Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike në mbledhjen e grupit parlamenta

E mbajmë këtë mbledhje të grupit tonë parlamentar në një moment kur frymën optimiste dhe shpresën që po ngjallim në çdo familje shqiptare me ofertën e  demokracisë së re, po e rrit, forcon dhe e konsolidon nevoja për të ndërprerë një orë e më parë serialin e ngjarjeve të zeza, njëra më e padëgjuar se tjetra, njëra më shokuese se tjetra, të gjitha me një origjinë, qeverinë e skandaleve, qeverinë  famëkeqe Rama-Meta.

Në mes të stuhisë që ka ngritur denoncimi i vrasjes me pagesë të dy deputetëve me porosi të kryetarit të kuvendit, Ilir Meta, si dhe në kulmin e etheve që kanë pushtuar bosët dhe ushtarët e krimit të organizuar për shkak të avancimit të nismës tonë historike dhe jetike për dekriminalizmin, ja ku shpërthen skandali i radhës: fshehja kriminale e kërkesës së Interpolit për deputetin Frroku, i akuzuar nga drejtësia belge për vrasje.

Dy herë radhazi, më 8 janar dhe me 23 janar të këtij viti e injoruan këtë kërkesë të një vendi mik të Bashkimit Europian.

Arsyeja nuk mund të ishte harresa. Nuk ka harresë, nuk ka gabim në këtë nivel komunikimi e bashkëpunimi mes policive dhe qeverive për çështje kaq të ndjeshme.

Arsyeja nuk mund të ishte as burokratike. Shqipërisë, Ministrisë së Brëndshme për herë të parë i vjen një kërkesë e tillë e jashtëzakonshme që normalisht duhej të ngrinte në këmbë qeverinë.

Arsyeja është përplasja e interesave kriminale në pallatet e pushtetit, fshehja e krimit me krim, siç është tipike për ligjet e mafias.

Arsyeja ishte kapja e dëshmitarit kyç dhe kthimi i tij në komardare për Ilir Metën në akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Por kësaj radhe shkuan shumë larg. Kanë lënë gjurmë ngado të lidhjes me krimin. Kanë hapur një gropë të madhe, duke fshehur kërkesën e autoriteteve belge.

I kanë vënë një tjetër njollë të pamerituar vendit, kanë minuar në themele policinë, kanë goditur drejtësinë, ligjin, shtetin, institucionet dhe çdo strandard demokratik të vendit.

Sado të përpiqen Edi  Rama dhe sejmeni i tij Saimir Tahiri për të larë duart edhe me këtë skandal, duke sakrifikuar drejtorin e tyre të Policisë, ata jo vetëm nuk i lajnë dot,  por i zhyejnë akoma më shumë. Sepse skandali qelbet erë të keqe dhe është i tyri.

Për një ditë si kjo ishte caktuar numëruesi i parë Artan Didi në krye të policisë. Për të shërbyer porositë kriminale, e për ti marrë me vete mëkatet atëherë kur zullumi të bëhej mal, siç ndodhi, atëherë kur zullumi nuk mbahej më dot i fshehtë.

Nuk mund të mbulohej më krimi me krim, derisa u detyruan të ndërhynin kancelaritë e Europës. Dhe vetëm atëherë, Rama lejoi procedurën, anulloi urdhërin e fshehjes së krimit.

Ikja e Didit është rënia e një tulle në ngrehinën e madhe kriminale që është ngjizur në mëkat, në trafiqe nga më të ndyrat. Problemi i Policisë mbetet po ai, se problemi i policisë është modeli i zgjedhur, kapja e saj nga krimi në kupolë, shërbimi ndaj krimit, ndarja e hises me krimin. S’mund të ketë Policia model të ndryshëm nga ai që i ka caktuar qeveria. Ky është modeli i ofruar nga Edi Rama, dhe kjo ka ndodhur. Çfarë mund të presësh nga ata qindra e mijëra burra dhe gra të ndershëm nën uniformë, kur kryeministri emëron në postet kyce, në detyrat më sensitive. i jep pushtet dhe kompetencat e vendimit përfaqësuesve të krimit të organizuar, njerëzit që janë larguar pikërisht për shkak të lidhjeve të tyre të dyshimta me krimin, pikërisht ata që duhet të jenë shënjestra e policisë.

Që këtu policia ka rënë, dhe është drejtuar t’i shërbejë krimit të organizuar, e jo ta luftojë atë. Ndaj duheshin larguar profesionistët, ndaj duhej të vinin në krye njerëzit e këtij betimi të errët, të sektit të zi, lidhur gjenetikisht me krimin.

Sot lodhen kot dhe nuk i beson kush Ramën e Tahirin, kur përpiqen si burracakë t’ua hedhin vartësve përgjegjësinë për fshehjen e kërkesës së Interpolit. Nuk ka vartës në sistemin e tyre. Janë ata vetë sistemi. Ata diktojnë, ata vendosin.

Mbajtja fshehtë e letrave që inkriminojnë në një vrasje në Belgjikë deputetin Frroku përkon në kohë me periudhën kur shpërtheu përpjekja e treshes Rama-Meta-Tahiri për të diktuar me çdo kusht dhe me çdo mjet manipulimin e hetimeve për vrasjen me pagesë të dy deputetëve të parlamentit shqiptar.

Shqiptarët e kanë të qartë se letrat për Frrokun nga Belgjika u përdorën brutalisht, për t’i çuar hetimet në hullinë e paracaktuar nga treshja, duke qenë se Frroku ishte një nga dëshmitarët kyç në këtë aferë kriminale.

