Fjala e Kryeministrit e njëkohësisht Kryetarit të PS Edi Rama në takimin për anëtarësimet e reja në Tiranë

Së pari, më lejoni t’ju kërkoj ndjesë për vonesën  dhe t’ju siguroj megjithë zemër se nuk ishte vonesë nga ato të udhëheqësve të kohës së vjetër, po ishte për shkaqe objektive dhe duke qenë se unë respektoj edhe këto rregullat e qarkullimit, shkova deri poshtë te dogana, për të ardhur këtu tek Pallati i Sportit, kështu që ju kërkoj ndjesë për vonesën.

Këtu folën shumë kapitenë, foli edhe trajneri historik po këta të gjithë janë nga qendra e Tiranës, unë flas këtu në emër të “katunarëve” të Surrelit, Dajtit edhe të gjithë ish-komunave që tanimë janë pjesë e Bashkisë, edhe kanë të drejtën që të jenë jo vetëm nga pikëpamja fizike, pjesë e bashkisë, por edhe nga pikëpamja shpirtërore, dhe madje të përfaqësuar. Kështu që këta të qendrës që na mbajtën larg gjithë këto vite tani s’kanë ç’të bëjnë, do bashkëjetojnë me idenë që kryetarin e ka katundi.

Së dyti, dua që ti shpreh përzemërsisht mirëseardhjen gjithë vajzave, djemve, shpresoj edhe grave e burrave, që të mos jenë të gjithë mosha të reja, se pastaj mua me Pandin na duket sikur vijmë këtu të lëmë amanetet, jo për të ftuar të rinjtë, që sot janë përfshirë në PS. Dua t’ju them me shumë sinqeritet, përtej të gjithave, që nuk ka asnjë test më inkurajues për mua dhe për ne, nuk ka asnjë provë më bindëse për mua dhe për ne, nuk ka asnjë kompliment më të madh që mund të na bëhet për gjithçka kemi bërë në këto 2 vjet e gjysme sesa gjithë kjo valë e re prurjesh që e kanë rritur Partinë Socialiste, jo vetëm në numër, por edhe në cilësi, në këtë proces fantastik hapjeje, zgjerimi dhe fuqizimi. Është pa asnjë diskutim testi, prova dhe komplimenti që vlen më shumë se të gjitha bataretë dhe logoretë e marra se bashku në këto 2 vjet e gjysmë për të minimizuar apo më keq akoma për të relativizuar dhe cenuar gjithë përpjekjen tonë të megjithëzemërt, me mish e me shpirt për ti dhënë Shqipërisë një drejtim tjetër dhe për të hedhur bazat e një shteti normal që funksionon për të gjithë në Shqipëri.

Sigurisht, që ne jemi shumë të vetëdijshëm se çka kemi është larg së qeni mjaft për të thëne, “Puna jonë mbaroi!” Çka kemi bërë është larg së qeni mjaft për tu ndjerë mirë përpara çdo qytetari, familjeje, socialisti dhe socialiste. Sepse jemi shumë të vetëdijshëm që ka jo pak qytetarë, ka jo pak familje, ka jo pak socialistë, anëtare dhe anëtarë të kësaj partie, që nuk e kanë ende një punë, që nuk arrijnë ende ta prekin atë ndryshim për të cilin ne përpiqemi dhe të cilin po e sjellim në të gjithë sektorët e jetës, diku më shpejt, diku më ngadalë, diku me shenja më të qarta, diku me shenja më të zbehta. Kaq mjafton për të mos e konsideruar atë që kemi bërë si diçka për të cilën meritojmë duartrokitje.

Por nuk ka diskutim që ne mund ta themi me plot gojën se ne u kemi qëndruar besnik atyre që na dhanë votën në 23 qershor të dy viteve e ca më parë.

I kemi qëndruar besnikë atyre që na dhanë votën për ta kthyer Shqipërinë në drejtimin e duhur. Ne e kemi kthyer Shqipërinë në drejtimin e duhur. Sigurisht, kthesa në drejtimin e duhur nuk është mbërritja për aty ku jemi nisur të gjithë së bashku, por është premisa më e sigurtë se të gjithë së bashku ne patjetër do ti mbërrijmë një e nga një stacionet që kemi marrë përsipër dhe së bashku patjetër ne do ti japim mundësinë vetes, çdonjërit nga ne këtë familje politike që ta konsiderojmë këtë pjesë të rrugës tonë në familjen tonë të përbashkët një histori suksesi, në shërbim të vendit tonë dhe të familjeve, të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Ne kemi dhe një arsye tjetër për tu ndjerë të inkurajuar, për tu ndjerë të vlerësuar, për tu ndjerë në rrugën e duhur. Kjo arsye është balta e madhe që marrim përditë. Nëse ne nuk do të merrnim gjithë këtë baltë fytyrës nga kundërshtarët e gjitha llojeve dhe nga të pakënaqurit e gjitha sojeve, unë do të ndjehesha i shqetësuar, sepse do të ishte treguesi se me siguri nuk po bëjmë të gjitha gjërat që po bëjmë. Nuk po bëjmë reformat që duhet të bëjmë. Nuk po bëjmë operacionet e vështira që duhet të bëjmë. Por fakti që e marrim këtë baltë fytyrës që sa gdhihet e derisa ngryset më qetëson dhe më krijon bindjen që ne po bëjmë gjënë e duhur.

Në këtë rast jam i bindur se ne po kalojmë të gjithë atë trajektore që përshkruan Gandi për të gjithë ata që duan të bëjnë reforma. Të mëdhenj, të vegjël, në vende të mëdha, të vogla, të zhvilluara, të pazhvilluara, çdo reformë është një operacion dhe çdo operacion ka dhimbjet e veta. Gandi thotë: “Në fillim  të përqeshin!” - S’na përqeshën pak që kur thamë që ne duam të përpiqeni së bashku për të rilindur Shqipërinë. “Pastaj të përbaltin!” - E sigurisht që po na përbaltin sa thua, ku e gjejnë gjithë këtë baltë. Pastaj nëse ke kurajën dhe vendosmërinë për të shkuar përpara nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të shikosh triumfin e reformave. E të jeni të bindur që ne do ta shikojmë triumfin e reformave, siç kemi filluar të shikojmë rezultate që më bëjnë të mendoj gjithmonë kohët e fundit, sidomos përballë gjithë kësaj lukunisë së lehaqenve, që po sikur këto gjëra të ishin bërë më parë. Po sikur të mos ishin lënë për në dekadën e dytë të shekullit 21, po të ishin bërë më parë! Ajo që ne bëmë duke i thënë gjithë shqiptarëve se dritat nuk mund të vidhen e as nuk mund të konsumohen, a thua se po konsumon diellin që na e ka dhënë Zoti, apo natyra, por dritat duhen paguar dhe vjedhja të ishte ndaluar kohë më parë. Ka një llogari të thjeshtë, nëse qeveria nuk do i kishte shkelur syrin njerëzve duke i thënë, “s’ka problem vidhini dritat!”, “S’ka problem mos i paguani fare, se këtu jemi prapë!”, por të gjithë ti kishim paguar siç kanë filluar ti paguajnë, atëherë ne do kishim kursyer nga paratë tona dhe do kishim investuar me këto para sa 60 vjet në shëndetësi dhe nuk do kishim sot sistemin shëndetësor, spitalet, poliklinikat apo mungesën në spitale e poliklinika që kemi, por do kishim gjithçka që i duhet këtij vendi për të patur një infrastrukturë dhe teknologji në shëndetësi njësoj si vendet europiane.

