytetarëve në të katër anët e vendit të kontribuoni sa më shumë në qartësimin gjithçka rreth kësaj ngjarjeje, më të turpshmen që ka ndodhur në 87 vitet e fundit, në historinë e vendit. I siguroj se demokracia shqiptare, institucionet, liria dhe vlerat e saj janë të pacenueshme. Është e vërtetë që një ndërtesë në bulevard u rrethua nga flakët, por është e vërtetë që shkëlqeu mbi flakët e çdo gjë vendosmëria, trimëria e heroizmi i burrave e grave që mbrojtën atë institucion dhe që janë të gatshëm të mbrojnë me çdo kusht institucionet e shtetit ligjor të këtij vendi e të bëjnë të dështojë çdo puçist e çdo puç.

Dua të informoj ju dhe shqiptarët se në interesin më të mirë të vendit e të shqiptarëve e t’ju garantoj se në vendosmërinë time më të madhe ka ekzistuar një kërkesë konstante që ky problem të trajtohet brenda institucioneve dhe ky është edhe vendimi im. Çka do të thotë se në rast se unë sot bëj transparencën para shqiptarëve për dy tre elementë në krye të institucioneve, nuk ngatërroj aspak institucionet, nuk më lëkundet aspak respekti ndaj institucioneve. Jam i bindur se hetimi është themelor, por jam i bindur edhe se thirrja e ekspertëve më të mirë nga një vend mik e i madh, i cili në çdo moment të vështirë ka ndihmuar më shumë se kushdo Shqipërinë e shqiptarët, ishte hapi i duhur dhe jam i bindur se ky hetim jetik për paqen e stabilitetin e vendit do të realizohet me paanësi, pavarësi dhe sukses të plot brenda institucioneve të këtij vendi.

Zoti kryetar,
Shpreha atë që kam konstatuar për kreun e shtetit, por ju garantoj ju dhe shqiptarët se ai do të respektohet në postin e tij. Natyrisht, para ligjit të gjithë jemi të barabartë. Në këtë kontekst, të gjithë do të dëshmojnë para shqiptarëve për rolin e tyre në këtë akt madhor dramatik që përjetoi vendi. Garantoj çdo institucion se ka respekt të plotë të qeverisë. Kjo është një arritje tjetër e madhe e demokracisë shqiptare. Sikundër, mbetem i vendosur për çdo përgjigje ndaj tentativave puçiste të përsëritura. Puçi nuk kalon në këtë vend. Ata që e ndërmorën duhet të marrin turpin e historisë.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht dallimeve partiake, që i besojnë lirisë e vlerave të saj, që i besojnë pluralizmit, që i besojnë demokracisë, të dënojnë këtë akt të shëmtuat si ditën më të zezë të demokracisë shqiptare dhe si një nga ditët më të zeza në historinë e kombit shqiptar. I garantoj se kurrë ndonjëherë grushtet nuk do të mund të kalojnë mbi institucionet e këtij vendi. Ju faleminderit.

Deklarata e kryeministrit eshte marre nga faqja zyrtare e Keshillit te Ministrave ( www.km.gov.al/index.php?fq=brenda&m=news&lid=14269 )

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Pushimet e shqiptarëve për festat e fundvitit, agjentja turistike për Report Tv: Vjena e Budapesti të preferuara! Egjipti më i vizituari këtë vit