Shqiptarët e panë se dëshmia e Frrokut ishte ajo që dëshironte Edi Rama dhe Ilir Meta, më saktë, ishte ajo çfarë dyshja kishte paracaktuar. Ishte dëshmia që ata kishin diktuar. Ishte dëshmia e dëshmitarit kyç të marrë peng, duke i tundur herë shkopin, herë karrotën, me kërkesën zyrtare të Belgjikës.

Eshtë një kryeskandal që për nga përmasat vendos një plan krejt tjetër, gjithë paligjshmërinë e kësaj qeverie në këto dy vite, dhe inkriminimin masiv të institucioneve e parlamentit.

Shqiptarët e dinë, është Edi Rama që mori Frrokun, e futi në parlament, duke ia njohur problemet që ka me drejtësinë.

Por është edhe më e rëndë fshehja që bëri për hesap të Frrokut, të kërkesës së Interpol-Brukselit për ndalimin e deputetit.

Edi Rama dëshmoi edhe një herë, më qartë se kurrë, se për të nxjerrë nga bataku Ilir Metën në një çështje ku ai vetë ishte bashkëpunëtor që ditën e parë, është gati të përdhosë ligjin, policinë, shtetin dhe imazhin e vendit.

Tani që skandali ka shpërthyer duke tronditur mbarë opinionin vendas dhe aleatët tanë perëndimorë, mos vallë e pa kush, mos vallë e dëgjoi kush Edi Ramën të merrte përgjegjesitë që i takojnë, siç do të bënte çdo kryeministër në një vend normal? Aspak.

Marrja, reflektimi dhe adresimi pa doreza i përgjegjësive nuk janë as stofi, as formimi i tij politik. Mbulo krimin me krim, si e si, të mos dalë në dritë e vërteta - kjo është historia e dyshes Rama-Meta. Kjo është drama e Shqipërisë përsa kohë do të ketë në krye këtë dyshe. Kanë hyrë në një rreth vicioz ngjarjesh e veprimesh kriminale, tërheqin njëri-tjetrin dhe personazhe të tjerë të botës së tyre në këtë vorbull, e shohin se nuk i gëlltit më askush gënjeshtrat e tyre, e shohin se po i zë haku i qytetarëve, dhe  atëherë çfarë bëjnë: Akuzojnë opozitën që nuk i lejon të  mbyllin në shtatë kyçe të palarat e tyre stivë, që u ka thënë, u thotë e do t’u thotë të vërtetën në sy, ballëpërballë, sepse ky është misioni ynë, këtë presin prej nesh qyetetarët shqiptarë: të jemi në këmbë, të jemi kurajozë, të jemi konkretë, të drejtë, parimorë, të vërtetë, siç kemi qenë, siç jemi dhe siç do të vazhdojmë të jemi.

Dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nuk është mbajtje përgjegjësie, siç tentojnë ta servirin Rama dhe Tahiri i tij. Eshtë marrëveshje, është vazhdim i paktit kriminal për të varrosur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Saimir Tahirit dhe Edi Ramës.

Ministri i Brendshëm dhe shefi i tij Kryeministër kanë përgjegjësinë kryesore. Të tjerët janë thjesht bashkëpunëtorë dhe zbatues të urdhërave.

Të inkriminuarit e banditët që me Edi Ramën e Ilir Metën kapën postet kyçe në administratë e hynë në parlament në fakt nuk janë asgjë në krahasim me një Kryeministër e Ministër të Brendshëm që fsheh urdhrin e Interpolit, që mbron krimin, që pengon dhe ndalon drejtësinë.

Ndaj përsërisim sot kërkesën tonë për dorëheqjën e Saimir Tahirit nga posti i Ministrit të Brendshëm. Me aktin e fundit, Saimir Tahiri vulosi degradimin përfundimtar të Policisë së Shtetit.

Një orë më shumë në detyrë e këtij palo ministri, është një orë më shumë e krimit në sistem, e sundimit të lidhjeve kriminale.

Saimir Tahiri ministër i brendshëm, është tashmë një mallkim për vendin, për rendin e për sigurinë e çdo shqiptari. Nuk ka më nevojë për asnjë provë tjetër për të vërtetuar simbiozën e tij me krimin. Nëse Edi Rama e mban edhe një orë më shumë, thjesht provon se Tahiri është dora e tij e shtrënguar me krimin, ndërsa koka mbetet ai vetë.

Askush nuk sheh më tek Ministri i Brendshëm një përfaqësues të interesit publik, por vetëm një çirak të krimit. Barrë e rëndë për vendin, një çiban që duhet shkulur sa më shpejt.

E di se shumëkujt mund t’i duket utopike kërkesa ime që Edi Rama të largojë ministrin e tij të brendshëm. Dhe jo pa të drejtë. Edi Rama është autori numër një i kriminalizimit të parlamentit  dhe institucioneve të tjera. Edi Rama nuk ka bërë në asnjë çast mea-culpa për këtë vepër të zezë që nuk e lan ujët e detit. Pra, si mund të mbajë qëndrim ndaj ministrit të tij ky kryeministër, kur vetë është deri në grykë?

E tregoi edhe dje, duke u shfaqur në ekran me Arben Ndoka, simbolin e inkriminimit. Kë po sfidon vallë? Opozitën? Ai në fakt po sfidon, po mban peng interesat e vendit, të ardhmen europiane, mirëqënien dhe sigurinë e çdo shqiptari. