Fjala e kryeminsitrit Rama gjate nenshkrimit të marrëveshjes me Britaninë për akreditimet

Sigurisht na vjen mirë që jemi në kampionatin europian të futbollit, por sigurisht do të na vinte edhe më mirë, po të ishim në kampionatin europian të cilësisë së lartë.

Kjo është edhe arsyeja pse kemi ftuar Agjencinë britanike të Sigurimit të Cilësisë, për të kaluar në një testim shumë të vështirë, por të domosdoshëm, të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë.

Një kryeministër britanik ka thënë pak kohë më parë se arsimi është politika më e mirë ekonomike. Pikërisht, Kryeministri Gordon Brown që ashtu si e gjithë partia laburiste bëri shumë për arsimin. Ndërkohë që ne, këtu në Shqipëri e kemi konsideruar reformën në arsim si një domosdoshmëri, të cilës për vite të tëra, qeveritë në të shkuarën i ishin shmangur ne mënyrë fatalë për gjeneratën e re.

Faktikisht, dy vjet e pak muaj më parë, ne kishim numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë. Kishim 8 herë më shumë universitete se Britania e madhe, plot 20 universitete për 1 milionë banorë. Një sistem që dha 32 mijë diploma nga pjesa private, gjysmën e të cilave, 16 mijë, nga një universitet i vetëm dhe u mori prindërve shqiptarë 148 milionë euro, duke arritur të japë rreth 900 diploma për të huaj, pavarësisht se nuk kishte asnjë leksion në gjuhë të huaj. Natyrisht që do të ishim të kënaqur, nëse këta 900 e kusur të huaj do të ishin lëvrues të gjuhës shqipe, por kjo është shumë e vështirë për t’u besuar.

Ne kemi thyer dhe një rekord tjetër si shtet, kemi arritur të hartojmë 7 strategji kombëtare për arsimin në 20 vjet dhe kemi arritur madje të kemi 2 strategji kombëtare për arsimin brenda një mandati qeverisës të së njëjtës parti. Kjo vetëm sepse në një mandat, partia pati dy ministra të ndryshëm. Sigurisht që nuk mund të presësh nga e gjithë kjo anarki, as cilësi dhe aq më pak, një proces akreditimi të besueshëm, sepse për hir të së vërtetës ka qenë një proces akreditimi që faktikisht ka rezultuar po aq farsë, sa i gjithë procesi i liberalizimit, me demek, të Arsimit të Lartë, duke na vënë në kushtet që duhet të mbyllnim përfundimisht 18 institucione private të Arsimit të Lartë, një institucion publik, 16 filiale dhe po ashtu të pezullonim veprimtarinë e 12 institucioneve të tjera, për t’i vendosur në binarët e ligjit, duke pritur plotësimin e kushteve të caktuara nga ligji dhe aktet nënligjore për një periudhe deri në 2 vjet.

Do të kishim dashur që procesin e akreditimit me agjencinë britanike ta kishim filluar më parë, por, faktikisht, edhe siç u vlerësua nga  përfaqësuesit e agjencisë, kjo gjë ishte e pamundur. Fillimisht, ne duhet thjesht të vendosnim institucionet e Arsimit të Lartë në binarët  ligjit që kishim dhe të bënim të mundur që një pjesë e konsiderueshme e tyre të  mos vazhdonte më të operonte për pamundësi që të futej në binarët e ligjit.​

Nëse ka një sektor ku mund të shihet një shembull ulëritës i hendekut mes çfarë shkruhet në ligj dhe çfarë gjendet në realitet, ky sektor është arsimi që ne trashëguam dhe Arsimi i Lartë në mënyrën më klithëse për çdo politikbërës, që ka një ndërgjegje minimale në raport me detyrimin që arsimi i ka prindërve, fëmijëve, të ardhmes së vendit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ndërhyri për të ndaluar kuotat për studime me kohë të pjesshme, kuota që numëronin 28117 studentë. Një Shqipëri e tërë part-time, një sistem i tërë part-time, një farsë e tërë me kohë të pjesshme, për t’i thënë vetes se “ja, të gjithë në këtë vend merremi me studime të larta”.

Sot është dita për ta falënderuar edhe njëherë Këshillin Britanik për mundësinë e madhe që na krijoi, duke na siguruar kontaktin me Agjencinë britanike të Sigurimit të Cilësisë në arsimin e lartë dhe duke na vënë në kushtet që në qershor të vitit 2014, ne të fillonim këtë bashkëpunim. Reputacioni i kësaj Agjencie nuk është në pyetje. Është një reputacion i mirënjohur europian dhe botëror.

Agjencia është një nga themelueset e vetë rrjetit të agjencive të akreditimit, çka për ne ka një rëndësi të dyfishtë. Nga njëra anë, agjencia do të bëjë vlerësimin e të gjitha institucioneve funksionale, sot, të Arsimit të Lartë, publike dhe private. Këtu është vendi për të nënvizuar se është e habitshme që vazhdon të ketë ende, Shqipëria, njerëz që kanë edhe titujt, që e sulmojnë reformën tonë për faktin e  thjeshtë se ne vendosëm parakushtin e adresimit të nevojës për cilësi, në mënyrë krejtësisht të barabartë, jo diskriminuese, në arsimin publik të financuar nga shteti dhe në arsim publik të financuar nga privati. Është haluçinante që vazhdon bëhet ky debat, që vazhdon një përpjekje, fatmirësisht sa mediokre, aq edhe në minorancë, për të bërë një dallim diskriminues midis sistemit të Arsimit të Lartë që financohet nga shteti dhe atij q ë financohet nga privati. Për ne, arsimi është një e mirë publike që duhet ta garantojmë nga të gjitha burimet e mundshme, qofshin burime të financimit shtetëror, qofshin burime të financimit privat.

 Fakti është se themeli i reformës sonë i jep fund arsimit si biznesit dhe i jep fund mundësisë për të krijuar vatra universitare apo parauniversitare për qëllime fitimi. Ky është thelbi.

Sot, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Agjencia britanike e Sigurimit të Cilësisë do të na mundësojë që të kemi një pasqyrë besnike vlerësimi dhe certifikimi të cilësisë, të integruar me të njëjtat standarde dhe procedura, për të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qofshin të financuara nga shteti, qofshin të financuara nga privati.


Në këndvështrimin tonë, fakti që sot kemi një bazë konkurrence të lirë e të barabartë është një risi që do të sjellë shumë më tepër cilësi në arsimin e lartë, do të sjell shumë më tepër mundësi për të ecur përpara, duke mësuar nga njëri-tjetri për efekt të konkurrencës. Një arsim shtetëror i nënës dhe një arsim privat i njerkës është pamja e një mënyre krejtësisht të shtrembër, për të kuptuar sesi në fakt këto janë dy anë të të njëjtës medalje dhe dy binarë për të njëjtin tren, për trenin e edukimit.

Nga ana tjetër, agjencia do të na ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të brendshme të vetë institucioneve të arsimit të lartë, për cilësinë hulumtuese e vendimmarrëse të tyre, duke krijuar bazën që Agjencia jonë Kombëtare e Akreditimit të mund të marrë përgjegjësinë dhe të mund, pse jo, të bëhet pjesë, në një kohë të arsyeshme, e rrjetit të agjencive të akreditimit dhe të përfshihet ë regjistrin europian.

Ne nuk dimë ndonjë vend më të bekuar, për të kërkuar një vlerësim të paanshëm, objektiv dhe të barabartë, sesa Britania e Madhe. Jam i bindur që Brukseli nuk mendon njësoj, por kjo është një çështje tjetër. Përsa i takon kontekstit shqiptar dhe përsa i takon nevojave që ne kemi në arsimin e lartë, pasja e kësaj mundësie dhe e këtij bashkëpunimi me Agjencinë britanike të Sigurimit të Cilësisë është realisht një shans historik, për ta filluar më këmbën e mbarë, një proces tërësisht të ri, por absolutisht jetik për arsimin e lartë, që është procesi i akreditimit të universiteteve.

Jo për nga rëndësia, e lashë për në fund falenderimin për mikun tonë të shtrenjtë, ambasadorin e Britanisë së Madhe, i cili ka qenë një ndihmë e vyer për të siguruar mbarëvajtjen e gjithë këtij komunikimi intensiv me agjencinë britanike, e cila, për të thënë të vërtetën deri në fund, iku e lemerisur pas vizitës së parë dhe po të mos ishte këmbëngulja e madhe e ministres dhe e ambasadorit, vështirë se do t’i kishim parë prapë në Tiranë. Kjo për një arsye të thjeshtë, se niveli i standardeve dhe i performancës, ashtu siç ne e gjetëm, ishte jashtë çdo fuqie të imagjinatës së ekspertëve britanikë, për të mundur për të hyrë në procesin e akreditimit. Amaneti, që ata lanë para se të iknin, ishte se në radhë të parë ju sigurohuni që institucionet e Arsimit të Lartë të zbatojnë ligjet që i keni miratuar vetë dhe pastaj shikoni e bëni për t’i akredituar. 

Sigurisht që ne e ishim këtë objektiv dhe këtë bindje, por fjalët e ekspertëve britanikë ishin një shtysë shumë e fortë për t’i shkuar deri në fund një procesi nga ku shpëtuan dhjetëra mijëra prindër e dhjetëra mijëra vajza e djem, që sot nuk investojnë më as paratë dhe as energjitë e tyre në drejtimin e paditur të atyre piramidave që na lanë, shpresoj një herë e mirë, shëndetin. Shumë faleminderit.  

***
Sot u nënshkrua marrëveshja midis Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Agjencisë e Sigurimit të Cilësisë në Britaninë e Madhe, për vlerësimin dhe certifikimin e cilësisë së institucioneve të Arsimit të Lartë.  

Marrëveshja u nënshkrua në Kryeministri, nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe përfaqësues i Agjencisë britanike të Sigurimit të Cilësisë, një nga agjencitë më të njohura të fushës në Europë e në botë. 

Qëllimi i marrëveshjes është kryerja e vlerësimit dhe certifikimit të cilësisë në mënyrë tërësore, të integruar dhe mbi të njëjtat standarde e procedura të të gjitha institucioneve të Arsimit të Lartë që veprojnë aktualisht në vend, me orientim nga standardet europiane e ndërkombëtare.

 ​

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Hajdutët akrobatë grabisin të paktën 1 mln euro në shtëpinë e ish-gazetarit parlamentar të RAI-t në Romë