Fjala e Kryeministrit Edi Rama në aktivitetin me biznesin e vogël

Përshëndetje të gjithëve,
Është për t’i dhënë rëndësinë që ka këtij aktiviteti që unë jam këtu. sepse besoj shumë që operacioni kundër informalitetit është në radhë të parë një nevojë e bizneseve legjiime dhe të gjithë atyre që kanë pasur dhe kanë guximin që të ndërmarrin rrugën e sipërmarrjes së lirë për të jetuar me punë të ndershme dhe për të fituar përmes ideve, vullnetit dhe padyshim dhe falë kushteve që krijon konkurrenca e lirë.

Informaliteti është një tragjedi për një vend si i yni, që nuk e ka as fuqinë dhe as mundësinë që të bashkëjetojë me të për asnjë ditë më shumë. Është një tragjedi sepse në radhë të parë minon në mënyrë të përditshme organizmin e bizneseve legjitime. Është një kancer që njësoj siç rrënon në mënyrë të përditshme organizmin e njeriut, rrënon në mënyrë të përditshme organizmin e biznesit dhe e bën të pamundur për shumëkënd që të mbijetojë dhe jo më pastaj të jetojë duke bërë sukses.
Nga ana tjetër është një tragjedi për të gjithë ata, të cilët për shkak të informalitetit, pavarësisht se shkojnë në punë, janë krejtësisht në hije, të paregjistruar, të pasiguruar dhe pa asnjë ndryshim nga një skllav.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se në këtë operacion ka një rrezik dhe këtë rrezik, ne duam ta përballojmë së bashku me ju. Rreziku është që operacioni të dëmtojë edhe ata, të cilët janë në rregull. Fjala vjen, nëse administrata troket pa arsye, ose gjen arsye për të trokitur edhe kur ka trokitur një here, dy e tre herë dhe për të kërkuar prapë e prapë e prapë, të njëjtat gjëra që ka kërkuar edhe një javë më parë, kjo e cenon rëndë klimën e biznesit dhe psikologjinë e kujtdo që merret me biznes.

Ju jeni këtu jeni përfaqësues të biznesit të vogël dhe jeni shumë të vetëdijshëm për këtë rrezik dhe ka shumë të ngjarë që të mund të dëshmoni këtu, raste konkretë se si administrata tatimore mund të vijë t’ju trokasë pa qenë nevoja, edhe pasi ju keni provuar se jeni krejtësisht në rregull me ligjin dhe kështu t’ju shqetësojë deri në pikën që t’jua bëjë të vështirë punën e përditshme.

Operacioni ka një rrezik tjetër, që është vazhdimisht e mundshme që të jetë i pabarabartë, të jetë i padrejtë. Edhe këtë duam ta përballojmë së bashku me ju. Ka një rëndësi themelore sesa shumë kontribuon në këtë operacion një biznes i ndershëm, për të luftuar bashkë me ne çdo sjellje dhe çdo veprim negative të administratës. E mbi të gjitha, operacioni ka një rrezik të madh që të shikohet, por edhe të zbatohet si një operacion ndëshkimor, por nuk është ky qëllimi kryesor i operacionit dhe nuk është kjo arsyeja, pra, ndëshkimi, pse ne e kemi ndërmarrë këtë operacion.

Qëllimi i këtij operacioni nuk është penalizimi, por respektimi i ligjit nga të gjithë. Sigurisht që penalizimi është pjesë e përpjekjes për të bërë që ligji të respektohet nga të gjithë, por në asnjë rast dhe në asnjë arsye nuk duhet të kthehet në shtypje të lirisë së biznesit dhe posaçërisht të biznesit të vogël, por, përkundrazi, duhet të stimulojë çdo biznes të vogël që është i regjistruar, që respekton ligjin, që në këtë rrugë të bëjmë dy punë, nga njëra anë të vendosim rendin ligjor në veprimtarinë tregtare dhe nga ana tjetër të rrisim cilësisht përgjegjësinë e përgjegjshmërinë e administratës tatimore.

Fakti që brenda një periudhe shumë të shkurtër, 45 ditë janë regjistruar 27 mijë biznese të reja, një pjesë e madhe e të cilave kanë ekzistuar, por kanë qenë informale dhe fakti që këto përbëjnë çerekun e bizneseve aktive sot në Shqipëri na tregon qartë se në çfarë xhungle ka mbijetuar biznesi i ndershëm dhe se në çfarë kushtesh të egra të mungesës së konkurrencës, biznesi i ndershëm dhe ekonomia jonë në tërësi është sfilitur nga kanceri i informalitetit.

Ajo që ne së bashku duhet të bëjmë është që t’i japim qëndrueshmëri në kohë këtij procesi, i cili nuk është një aksion që fillon e mbaron në një hark të caktuar kohe, por është një proces që synon një transformim njëherë e mirë të platformës së veprimtarisë së sipërmarrjes së lirë në Shqipëri. 

Nga ana tjetër, unë jam shumë i vetëdijshëm se ndryshimet në legjislacionin tatimor në vite kanë krijuar shumë shpesh jo pak problematika për ju, në lidhje me informimin dhe nevojën për t’u përgatitur për të qenë vazhdimisht brenda kuadrit ligjor dhe për të mos u rënduar nga detyrime që vijnë si pasojë e gjobave të marra nga mosmarrja e informacionit në kohën e duhur. Që kur kemi filluar të konceptojmë këtë operacion, që përpara se operacioni të fillonte, ne kemi vendosur si kusht bazë trajnimin e vazhdueshëm të administratës tatimore. Sot, administrata tatimore e Republikës së Shqipërisë është në një trajnim intensiv, që zhvillohet pa pushim, gjatë të gjithë ditëve të javës, përfshi edhe të shtunën e të dielën.

Ndërkohë, kjo që fillojmë sot, me mbështetjen e një prej kompanive që njihet si lider botëror në fushën e këshillimeve dhe çështjeve fiskale, është ndihma ndaj biznesit. Ajo që kemi diskutuar është që paralelisht me këto seminare këshillimore, që do të organizojmë me përfaqësuesit e biznesit të vogël, do të përgatisim edhe një manual ku i gjithë këshillimi të jetë në formë të përmbledhur, por mjaftueshmërisht shteruese që bizneset e vogla të kuptojnë se çfarë duhet të kenë parasysh, t’ia çojmë të gjithë bizneseve të vogla, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Ky seminar është fillimi i një zinxhiri seminaresh që do të shtrihen në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që kanë në fokus ndërgjegjësimin e të gjithë tatimpaguesve dhe veçanërisht bizneseve të vogla, për çfarë detyrimesh duhet të plotësojnë, si duhet t’i plotësojnë dhe si duhet të mbrohen nga abuzimi dhe arbitrariteti i administratës tatimore. Le të jemi të gjithë të vetëdijshëm, ne jemi të vetëdijshëm dhe të gjithë duhet ta dinë që ne jemi të vetëdijshëm që administrata jonë tatimore është ende larg të qeni një administratë, e cila ka profesionalizmin dhe integritetin që ne synojmë.

Prandaj, kjo është një rrugë e përbashkët, ku ne duam të ecim bashkërisht dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne t’iu ndihmojmë ju, të ndihmojmë biznesin që të formalizohet pa dhimbje dhe ju të na ndihmoni ne, duke ndihmuar vetveten, që administrata tatimore të rrisë cilësinë e shërbimit të saj dhe që asnjë inspektor të mos ndihet zot, kur kapërcen pragun e hapësirës së biznesit tuaj, por të jetë thjesht, një shërbëtor i shtetit dhe i juaji. Kjo mund të ndodhë lehtësisht, nëse secili nga ju dhe çdonjëri nga ata që bën biznes në Republikën e Shqipërisë denoncojnë çdo sjellje dhe çdo veprim nga ana e administratës tatimore, që bie ndesh me çfarë ligji ka përcaktuar si platformë dakordësie mes nesh dhe jush.

Shpesh herë, ju preferoni të kaloni një sjellje apo akt të padenjë me ryshfet. Është rruga e shkurtër që në fakt të nxjerr gjatë, sepse kush e merr ryshfetin një herë, do të vijë ta marrë prapë dhe në momentin e dhënies së ryshfetit nuk ke shpëtuar, por je bërë skllav i atij inspektori apo atij grupi, që përfiton nga ty në mënyrë të paligjshme, duke mos të të lënë që të formalizohesh ashtu siç duhet dhe të jesh i respektuar ashtu siç e meriton.

Nuk dua të zgjatem me përmbajtjen e trajnimit, sepse kjo i takon organizatorëve, por vetëm dua të them se xhiroja mesatare, e deklaruar deri tani gjatë operacionit, është 50% më e lartë se xhiro mesatare e deklaruara në 2014-n. Sigurisht që peshën më të madhe të xhiros e ka biznesi i madh dhe kjo është një histori më vete, përsa kohë që ka peshën më të madhe mesatare të xhiros në këtë shumë të përgjithshme, do të thotë që ka edhe barrën më të madhe lidhur me informalitetin, 63%. Por pjesën tjetër e ka biznesi i vogël. Dhe kjo tregon që kapaciteti i biznesit të vogël në Shqipëri është shumë më i madh se ai që duket. Çfarë sjell formalizmi? Sjell të kundërtën e asaj që predikohet. Formalizimi nuk e pengon biznesin e vogël të rritet, por e ndihmon të rritet. 

Në pamje të parë duket sikur të jetuarit në informalitetit dhe të fshehurit e xhiros dhe të të ardhurave të ndihmon të fitosh më shumë, por e vërteta është se ky është një fitim afatshkurtër dhe që ka pas, gjithmonë, rrezikun që të jesh i ndëshkuar dhe ndëshkimi të jetë i barabartë me shumëfishin e atyre që ti mund të fitosh. Ndërkohë që historia e të gjithë zhvillimeve të shëndetshme në ekonomi tregon se formalizimi dhe pagesa e rregullt e detyrimeve ndihmon biznesin që të rritet.

128 mijë punonjës të siguruar më shumë, nga të cilët 73 mijë të rinj, pjesa tjetër punonjës që kanë kaluar nga një biznes në tjetrin dhe që janë risiguruar, pra, kanë kaluar formalisht, kanë qenë të regjistruar dhe kanë mbetur të regjistruar. 230 % rritje! Kjo do të thotë që gjithë kjo masë e madhe skllevërish që ka dalë në dritë dhe është bërë subjekt i detyrimeve është në të njëjtën kohë, edhe përfituese e sigurimeve shëndetësore, e sigurimeve shoqërore dhe kontribuuese e drejtpërdrejtë për të rritur forcën investuese dhe shërbyese të shtetit.

Unë dua vetëm që t’ju them dhe t’ju inkurajoj duke ju thënë se kjo është rruga e vetme për biznesin e vogël që të rritet. Kjo është rruga që provon se biznesi i vogël nuk meriton të trajtohet siç është trajtuar për vite të tëra si një lypës, ndaj të cilit shtetit duhet të mjaftohet vetëm me një lëmoshë, por meriton të trajtohet me dinjitetin që ka çdo sipërmarrje e lirë dhe me dinjitetit që ka çdo njeri që vendos të jetojë me forcën e ideve dhe të vullnetit të vetë.

Janë mbi 1 mijë biznese të vogla që kanë hyrë në TVSH. Në pamjen e parë, kjo mund të duket si hyrje në një peshë tjetër dhe detyrimin për të paguar më shumë, por në fakt është hyrje në një kategori tjetër, me mundësi për t’u rritur më shumë. Ne jemi shumë të vendosur që ta mbështesim fuqishëm biznesin e vogël dhe të madh, ashtu sikundër jemi shumë të vendosur të lehtësojmë qoftë ambulantët, për të cilët nuk do të ketë më asnjë taksë, qoftë ata të cilët shërbejnë e shesin në tregjet e lagjeve, qoftë edhe ata që jetojnë me zeje, rrobaqepës, bojaxhi, elektricist e me radhë, për të cilët nuk do të ketë asnjë taksë, sepse jetojnë, punësojnë veten përmes zanatit të tyre. Përderisa nuk bëjnë më shumë se kaq, nuk kemi çfarë u kërkojmë asgjë më shumë. Kjo për të stimuluar edhe më shumë zanatet, për të stimuluar edhe më shumë shkollat profesionale dhe për të stimuluar edhe më shumë një rrugë ku patjetër, në të ardhmen e afërt, të gjithë ata që kanë një zanat nga të vetëpunësuar për veten e tyre, do të kalojnë në një stad tjetër, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha vendet normale, do të krijojnë kompanitë e tyre të vogla të shërbimeve dhe mbase më vonë, edhe kompanitë e tyre të mëdha.
Nuk do të doja të mjaftohesha vetëm me këtë fjalë, duke kërkuar me insistim që ju të jeni promotorë të dhënies dhe marrjes së kuponit, për një arsye shumë më të thjeshtë, sa më shumë kupona të jepni dhe sa më shumë kupona të marrin blerësit tuaj, aq më e afërt bëhet dita për t’i ulur taksat tuaja. Ajo që fitoni në pamje të parë kollaj sot, duke mos dhënë kuponin, në fakt është shumë më pak sesa ajo që do të fitonit nga ulja e taksave. Mirëpo që të ulen taksat, nuk duhet të pretendoni që të fitoni sot duke mos dhënë kuponin, por duhet të pretendoni që duke e dhënë të gjithë sëbashkë kuponin, ulja e taksave të vijë në një ditë më të shpejtë. Sepse ulja e taksave nuk është as dëshirë dhe asnjë mundësi që mund të krijohet nga nevoja për të marrë vota. Ulja e taksave vjen vetëm si rezultat i kontributeve dhe i mundësive reale që ka qeveria, për të lehtësuar barrën fiskale, falë kontributeve të rritura të taksapaguesve.

Para se të largohem për t’ju lënë në seminarin tuaj, me shumë kënaqësi do ta prishja organizimin e seminarit për një periudhë të shkurtër kohore, për t’iu përgjigjur pyetjeve që ju mund të keni dhe me shumë kënaqësi do të dëgjoja kritikat tuaja për administratën tatimore. Me shumë siguri do ju thoja se kush bën kritika nuk duhet të ketë frikë se inspektori do e shohë në televizor, se po na folët me emra, inspektorët nuk do të jenë më. Kështu që këtë gjë mos e keni fare merak.

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Superliga luan ndeshjet e para, sot Partizani-Vllaznia! Abilaliaj: Ne gati më shumë se çdo skuadër tjetër