Përshëndetje të gjithëve!
Nuk e kam parë këtë ekspozitë. Di që qysh në zanafillën e përgatitjeve për vizitën e madhe deshëm shumë të krijonim një hapësirë publike krejt speciale kushtuar besimit, të cilën ta bënim të vizitueshme për njerëzit mu në vigjiljen e ditës së zbritjes së Atit të Shenjtë në Shqipëri. Deri këtu i’a kemi dalë.
Di që ka qenë një mundim i madh për ta zgjedhur rrugën e jetësimit të kësaj hapësire, pa rënë në nivelin e triumfit të lehtë të banalitetit propagandistik, i cili na shoqëron si hije në Shqipëri qysh prej kohës së Realizimit Socialist, sa herë që zgjedhim të kremtojmë a të kujtojmë gjësend me vendim nga lart.
Di edhe që jam lehtësuar e kam besuar se i’a kemi dalë të sigurojmë një tjetër nivel konceptimi e realizimi të idesë fillestare nga ai i zakonshmi i rasteve të tilla, kur përveç ministres sonë tejet këmbëngulëse të kulturës, kësaj përpjekjeje i’u bashkua pas një ngurrimi të fortë por karakteristik, Edi Hila. Të cilit i shkon sot e gjithë mirënjohja ime, për këtë kontribut fare të posaçëm që kam besim, ende pa e parë ekspozitën, se ka sjellë pikërisht frutin e dëshiruar.
Më kujtohet shpesh shprehja e famshme e Krishtit drejtuar Shën Tomës, dishepullit mosbesues që kërkoi t’i prekte trupin për të besuar në kthimin e tij, “Tomë, ti preke dhe besove, por lum kush beson pa prekur!”. E shpesh, me shaka po jo edhe aq, them se ne shqipot jemi ndjekësit e Tomës, jo të Jezusit.
Por sot unë s’kam nevojë ta prek me sy këtë ekspozitë për ta falenderuar megjithë zemër Edi Hilën, kolegun e tij Zef Paci padyshim, së bashku me njerëzit e Klerit e të ministrisë së kulturës, për çka kanë arritur në fare pak kohë, me fare pak shpenzime e mundësi objektive, po me shumë talent, bashkëpunim e besim padyshim.
Sprova e bashkëjetesës së paqtë fetare në Shqipëri, përmes errësirash e acaresh shpirtërore të pashoqe të së shkuarës, dhe përballë kërcënimesh e tundimesh të mëdha të së sotmes, ishte shtysa drejt kësaj ekspozite po është edhe temë e shumëdiskutuar e ditës.
Ka këndvështrime të ndryshme dhe legjitime për thellësinë e besimit fetar ndër shqiptarët e për shkallën e tolerancës së shqiptarëve. Por asnjë përpjekje për ta kuptuar veten, Shqipërinë, historinë e shoqërinë tonë më mirë, s’duhet sidoqoftë të na pengojë ta çmojmë si një pasuri të rrallë dhe ta ruajmë si dritën e syve, bashkëjetesën harmonike mes feve e komuniteteve fetare; respektin për besimin e tjetrit e për ritin e fesë tjetër; marrëdhëniet sociale pa asnjë kufizim mes myslimanësh që, siç shkruan një udhëtar i hershëm gjerman, “betohen “pasha të katër ungjijtë”, dhe të krishterësh që thonë, “Vallahi!””.
Ardhja në Shqipëri e një lideri të përbotshëm shpirtëror, dhe një flamurtari të përpjekjes njerëzore kundër përjashtimit, paragjykimit e dasisë mes njerëzve për arsye feje, ngjyre, etnie, a shtrese sociale, si Papa Françesku, dhe pritja e tij me plot dëshirë e padurim nga të krishterë e myslimanë pa dallim, është në vetvete një mrekulli e rrallë për botën gjithnjë e më të trazuar ku jetojmë.
Pak ose aspak rëndësi kanë në këtë moment kaq delikat për botën dhe kaq të bukur për Shqipërinë, si-të e pse-të që vijnë nga këndvështrime të ndryshme e shpesh të kundërta, mbi marrëdhëniet e shqiptarëve me besimin në Zot në përgjithësi apo me kishën e me xhaminë, si shëmbëlltyra tokësore të besimit në njërën a tjetrën fe.
Sot ka rëndësi një fakt, sa kuptimplotë aq edhe imponues për këdo ndër ne që e sheh ç’bëhet në botë, e që e kupton se bota bëhet përditë e më vogël dhe çka ndodh në këtë moment në ekranin e televizorit diku mbrapa diellit, momentin tjetër mund të ndodhë poshtë shtëpisë tënde.
Dhe ky fakt është se mes shqiptarëve s’ka sherr e dasi fetare; shqiptarët nuk kanë ndonjë konflikt a luftë fetare ose etnike me të tjerët, edhe aty ku ndajnë me ta tokën e qiellin e përbashkët të të njëjtit shtet a qytet a fshat; shqiptarët janë myslimanë e të krishterë që besojnë fort tek e ardhmja e përbashkët europiane dhe Shqipëria nuk është një vend mysliman, po një vend europian qytetarësh myslimanë e të krishterë, i cili sot mishëron një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës fetare.
Kjo e bën Shqipërinë të jetë shumë, po vërtet shumë e rëndësishme në hartën e rrugëtimit të të dërguarit të Zotit në tokë, për të predikuar paqen, tolerancën, solidaritetin me më të dobëtit, duke e nisur rrugën e vizitave të tij në Europë jo nga Brukseli i pasur, po nga Tirana e varfër; jo nga Europa e Bashkuar po nga Europa e mbetur ende jashtë kornizës së fotografisë së Familjes Europiane; jo nga Bashkimi Europian po nga Ballkani Perëndimor, që sot, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore e cila shpërtheu pikërisht këtu, dhe pas 100 vjet luftërash ideologjike, konfliktesh etnike, dasish fetare, trazirash të përgjakshme kufi më kufi e allnimesh të gjata sa një jetë, përbën për botën sot një shembull unikal të transformimit në një hapësirë paqeje e bashkëpunimi.
Zor të parafytyrohet lehtë në botën e sotme një realitet tjetër ku të mund të çelet një ekspozitë si kjo.
Sepse si në asnjë realitet tjetër, feja dhe Kleri nuk u vranë, gjymtuan, shkatërruan, dogjën e përvëluan si në Shqipëri, po edhe sepse rrallëkund si në Shqipëri Kleri mesveti shkon e bashkëpunon kaq mirë e lehtë sa këtu.
Shihja sot faqen e parë të një të përditshmeje, majtas Papa Françesku dhe djathtas kryetari i komunitetit mysliman shqiptar, miku im Skënder Bruçaj. I cili e konsideron ardhjen e Atit të Shenjtë si një vlerësim kuptimplotë për bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Një foto sa 1 milionë fjalë.
Sa 1 milionë fjalë edhe përgatitja e kësaj ekspozite falë bashkëpunimit të klerit shqiptar si i tërë.
Jetojmë në kohë të vështira miq dhe përpara se sa të bëhen më të mira për botën ku jetojmë, kohët do të bëhen gjithnjë e më të vështira.
Papa Françesku thotë se ka filluar Lufta e Tretë Botërore.
Shumëkush mund të mos jetë dakord.
Sidoqoftë, lufta që ka filluar tutje në Irak e në Siri, mes një force të verbër shtazarake që vetëquhet Shteti Islamik i Irakut e Levantit dhe çdo qenieje, komuniteti, vendi e shteti, që kjo forcë e dalë nga terri ndesh në rrugën e vet të krimit e të gjakut, nuk është aspak e destinuar të mbetet brenda kornizës së botës digjitale të informacionit.
Kjo është një luftë fort e ngjashme me luftën me një epidemi vrastare, përhapja e të cilës s’njeh kufi, konvencione, rregulla eksperiencash të mëparshme dhe kush e sheh apo kujton si një kanosje që s’ka lidhje me të, rrezikon shumë të jetë tepër vonë kur të mund t’i duhet të luftojë ballë për ballë e vetëm për vetëm kundër saj.
Jo vetëm që kjo luftë nuk është vetëm ajo pjesë e saj që ne e shohim në televizor, po as kundërvënia ndaj epidemisë që kërcënon të përhapet kudo, përmes mesazheve me koka të prera njerëzish në adresë të Amerikës e aleatëve të saj, nuk është vetëm ajo që aleanca ndërkombëtare kundër atij horror-shteti ka nisur në territoret e pushtuara prej tij.
Lufta kundër kësaj epidemie të horrorit që kërcënon sot botën tonë, lirinë tonë, të drejtat tona si njerëz e aspiratat tona si shoqëri vendesh demokratike, është edhe lufta jonë, si shqiptarë e qytetarë europianë, për ta ruajtur e kultivuar me çdo kusht e formë farën e paqes e të bashkëjetesës harmonike mes feve, komuniteteve, etnive e vendeve.
Është edhe lufta e Klerit mysliman, katolik e ortodoks shqiptar që sot më shumë se asnjëherë duhet të tregojnë dhe po tregojnë unitet rreth Zotit të përbashkët të dashurisë, mirëkuptimit, tolerancës e bashkëpunimit.
Është edhe lufta e Papa Françeskut padyshim që me gjuhën e dashurisë e të paqes, po udhëheq një kundërvënie frontale ndaj të këqijave që e kërcënojnë së brendshmi e së jashtmi shoqërinë e konsumit dhe të pasurin që nuk sheh tek i varfëri problemin e tij.
