Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Programit për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri:

Dua t’i uroj mirëseardhjen Presidentit të rizgjedhur të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vizita e tij sot, në Tiranë, ka një rëndësi të posaçme. Për ne është kënaqësi që, pasi mori një mandat tjetër, edhe me mbështetjen e Shqipërisë, erdhi në Shqipëri me forcën e mandatit të ri, për të lançuar një projekt inovativ. Projekt që ne besojmë se do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë tonë dhe do të përbëjë një shtysë të rëndësishme për ta çuar sektorin e fshatit në një fazë të re.

Do doja ta citoja Presidentin, i cili së fundmi ka thënë diçka shumë të thjeshtë, por shumë të vlefshme: “Në kohërat e turbullta që po jetojmë, vendet e Ballkanit duhet të vazhdojnë në rrugën e reformave modernizuese, ndërkohë që Europa duhet të shtrijë solidaritetin dhe mbështetjen e saj aktive për këto vende.”

Në këtë paralele qëndron, - besoj unë, - edhe çelësi i suksesit tonë për vitet e ardhshme. Nga njëra anë, ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të shtyjmë reformat e vonuara për kaq shumë vite dhe t’i bëjmë ato të vërteta, të thella e me patjetër të certifikuara nga Familja Europiane, të cilës duhet t’i bashkohemi, por nga ana tjetër të gjejmë rrugët përmes partnerësh të besueshëm, siç është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që Europa të jetë solidare në raport me këtë përpjekje tonën.

Ky projekt që ne sot kthejmë në një marrëveshje është në formë dhe në përmbajtje, një instrument që i ka të dyja këto anë. Nga njëra anë, vullnetin tonë për të modernizuar, duke gjetur rrugë të reja në funksion të mbështetjes konkrete për njerëzit që janë pjesë e procesit të reformave. Nga ana tjetër, solidariteti, i shtrirë në mënyrë aktive prej BERZH, në funksion të suksesit të këtij projekti.

Është një projekt që kthehet në një marrëveshje dhe një marrëveshje që kthehet në një program, për të krijuar një hapësirë të panjohur më parë për të gjithë ata që duan të investojnë në zhvillimin rural; për të gjithë ata që duan të investojnë në projekte në fshat; sipërmarrës të mëdhenj, apo sipërmarrës të vegjël.

Është një program që sjell bashkë qeverinë, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe disa banka komerciale të nivelit të dytë, të cilat, falë pjesëmarrjes së qeverisë dhe të BERZH-it në këtë program do të jenë shumë më dorëlëshuara me njerëzit që duan të investojnë në fshat, të investojnë në rritjen e mëtejshme të eksporteve, në rritjen e mëtejshme të qëndrueshmërisë së ekonomisë së fshatit. 

Ky program do të jetë një vlerë e shtuar në rrugën që ne tanimë kemi hapur, për të kaluar nga bujqësia e lëmoshës dhe mbijetesës, në bujqësinë e investimeve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Një rrugë e hapur me mjete modeste, por me një vizion të qartë dhe me një këmbëngulje të madhe nëpërmjet AZHBR-së dhe një rrugë që tani ka gjithë potencialin për t’u shtrirë shumë më tutje, duke përfshirë gjithë këtë rrjet financiar në planet e njerëzve që duan të investojnë në bujqësi.

Ne kemi parë një ndryshim të rëndësishëm që po ndodh. Janë gjithmonë e më të shumta sipërmarrjet, që pasurinë e tyre e kanë bërë në rrugë të tjera, nga ndërtimi, tregtia e kështu me radhë, të cilat po diversifikojnë portofolin e tyre, duke kthyer sytë nga fshati dhe duke investuar në prodhimin dhe eksportin e prodhimit bujqësor.

Kjo është një tendencë që ne duam ta mbështesim shumë fort dhe ky program është një mbështetje e sigurt për ta zhvilluar më tutje këtë tendencë. Por nuk është vetëm kjo. Ne duam që t’i japim një mundësi të re të gjithë atyre që jetojnë në fshat dhe që kanë ngritur me shumë mundim fermat e tyre dhe që sot janë në gjendje që t’i shtrijnë ato më tutje, por kanë nevojë për një mbështetje të arsyeshme financiare.

Dua të theksoj edhe një fakt shumë domethënës. Ne kemi një problem, me të cilin po merremi seriozisht, që është ai i kredive të këqija, por ajo që është interesante është se nuk ka asnjë kredi të keqe nga fshati. Ajo pjesë e ekonomisë, që duket edhe pjesa më vulnerabël për shkak se është pjesa më e paformalizuar ende ashtu siç duhet dhe që krijon në pamje të parë, pasiguri evidente tek bankat, është pjesa që ka dëshmuar shumë më tepër qëndrueshmëri në raport me bankat. Këtë mund ta dëshmojë edhe Fondacioni “ Besa”, që është në avangardë të mbështetjes së fshatit, por edhe bankat komerciale, si “Credins” e të tjerë që kanë dhënë kredi për investime në fshat, që në asnjë rast nuk është provuar paqëndrueshmëri, e përkthyer në kredi të keqe, nga ana e atyre që kanë marrë kredi për të investuar në fshat. Kjo është një garanci e madhe psikologjike, megjithëse bankat përtej garancive psikologjike duan dhe garanci financiare. Tani i kanë, prandaj dhe Silvio Pedrazzi ishte kaq zemërgjerë dhe entuziast në fjalimin e tij, pasi me mbështetjen e BERZH-it, bankave i’u është dhënë një siguri e plotë, të cilën e garanton edhe qeveria shqiptare.

Ka qënë një proces jo i lehtë, për të kaluar nga një ide inovative e qeverisë sonë, tek një marrëveshje që ne e nënshkruajmë sot. Dua të falenderoj me gjithë zemër dhe jo për arsye protokolli, Presidentin e BERZH-it, i cili që nga dita një ka qënë një mbështetës i vendosur i Shqipërisë dhe i qeverisë sonë, në kuptimin jo politik, por të partneritetit. Roli i tij në arritjen e kësaj marrëveshjeje, për të krijuar këtë instrument që është një instrument i ri dhe i panjohur më parë, në rajonin tonë të paktën, ka qënë themelor. Dua të falenderoj ekipin e BERZH-it që është marrë me këtë projekt, i cili na ka dhënë një ndihmë të paçmuar me ekspertizën e vetë dhe është përfshirë tërësisht, hap pas hapi, në strukturimin e plotë të programit.

Pas firmosjes së marrëveshjes vjen një fazë tjetër dhe ne kemi rënë dakord që sëbashku me BERZH-in dhe bankat do organizojmë një fushatë sensibilizimi dhe informimi, në mënyrë që të gjithë ata që janë sipërmarrës në fshat, apo duan të investojnë në fshat të kenë një njohje të plotë për këtë program që, jam i bindur, shënon një moment historik për fshatin, sepse i hap rrugë një zhvillimi të ri, me instrumente alternativ të buxhetit të shtetit, të cilat do të sjellin shumë më tepër investime për fshatin. Potenciali është shumë i madh, por tani na duhet të investohemi seriozisht, për të krijuar kapacitetin e nevojshëm thithës të parave që janë në dispozicion.

Shumë faleminderit, me shumë mirënjohje!

Tani që kemi kaluar edhe Reformën në Drejtësi, gjërat me siguri do shkojnë më mirë dhe në aspektin psikologjik për të gjithë investitorët e huaj. Unë jam shumë i kënaqur që edhe Presidenti i BERZH ma konfirmoi këtë. Ndërkohë që, gjatë gjithë këtyre ditëve kam marrë shumë mesazhe, të papritura do të thosha, nga disa vende për Reformën në Drejtësi, që ka krijuar një optimizëm të madh dhe një shtysë të rëndësishme për investitorët e huaj, që të rrisin prezencën në Shqipëri dhe të investojnë më shumë në vendin tonë.​

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë