Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta
në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, I Nderuar Michael Turner,
Kryeministër Rama,
Kryeministër Djukanovic,
Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Ambasador Alexander Vershbow,
Të nderuar Përfaqësues dhe Delegatë,
Zonja dhe Zotërinj.

Është një nder i madh për mua që në emër të Kuvendit të Shqipërisë t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në Sesionin e Pranverës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Besoj fort se ky sesion në Shqipëri është një ngjarje kuptimplotë dhe simbolike për të gjithë rajonin.

Periudha e tranzicionit të Ballkanit është ndikuar fuqishëm nga përfshirja e NATO-s dhe aspiratat e vendeve tona për t’iu bashkuar Aleancës.
Është gjithashtu e vërtetë se transformimi i vetë NATO-s, pas Luftës së Ftohtë ka qenë i ndikuar nga zhvillimet në Ballkan.

Asambleja Parlamentare e NATO-s ka qenë gjithnjë një mbështetëse e fortë e zgjerimit të NATO-s dhe ka mbështetur fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim, të cilat kulmuan me anëtarësimin e saj të plotë, së bashku me Kroacinë, në vitin 2009.

Edhe një herë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë ju falënderoj për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe për praninë tuaj këtu në Tiranë!
Shqipëria do të jetë gjithmonë një anëtare e vendosur, besnike dhe aktive e Aleancës dhe do të kontribuojë, sipas rrethanave, për tu përballur bashkarisht në të ardhmen me sfidat e reja shumë dimensionale të sigurisë.

Ne duhet të konsolidojmë radhët tona për t’u siguruar që NATO është më e fortë se kurrë në mbrojtjen e sigurisë tonë të përbashkët dhe kufinjve tanë të jashtëm
· Paqëndrueshmëria politike në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe më gjerë në Pellgun e Mesdheut;
· Krijimi i ISIS dhe përpjekjet për të vendosur një shtet të organizuar terrorist, të armatosur dhe që kërkon paisje nukleare, duke sfiduar rendin ndërkombëtar dhe duke masakruar njerëz të pafajshëm;
· Kërcënimet dhe kanosjet që vijnë nga Lindja, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare;
· Konfliktet e ngrira të pazgjidhura, me një potencial të lartë për të shkaktuar paqëndrueshmëri rajonale dhe globale;
· Konfliktet e ndezura nga injoranca, mospërfshirja, varfëria, ekstremizmi dhe keqinterpretimet fetare;
· Çështjet e sigurisë kibernetike, të energjisë dhe kufinjve, në një botë që po bëhet më shumë se kurrë e globalizuar dhe e ndërlidhur;
· Paqëndrueshmëria ekonomike si pasojë e një krize ekonomike botërore të zgjatur dhe rimëkëmbje të ngadaltë;
· Kërcënimi në rritje i terrorizmit ndërkombëtar dhe efektet e tij të paprecedent në flukset e migracionit masiv, si dhe trafikimi dhe krimi i organizuar;
· Aleanca e fshehur dhe e përzier midis celulave dhe organizatave terroriste me sindikatat transnacionale të krimit të organizuar;
     · Trafikimi i paligjshëm i qenieve njerëzore, lëndëve narkotike, armëve dhe mallrave;
· Tronditja e vlerave europiane të solidaritetit dhe shtimi i lëvizjeve ksenofobike dhe radikale në Europë;

Të gjitha këto janë këmbanë që bien për të sinjalizuar nevojën e menjëhershme për të forcuar angazhimin dhe kontributin e çdo anëtari dhe veprimin e përbashkët të integruar të Aleancës në trajtimin e sfidave të tilla komplekse të sigurisë.