Sikur këtë gjë, vetëm për dritat ta kishim bërë më parë, ne do kishim investuar me këto para që kanë ikur për të mbuluar vjedhjet dhe për të larë borxhet e atyre që s’paguanin dhe për të mos pas errësirë nga ikja e dritave përgjithmonë, do kishim investuar sa mund të investojmë 40 vjet në arsim, që do të thonë nuk do kishim më në Shqipëri shkolla që do ishin duke u shembur, nuk do kishim më në Shqipëri mungesë kopshtesh, çerdhesh, por do i kishim të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet, të standardeve të atyre që janë duke u ndërtuar në qytetet kryesore. Do kishim investuar sa për 30 vjet në bujqësi. S’do kishim më ne sot kanale kulluese dhe kanale ujitëse që nuk funksionojnë, s’do kishim më sot infrastruktura të shembura të sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet, e kështu me radhë. E kjo vetëm për energjinë. Po në rast se qeveria më parë do kishte arritur që të bëjnë këtë që po bëjmë ne, që të rriste të ardhurat nga kontributet e të gjithëve çdo vit sa 1% të PBB, kjo shumë do ishte dhe më e madhe dhe nuk do ishin 8 vjet, por do ishin 150 vjet investime në shëndetësi. Nuk do të ishin 40, por do ishin por do ishin 80 vjet investime në arsim. Nuk do ishin 30, por do ishin 60 vjet investime në bujqësi. Pra për të mos i marrë të gjitha me radhë, kemi humbur shumë kohë.

Mungesa e reformave, frika nga reforma, frika nga humbja e votave për shkak të dhimbjeve që shkaktojnë operacionet që imponojnë reformat, na kanë sjellën në pikën që jetuam vite të tëra, duke ia hedhur njëri-tjetrit dhe patëm mbi kokë qeverinë që thoshte: “Kështu është më mirë! Kush t’ia hedhë më shumë tjetrit, është më i zoti.” Sigurisht, më i zoti nga të gjithë ishte vetë qeveria, që ia hidhte të gjithë shqiptarëve. Ia hidhte shqiptarëve që nuk e votonin, ia hidhte dyfish atyre që e votonin siç ia hodhi 20 e kusur viteve atyre që u thoshte: “Ndërtoni kuturu, se ndërtimi është bereqet” dhe kur erdhi puna nuk legalizoi shtëpitë, por legalizoi hotele, motele, pishina, trampolina, magazina vetëm për korrupsion. Ndërkohë iu mori votat pa pushim. Sepse i duheshin të pa legalizuar, i duheshin të pa integruar. I duheshin të verbuar në mënyrë që të mos kërkonin më shumë, por thjesht të shkonin pas berihait me shpresën se do të merrnin lejen e legalizimit. I kemi parë, u desh të fitonte PS që edhe më të verbrit që votonin PD ta preknin me dorë lejen e legalizimit. se ndërkohë me PD mbanin në dorë vetëm 2 gishta se s’kishin mundësi të kishin legalizime. Ashtu sikundër, parafytyroni sikur ne të mos e kishim mbyllur rrugën e arsimit profesional dhe të mos e kishim kthyer Shqipërinë në një kampus të madh universitetesh, ku çdokush mund të bëhej jurist edhe pa shkuar fare në shkollë.

Madje mund të bëheshin juristë në Shqipëri edhe italianët megjithëse universitetet nuk jepnin fare mësim italisht. Arritëm që të ndërtojmë në këtë vend pas piramidave të Sudes dhe të Saliut piramidat e tjera. Piramidat e universiteteve që mbushën rininë me diploma juridiku që s’kanë pikë vlere. Edhe këtu kushedi sa juristë kemi mes nesh. Shkon në një kafene shumica e kamerierëve janë juristë, shkon merr një taksi, s’ka shans të gjesh një taksixhi që s’ka diplomë juridiku. Sikur të matnim numrin e juristëve për kilometër katrorë, ne e kemi dendësinë më të madhe të juristëve në botë, por kur vjen puna për të gjetur hidraulik, të shpëtoftë Zoti, që mos bjerë gjithë shiu që ka ndërmend, se jemi përmbytur dhe hidrauliku nuk vjen. Kur vjen puna për të gjetur të gjitha ato zanate që i japin mundësi ekonomisë të zhvillohet, nuk i gjen dot dhe ndërkohë të gjitha investimet që bënë prindërit për të pasur një jurist në shtëpi u kthyen në investime për të pasur në shtëpi të reja dhe të rinj të papunë me diplomë juridiku. Pra, të gjithë paratë e ëndrrave, të shpresave, të ambicieve të prindërve për fëmijën i mori lumi. Ndërkohë, jemi sot në kushtet kur kemi mijëra e mijëra vende pune për zanate dhe s’kemi njerëzit që i dinë këto zanate. S’flas këtu për vende pune me paga shumë të ulëta, por flas këtu për vende pune reale, për punësim real nëpërmjet zanatit.

Flas këtu për kompani të tëra që janë përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe që kanë vende të lira pune, por që iu duhen axhustatorë, iu duhen tornitorë, iu duhen elektricistë, iu duhen frezatorë, iu duhen montues panelesh, që të mos i numëroj me radhë e me radhë. Dhe ku t’i gjejnë? Gjejnë vetëm juristë. Ashtu sikundër, parapërfytyroni sikur vite më parë qeveria të kishte thënë: ne nuk do të vazhdojmë të prodhojmë libra që nuk i merr vesh mësuesja, nuk i merr vesh prindi, dhe jo më t’i marri vesh nxënësi. Një xhungël librash të shkruar nga gjithfarë profesor-doktorësh që janë për t’u marrë dhe për t’u studiuar në laborator se çfarë mëndje kanë, jo për të shkruar libra për të mbushur mendjen e të tjerëve.

Na u desh të presim një xhungël të tërë, dhe të pastrojmë qindra e qindra tekste për të bërë një zgjidhje shumë të thjeshtë. Pse duhet t’i bëjmë ne vetë të gjithë librat? Nuk na mjafton ne të shkruajmë gjuhën shqipe, të shkruajmë letërsinë shqipe, të shkruajmë historinë e Shqipërisë, të shkruajmë dhe gjeografinë e Shqipërisë, dhe të tjerat t’i marrim aty ku është ajka e Europës, sepse i duam fëmijët tanë që të mësojnë si në Europë, të nxënë si në Europë, dhe nesër kur të dalin nga shkolla të mos kenë një diplomë juridiku që nuk e njeh as komshiu, jo më ta njohë BE-ja, por të jenë të gatshëm që të përballen dhe të ballafaqohen me bashkëmoshatarët e tyre me të njëjtën mendësi, me të njëjtat dituri. U desh të vinim ne, mbas kaq shumë vitesh, që të futej në shkollë Oxford-i, Cambridge, Pearson-i, dhe që fëmijët që hyjnë sot në shkollë sipas cikleve të marrin mësim, siç marrin mësim fëmijët në Europë nga burimi më i sigurte i cilësisë së dijes dhe të arsimimit. Sikur të gjitha këto të ishin bërë më parë, sot do kishim 1.1 milionë njerëz që do ishin të kualifikuar më mirë, dhe do të kishim 414 mijë të rinj që do të ishin shumë herë më të gatshëm për tregun e punës sesa ç‘janë sot.   

Ajo çfarë vajzat dhe djemtë 20, 25 vjeçare sot, morën mbrapsht nga gjithë këto vite, ishte djegia e shumë ëndrrave dhe shpresave, ose arratisja për të shkuar dhe për t’i marrë dijet diku tjetër, kush e pati mundësinë. Ajo që morën mbrapsht prindërit ishte po e njëjta gjë. Pra, mungesa e reformave përcaktoi fatin e një gjenerate. Prandaj reformat që bëjmë ne sot nuk përcaktojnë fatin e zgjedhjeve të ardhshme. Me kaq sa kemi bërë, edhe sikur t’i ndërpresim këtu dhe mos bëjmë asgjë tjetër, zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojmë edhe më shumë sesa në të shkuarën. Edhe nëse i lëmë deri këtu punët, do fitojmë edhe për një arsye tjetër, se në Shqipëri s’ka opozitë. Në Shqipëri ka dy qeveri, një qeveri e vjetër dhe një qeveri e re. Një qeveri e vjetër e rënë nga kali, që thotë ma ka fajin kali që më hodhi, dhe një qeveri në detyrë që i ka hyrë detit në këmbë për të bërë të gjitha reformat që do të përcaktojnë fatin e gjeneratës tjetër.

Ne nuk jemi aspak të përsosur dhe aspak të pagabueshëm. Kemi bërë gabime, dhe kush bën punë bën dhe gabime, ashtu sikundër kush votohet ka detyrën të punojë dhe të drejtën të gabojë, por një gjë është e sigurt, ne s’kemi gabuar asnjëherë siç gabonte rregullisht qeveria e vjetër. Nuk e kemi përdorur pushtetin për të bërë padrejtësi apo për të përfituar në kurriz të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Nuk e kemi përdorur pushtetin për të përfituar duke marrë jetë njerëzish. Nuk e kemi përdorur pushtetin për të bërë diferencën në rrugë ku rregullat e qarkullimit dhe gjobat ishin për më të dobëtit, ndërsa për të fortët me pushtet vetëm rregulla s’kishte dhe vetëm gjoba s’kishte. Ja ku i kemi. Përveç Ministrit të Brendshëm, të gjithë këta këtu janë të gjobitur për parkim të gabuar. Është pak, por e sigurt, që kjo në dukje është një gjë e vogël, por është një nga ato gjëra të vogla që bëjnë diferencën, dhe këtë diferencë ne kemi vendosur ta thellojmë.

Sigurisht që reforma në drejtësi, është e domosdoshme dhe ne jemi shumë të qetë lidhur me reformën në drejtësi. Sepse ne kemi një bindje që reformën në drejtësi e ka përcaktuar si domosdoshmëri jo vetëm koha, por dhe vullneti sovran i shqiptarëve. Dhe sado ata të qeverisë së vjetër të rrotullohen, të rrotullohen dhe të rrotullohen, sado varka të marrin nga Venecia në Tiranë dhe nga Tirana në Venecia, e futu në ujë e dil nga uji, e fut kokën e nxirr kokën, ngado të rrotullohen do vijnë dhe o do votojnë reformën në drejtësi, o pastaj ato 1 milion shuplakat e 2 viteve e gjysmë më parë do t’iu duken përkëdhelje në raport me ato që do të marrin në zgjedhjet e ardhshme.

Këtu ka shumë njerëz që janë të ardhur rishtas në Partinë Socialiste, por disa prej tyre, siç kemi bërë kudo, do të marrin kartat për t’iu uruar mirëseardhjen dhe për t’u dhënë mundësinë që të thonë dy fjalë në këtë moment të rëndësishëm të jetës së tyre. Ama një gjë është e sigurt, kanë bërë gjënë e duhur. Kanë bërë gjënë e duhur, sepse të bëhesh sot pjesë e Partisë Socialiste do të thotë t’i japësh vetes mundësi që të bësh diçka më shumë sesa të jesh një njeri i mirë, sesa të jesh një qytetar i mirë që respekton rregullat. Do të thotë të bësh diçka patriotike, që bashkë me të tjerët në Partinë Socialiste t’i shërbesh Shqipërisë dhe të bësh të mundur për Shqipërinë, për familjen tënde, për komunitetin tënd dhe për të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, gjëra që deri dje padrejtësisht këtij populli i janë bërë të pamundura. E kjo e bën ardhjen në Partinë Socialiste në këtë moment të historisë një akt shumë të rëndësishëm përgjegjësie dhe vetëdije. Njëkohësisht jam i bindur që vajzat dhe djemtë që vijnë në Partinë Socialiste, se shoh këtu disa, shoh Vasilika Hysin që kur i thashë atëherë “Do vish në Partinë Socialiste?” tha, “Ç’punë kam unë në Partinë Socialiste? Unë jam njeri i lirë”. Eja thuaji Vasilikës tani, ik nga partia. Kurrë. Pse?! Sepse i humbet liria. Kështu që në Partinë Socialiste nuk është i lirë vetëm ai që nuk ka çfarë të bëjë me lirinë. Kush di çfarë të bëjë me lirinë, në Partinë Socialiste ka mundësi që t’i japi lirisë kuptim për të bërë bashkë me të tjerët gjëra që i vetëm s’i bën dot kurrë.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Pogradec/ Po lundronin me kanoe në liqen e humbën kontaktet, policia ndihmon babanë me 2 fëmijët e mitur