Papa Gjon Pali II zbriti në Shqipëri kur kishte mbaruar Lufta e Ftohtë dhe kishte nisur përpjekja titanike e vendeve të dala nga shembja e Perandorisë Komuniste, drejt Bashkimit Europian e NATO-s.
Qysh atëherë ka kaluar shumë kohë, po jo aq shumë sa për të mos reflektuar mbi “Pse-në” e ardhjes së një tjetër pape, në një vend kaq të vogël e të parëndësishëm globalisht si Shqipëria, në harkun e vetëm dy dekadave.
Papa Françesku zbret në Shqipëri kur ka filluar ajo që ai e quan Lufta e Tretë Botërore, dhe kur shqiptarët myslimanë e të krishterë sapo kanë kurorëzuar, bashkë me fqinjët e tjerë të rajonit, një proces historik paqeje në emër të së ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian.
Nga ky udhëkryq, Ati i Shenjtë vjen t’u flasë jo vetëm shqiptarëve, as vetëm popujve të këtij rajoni, po mbarë Europës, për nevojën e besimit, e bashkimit, e kapërcimit të kufijve e të kornizave të derisotme në funksion të mbrojtjes së përbashkët të së ardhmes.
Sot Europa ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për Europën. Sot shqiptarët i duhen Europës, po aq sa ç’u duhet Europa shqiptarëve.
Sot Bashkimi i pasur Europian duhet të shohë tek Europa e varfër e rajonit tonë, jo një arsye për të qëndruar të ndarë nga kilometrat e fashikujve të integrimit, por një motiv të fortë për t’u afruar më shumë se asnjëherë në emër të mbrojtjes së përbashkët nga epidemia që përmes më të dobëtëve vret më të fortët, përmes më të varfërve vret më të pasurit, përmes më të afërtve vret më të largëtit.
Sot, njësoj si Amerika e kërcënuar në esencën e qenies së vet, Europa demokratike duhet t’i kundërvihet fantazisë së shfrenuar të atyre që duan ta shkatërrojnë botën me egërsinë pa limit të njeriut të kthyer në errësirën e mijëvjeçarëve të shkuar, jo vetëm me fuqinë e armëve po edhe me fuqinë e bashkimit.
Sado i dobët apo i varfër të jetë apo të ndjehet sot rajoni ynë, është me fort rëndësi që asnjë vend i rajonit të mos ndjehet i largët me Europën dhe të mos e përjetojë rrugëtimin drejt Bashkimit Europian si qytetar i dorës së dytë.
Sidomos vlen kjo për shqiptarët, me të cilët historia s’ka qenë fort bujare dhe të cilët sot, duhet të respektohen për kontributin që kanë dhënë për paqen në Ballkan, e jo të paragjykohen për shkak të fesë; duhet të respektohen për përkatësinë e shprehur unanimisht si europianë ndaj botës demokratike dhe jo të paragjykohen si vend mysliman; po shqiptarët duhet të respektohen pa asnjë ngurrim qoftë edhe për gjithë atë gjak e vuajtje që i kanë blatuar krishtërimit, duke i dhënë kishës katolike deri dhe dyzetë martirë, e jo të paragjykohen mendjelehtësish pse i luten Allahut në një vend ku Krishtlindjet e Bajrami festohen e urohen pa kufirin e përkatësisë fetare.
Ekspozita “Besim” nuk synon t’i tregojë shqiptarët siç ata nuk janë.
S’ka qenë gjëkundi qëllimi për ta nxjerrë, kur i thonë fjalës, më katolik se Papa këtë popull në lidhjen që ka me besimin, as për ta shfaqur Shqipërinë si shtëpinë e zotit vetë. E jam i bindur se autorët e kësaj ekspozite nuk kanë shkuar kurrsesi në këto drejtime. Por më shumë se sa të besoj gjithë sa thashë pa e parë akoma ekspozitën, nuk mund të bëj. As më shumë për të thënë s’kam, përveçse t’ju uroj të gjithëve një përjetim sa më mbresëlënës.
Edhe njëherë faleminderit dhe këtë herë jo vetëm autorëve e bashkëpunëtorëve të tyre, po edhe gjithë të ftuarve që kanë ardhur duke besuar pa parë, se i’a vlen.
***
Një ekspozitë krejt e veçantë dedikuar besimit fetar u çel sonte në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.
Ekspozita evokon kontributin e Klerit në Shqipëri para, gjatë dhe pas periudhës së diktaturës, sakrificën e tyre në breza si dhe promovon bashkëjetesën ndërfetare, si një tipar dallues të shoqërisë shqiptare.
Kjo ekspozitë u mundësua nga Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me komunitetet fetare, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama. Materiali fotografik dhe filmik i ofruar nga komunitetet fetare është kuruar nga kuratorët me përvojë artistike Edi Hila dhe asistenti i tij Zef Paci.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për rreth një muaj nga data 20 Shtator deri me 20 Tetor.
Redaksia Online