Sipas mendimit tim modest, arkitektura jonë e sigurisë duhet përshtatur dhe shtuar më tej drejt një koncepti të ri të “Rrjetit Gjithpërfshirës të Sigurisë” që vendos lidhje më të ngushta dhe një koordinim më të mirë mes të gjitha agjensive, të forta dhe të buta, me mjaftueshëm burime të nevojshme, me mbështetje njerëzore, financiare dhe teknologjike, duke përqafuar qasjen “Njësia e Qeverive Kombëtare” dhe “Njësia e NATO-s” në një strategji të përbashkët mes trekëndëshit “Mbrojtje – Inteligjencë – Sundim i Ligjit”, së bashku me aktorë të tjerë si komuniteti i biznesit, shoqëria civile dhe publiku ynë i gjerë.

Asambleja Parlamentare ka një rol thelbësor për të luajtur në nxitjen e vendeve anëtare që të angazhojnë burimet e nevojshme dhe të ndërmarrin hapat dhe vendimet e nevojshme.

Asambleja është gjithashtu një platformë e shkëlqyer për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin dhe ne jemi krenarë për rolin e saj vendimtar gjatë dekadave, në përpjekje për të nxitur partneritetin dhe bashkëpunimin.

Muajt e fundit janë shënuar nga një katastrofë humanitare nga njëra anë, sulmet terroriste në Europë dhe nga sfida serioze ndaj arkitekturës ndërkombëtare të politikës dhe sigurisë që vijnë nga ngjarjet në Ukrahinë dhe Krime, të cilat sot ngrenë pikëpyetje themelore për parimet dhe funksionimin në të ardhmen të rendit ndërkombëtar, si dhe rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Bota sot është një vend tërësisht ndryshe, e shënuar nga ngjarje shqetësuese në kufijtë tanë lindorë dhe jugorë. Forcat e jashtme që ushtrojnë presion në rajonin tonë janë njëkohësisht ekonomike, politike dhe humanitare.

Ne shpesh injorojmë faktin se Europa Jug-Lindore shtrihet nga Mesdheu deri në Detin e Zi, të dyja këto zona konfliktesh që, kohët e fundit kanë dominuar axhendat politike europiane, amerikane dhe globale, duke na paraqitur një realitet të ri gjeopolitik.

Fatkeqësisht Mesdheu është kthyer në një vaskë gjaku, duke marrë qindra jetë njerëzish, edhe të fëmijëve të pafajshëm – duke eksportuar në Europë dhe tek qytetarët e saj pasiguri.

Ndodhemi në mes të një krize refugjatësh dhe siç e kemi parë qartazi – ka qenë disi e vështirë dhe e dhimbshme të shihje në tokën europiane mënyrën se si janë trajtuar gjatë këtyre muajve këta refugjatë të dëshpëruar, duke vënë në pikëpyetje kuptimin në tërësi të vlerave europiane të solidaritetit.

Është e vërtetë që çdo vend dhe qeveri ka përgjegjësi për të mbrojtur kufijtë dhe popullin e vet. Por, është gjithashtu e vërtetë që bota e qytetëruar ka detyrimin t’i garantojë strehim dhe të ndihmojë ata që largohen nga vendet dhe shtëpitë e tyre për shkak të luftës, masakrave dhe asgjësimeve.

Shqipëria nuk është prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga flukset aktuale të refugjatëve. Por, në kuadër të një qasjeje të përbashkët europiane, dëshiroj të rikonfirmoj se Shqipëria do të kontribuojë, në përputhje me rrethanat dhe kapacitetet tona modeste.

Shqipëria nuk do të ndërtojë mure, dhe nuk kemi ndër mend të ngremë gardhe.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria është e vendosur në besimin e saj se një Europë e fortë dhe një Aleancë e fortë trans-atlantike janë jetike për të ardhmen e sigurisë tonë dhe asaj globale.

Në këtë kontekst, ne jemi të sigurt se orientimi Euro-Atlantik i rajonit tonë është po aq i domosdoshëm për sigurinë tonë, sa ç’është reciprokisht i rëndësishëm për pjesën tjetër të botës perëndimore.

Duke pasur parasysh këtë, unë besoj se është vendimtare zgjerimi i BE-së dhe i NATO-s, me përfshirjen e plotë të Ballkanit Perëndimor – duke mos lënë ASNJË korridor të izoluar mospërfshirjeje apo pasigurie.

Në lidhje me këtë çështje, ne përshëndesim fort vendimin e NATO-s për të ftuar Malin e Zi që të nisë negociatat e anëtarësimit dhe vlerësojmë nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit mes Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe Malit të Zi.

Përfitoj nga rasti ti shpreh urimet e mia më të përzemërta mikut tim të shtrenjtë dhe të vjetër Milo Djukanovic, i cili na ka nderuar sot me praninë e tij dhe që më pas do marrë fjalën.

Duke pasur parasysh këtë, edhe rrugëtimi i Maqedonisë drejt anëtarësimit duhet përshpejtuar, si një çështje me rëndësi gjeopolitike, ashtu siç duhet përshpejtuar integrimi euro-atlantik i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Edhe ata duhet dhe do të jenë një ditë në NATO.

Veç përfundimit të integrimit të Ballkanit, kufijtë e jashtëm të NATO-s jo vetëm duhen mbrojtur, por ato duhen kthyer në mundësi bashkëpunimi, duke pasur parasysh se kompleksiteti i sfidave të sotme kërkon një qasje më koherente ndaj strategjisë tonë të bashkëpunimit në të ardhmen.

Mbështetja publike ndaj NATO-s dhe prioritetet e saj janë vendimtare për hartimin e politikave të jashtme dhe të mbrojtjes në të ardhmen, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpenzime publike dhe kontribute financiare të secilit vend anëtar.

NATO duhet të jetë e fortë sa i takon kapaciteteve të saj teknologjike. Kjo do të kushtojë para, dhe secili vend anëtar duhet të luajë rolin e tij për të garantuar që Aleanca jonë të mbetet e fortë, moderne, koherente dhe efektive.

Kuvendi i Shqipërisë ka qenë një mbështetës i fortë i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në përpjekjet e saj për të nxitur qeveritë kombëtare që të angazhohen për më shumë mundësi mbrojtjeje, të përmbushin zotimet e tyre financiare dhe të forcojnë bashkëpunimin dhe solidaritetin transatlantik.

Shqipëria mbetet e angazhuar për të qenë aktive në operacionet ndërkombëtare të NATO-s, do të jetë një kontribuuese e fortë brenda Asamblesë Parlamentare për të nxitur zgjerimin, dialogun, mirëkuptimin dhe partneritetin me ato vende që dëshirojnë të bashkëpunojnë më ngushtë me Aleancën tonë.

Ne jemi shumë krenarë me punën e kësaj Asambleje dhe rolin e saj të rëndësishëm për përkrahjen e vlerave dhe parimeve demokratike që përbëjnë themelet e Aleancës tonë.

Ndaj, ky Sesion i Pranverës i Asamblesë Parlamentare duhet të nxisë Samitin e ardhshëm të Varshavës që të marrë parasysh deklaratën tonë përfundimtare dhe të garantojë zhvillimin e duhur dhe mbështetjen nga secili vend anëtar të një strategjie gjithëpërfshirëse për mbështetjen e stabilitetit dhe sigurisë përtej kufijve të Aleancës tonë, në të ardhmen e afërt.

Të dashur miq,
Është thelbësore që përballë sfidave të tilla, ne të veprojmë si një trup I VETËM për ti treguar botës se kjo Aleancë është solide dhe e paprekshme.

Ndaj është e rëndësishme që të punojmë ngushtë për të forcuar dimensionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Mbajtja e sesionit të pranverës në Shqipëri, që ka përjetuar zhvillime demokratike të paimagjinueshme që nga izolimi dhe e shkuara brutale komuniste, ka një rëndësi të veçantë simbolike, sepse dëshmon që PO, përparimi është i mundur!

Ju falënderoj dhe një herë që ndodheni këtu në Tiranë dhe ju uroj një sesion plenar frytdhënës dhe produktiv.

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar