"Jam shumë i lumtur që, sot, ne mblidhemi këtu me një grup të gjerë protagonistësh të zhvillimit në botën e sotme, planifikues urbanë, arkitektë, artistë të ardhur nga gjithë bota për të na asistuar në përpjekjen e madhe të transformimit të një modeli të zhvillimit të vendit, që sot ka nevojë urgjente për t’i adresuar çështjet dhe problemet e veta në një qasje krejt të re.
Prej kohësh kemi konstatuar se modeli i zhvillimit i ndjekur në gjithë këto vite ka shteruar. Ka shteruar, duke hapur plagë të mëdha në territorin e vendit, në jetën sociale të vendit dhe sigurisht në ekonominë e vendit. Sfidat tona janë të shumta, por në fokusin e këtij debati do të jetë territori dhe ekonomia, sepse ne besojmë se një qasje e re ndaj territorit është e domosdoshme për të siguruar një qasje të re ndaj çështjeve dhe problemeve sociale dhe ekonomike të vendit.
Ne besojmë që deri më sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kaotik, e një pafuqie për të implementuar edhe çka ka mundur të planifikojë, ashtu sikundër dhe një pafuqie për të implementuar çka ka mundur të ligjërojë.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se pika më e dobët e konstatuar edhe nga Komisioni Europian, e konstatuar nga aleatët dhe partnerët tanë është hendeku në rritje mes asaj që ne ligjërojmë në letër dhe asaj që ne jetësojmë në realitet. E, pra, këtu sfida nuk është thjesht që të hartojmë plane të reja. Sfida është që të vendosim piketat e një rrugëtimi në drejtimin e vendit, ku vizioni, plani dhe jetësimi i planit të jenë bashkërisht të ndërthurur në çdo hap.
U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë bërë rrugë për të ardhur deri këtu dhe që zemërgjerësisht kanë ofruar gjatë gjithë këtyre ditëve, dhe do të vazhdojnë të ofrojnë deri sa të largohen, ndihmën e tyre për një qeveri që del nga shprehja e fortë e vullnetit sovran të popullit, si një qeveri e thirrur jo për të ndryshuar kahun politik të qeverisjes, por për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Dhe, në rrugën e këtij ndryshimi rrënjësor ne na duhet që vetëdijen se kapacitetet planifikuese, kapacitetet implementuese dhe kapacitetet e brendshme njerëzore i kemi të pamjaftueshme për të përballuar sfidën, ta kthejmë në një instrument për të ndërtuar një partneritet dhe një aleancë shumë të gjerë me çdo forcë, me çdo individ jashtë nesh, që ka gatishmërinë për të na u bashkuar në këtë përpjekje. Është e qartë që ne kemi, sot, fatin që të punojmë në kushtet kur Shqipëria ka miq të mëdhenj; kur Shqipëria ka partnerë strategjikë të një rëndësie të dorës së parë, edhe në rajon; kur Shqipëria ka institucione financiare ndërkombëtare të gatshme për ta mbështetur në rrugëtimin e saj; kur Shqipëria ka një rrjet organizatash të shoqërisë civile, që mezi e kanë pritur këtë ditë që të dalin nga agonia ku i futi qeveria në ikje, por nga ana tjetër jemi plotësisht të vetëdijshëm që kjo është një nevojë e pambarimtë dhe për këtë arsye unë dua ta them sot se gjithë këta kontributorë që kanë mbërritur këtu ne duam që të shtohen. E, ne duam që të mbeten të lidhur me ne në një proces që është sa një proces qeverisjeje aq edhe një proces emancipimi i pushteteve në nivelin qendror dhe në nivelin vendor, i agjencive implementuese dhe i gjithë individëve që kontribuojnë brenda përbrenda hapësirës së shërbimit në shtetin shqiptar.
Duke e mbyllur këtë fjalë hyrëse për t’ia lënë pastaj fjalën të ftuarve, dhe sigurisht edhe duke ftuar në diskutim të gjithë ata që sot kanë ardhur për ta ndjekur këtë ditë të parë të Konferencës, unë dua të vë theksin tek fakti që ne sot jemi në kushtet e një emergjence kombëtare. Ne jemi të vendosur që gjendjen jashtë kontrollit në territorin e vendit ta trajtojmë si gjendje të jashtëzakonshme dhe ta përballim me të gjitha mjetet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ne nuk mundet më të rrimë dhe të presim që inercia e shkatërrimit të potencialeve të mëdha që ka ky vend për t’u zhvilluar nga pikëpamja territoriale, nga pikëpamja sociale dhe ekonomike të zhbëhet para syve tanë. Ashtu sikundër, ne kemi paralelisht me sfidën e vendosjes së kontrollit mbi territorin dhe e krijimit të kushteve, që çfarë planifikojmë të jetë edhe çfarë implementojmë, kemi dhe sfidën e një transformimi të madh social, që në këndvështrimin tonë fillon nga integrimi real i gjithë atyre dhjetëra mijëra familjeve shqiptare që në kërkim të një jetë më të mirë janë afruar drejt qyteteve dhe kanë ndërtuar shtëpinë e tyre. Por, sigurisht, që ky është një proces i harmonizuar. Dua ta përsëris se për ne territori është ekonomi dhe ekonomia është politikë territoriale. Për ne zhvillimi urban është ekonomi dhe ekonomia është zhvillim urban. Për ne aspektet sociale dhe ekonomike të vendit nuk mund të shihen të ndara nga planifikimi në letër i asaj që Shqipëria do të jetë nesër. Ashtu sikundër për ne vendimmarrja mbi territorin nuk mund të jetë një vendimmarrje ekskluzive e urbanistëve, e arkitektëve dhe e planifikuesve urbanë, por duhet të jetë një vendimmarrja e harmonizuar mes kontributit dhe dijes së tyre dhe mendimit dhe opinionit të ekonomistëve, të sociologëve dhe të gjithë faktorëve të tjerë socialë. Sepse, për ne duhet të mbyllet epoka kur paratë e shqiptarëve u investuan kuturu dhe kur planet u bënë kuturu, rrugët u bënë kuturu, zhvillimet në qytete u bënë kuturu, zhvillimet në rajone u bënë kuturu.
Duhet të hapet një epokë e re kur një model zhvillimi i integruar, që synon transformimin e jetës së njerëzve në funksion të cilësisë së saj, të zërë vend sa më shpejt që kjo të jetë e mundur. E, për këtë arsye ne do të ndryshojmë edhe modelin e qeverisjes së territorit. Për këtë arsye ne do të përfshijmë në qeverisjen e territorit kapacitete që na ofrohen nga jashtë vendit duke ndjekur modelet më të mira dhe më të suksesshme të atyre vendeve që janë sot pjesë e Familjes Europiane ku ne duam të integrohemi me të drejta të plota.
Duke falenderuar edhe njëherë të gjithë të pranishmit dhe posaçërisht miqtë dhe të ftuarit tanë dhe duke shprehur bindjen se nga sot ne hyjmë në një rrugë tjetër, në rrugën e asaj alternative që ne kemi propozuar dhe për të cilën jemi votuar masivisht nga shqiptarët; për një ndryshim që për nga nevoja e brendshme e popullit sovran është i krahasueshëm vetëm me ndryshimin e vitit 1992.
Ju falenderoj!
“Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”- Kryeministri i zgjedhur Edi Rama
(pjesa e dytë)
Para sesa të hynim këtu unë pata një diskutim me një protagonist të madh të skenës së sotme të zhvillimit urban në botë, Winy Mass, që është edhe një njohës i Shqipërisë për shkak se ka qenë edhe më parë këtu. Unë do kisha shumë dëshirë që Winy të merrte fjalën për të shpjeguar atë që po flisnim, lidhur me eksperiencën e vendit nga vjen, Hollandës, ku zhvillimi urban nuk shihet si një proces më vete dhe i izoluar nga zhvillimi social dhe nga zhvillimi ekonomik, por besoj që Winy do ta shtjellojë këtë shumë më mirë se unë.
Ndërkohë që, unë do të thosha që duke u nisur nga kjo premisë mjafton të kthejmë kokën mbrapa për të kuptuar se në gjithë këto vite një nga arsyet e falimentimit në planin e planifikimit dhe të jetësimit të planeve është fragmentimi i jashtëzakonshëm i këtyre proceseve planifikuese, që janë zhvilluar në kundërshtim me tendencën e zhvillimit në Shqipëri, duke u nisur nga zhvillimi demografik. Ndërkohë që qytetet tona, duke nisur nga Tirana, janë përballur me një transformim demografik të jashtëzakonshëm. Dhe të gjithë komunat përreth janë kthyer në territore shumë tërheqëse për të ardhur në Tiranë dhe për t’ju bashkangjitur Tiranës. Asnjëherë nuk u mor përsipër transformimi i qasjes për ta përballuar këtë sfidë që solli koha me instrumente të rinj. Planet e ashtuquajtura rregulluese që janë ndërtuar brenda përbrenda qyteteve, aty ku janë ndërtuar, kanë rezultuar krejtësisht të padobishme në funksion të përmbajtjes së këtyre flukseve që kanë ardhur nga jashtë qytetit dhe që janë stabilizuar rreth e rrotull qytetit. Kjo ka rezultuar fatale qoftë për ndërtimet pa leje, qoftë përsa i përket planeve ose mosplaneve të komunave kufitare, të cilat praktikisht janë kthyer nga territore ku do duhej, sot, të kishim një lulëzim të zhvillimit rural, në territore-shesh ndërtimi për të krijuar mundësi për investitorët për ndërtuesit dhe për njerëzit që të gjejnë metrat e tyre për banesa dhe vetëm banesa. Kjo ka sjellë, praktikisht, në rendin e ditës domosdoshmërinë që ne të kalojmë nga planet thjesht dhe vetëm brenda një sfide vendore, në plane rajonale. Pavarësisht kufijve administrativë, që janë një tjetër sfidë. Është një sfidë jo e jona, por besoj është një sfidë e gjithë klasës politike sot, e gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar në parlament, për t’i dhënë më në fund jetë reformës territoriale, e cila duhet të çojë në shkurtimin drastik të numrit të njësive vendore në funksion të situatës krejtësisht të re që kemi në vend, pavarësisht politikës, pavarësisht qeverisë.
Një nga gjërat që ne duam të bëjmë është që ta vëmë qeverinë e vendit nga pozitat e ndjekësit impotent të zhvillimeve siç ka qenë deri më sot, në pozitat e udhëheqësit të zhvillimit.
E fundit, jam i bindur që kjo është e mundur vetëm në rast se që nga ministrat dhe pastaj të gjithë drejtuesit në nivele të ndryshme dhe në agjensi të ndryshme do të kuptojnë atë, që u tha dhe këtu dhe atë që është evidente në vendet ku demokracia funksionon si një hapësirë zhvillimi, se duhet të shkrijmë kufijtë e vendosur mes sektorëve, kufijtë e vendosur mes administratave dhe duhet të ndërtojmë një qasje të integruar. Nuk duhet të bëjmë plane më si piktura në letër, që nuk kanë lidhje me realitetin. Nuk mund të shpenzojmë paratë e shqiptarëve për të marrë nga donatorët apo për të marrë nga institucionet financiare fonde dhe nuk mund të shpenzojmë më as kohën e shqiptarëve, për të ndërtuar strategji, pas strategjish, pas strategjish, sepse praktikisht kemi krijuar një bibliotekë të madhe me letër të pavlefshme. Në rast se u referohemi strategjive kombëtare të zhvillimit dhe të ecjes në perspektivë në të gjithë sektorët dhe bëjmë një krahasim me realitetin, e kuptojmë që s’kanë lidhje. Që do të thotë se edhe në funksion të planit tonë të përgjithshëm kombëtar ne duhet të jemi në shekullin e ri dhe duhet të jemi në sintoni me zhvillimin në territor, në rast se duam që ta udhëheqim zhvillimin dhe jo të vuajmë pasojat e zhvillimit. Shqipëria në këto 20 vjet, sigurisht, që është zhvilluar, por pyetja që ngrihet sot dhe që është një pikëpyetje përditë e më e madhe është çfarë natyre ka pasur zhvillimi dhe sa i qëndrueshëm është ky zhvillim? A është ky zhvillim në funksion të një cilësie të re jete për gjeneratën e re?
Përgjigjja është fatkeqësisht; Jo!
Shqipëria ka ndërtuar, por ka shkatërruar shumë pyje, ka shkatërruar shumë lumenj, ka shkatërruar shumë hapësirë në tokën e bukës, ka shkatërruar shumë hapësirë në potencialin e vet të zhvillimit turistik, pra është një zhvillim që ka sjellë një transformim të vendit, por njëkohësisht në shterim joracional të burimeve të zhvillimit të vendit.
Ajo që ne duhet të bëjmë është që të vihemi në zotërim të burimeve të zhvillimit të vendit dhe t’i shfrytëzojmë ato në funksion të gjeneratës tjetër, duke i dhënë krahë një zhvillimi të qëndrueshëm. Dhe përsëri këtu vijmë tek modeli i zhvillimit dhe përsëri vijmë tek raporti midis planifikimit dhe ekonomisë. Pra, nëse ajo që ne planifikojmë ndihmon që të rrisim ekonominë e vendit dhe nëse ajo që planifikojmë ndihmon që të ndërtojmë një kalendar hapash për ta racionalizuar investimin që bëjmë në shpenzimet kapitale, që do të thotë me fjalë më të thjeshta, pse duhet hapur ky tunel dhe jo ai tunel, apo duhet hapur vërtet një tunel apo duhet ndërkohë ndërtuar diçka tjetër, në funksion të një zinxhiri investimesh që të na çojnë në një objektiv tjetër dhe sigurisht këto të dyja të lidhura në aspektin social dhe me plagët sociale.
Zhvillimi i paqëndrueshëm ka sjellë plagë sociale të tmerrshme. Zhvillimi i paqëndrueshëm ka krijuar sot komunitete të tëra të izoluara nga jeta e vendit. Ka krijuar sot një shtresë të tërë popullsie që është jashtë rrugëve të shërbimeve dhe jashtë rrugëve të integrimit shoqëror. Bilanci që kemi sot është një bilanc që duhet të na vlejë për të ndryshuar rrugët e zhvillimit. Arsyeja pse ne jemi sot këtu dhe arsyeja pse kjo konferencë, që zhvillohet sot dhe nesër, mbledh sëbashku urbanistë, arkitektë, artistë dhe ekonomistë, financierë, sociologë e menaxherë është për të hyrë në rrugën e një të menduari të integruar për të pasur një zhvillim të integruar. Nuk mund t’i ndajmë këto dy procese nga njëri-tjetri. Në qoftë se ndajmë territorin nga ekonomia dhe në qoftë se e lëmë territorin jashtë kontrollit duke lejuar zhvillime individuale, qoftë individësh, familjesh, apo kompanish ndërtimi që ndërtojnë, marrin, ikin dhe nuk duan t’ia dinë se ç’lënë pas dhe ndërkohë e lëmë ekonominë e vendit si vizion, si program, si qeverisje, si masa të ndara nga territori, duke e trajtuar çështjen e buxhetit, duke e trajtuar çështjen e të ardhurave, duke e trajtuar çështjen e shpenzimeve si çështje shifrash dhe statistikash kemi humbur dhe i kemi lënë gjeneratës tjetër Shqipërinë që nuk meriton.
Faleminderit!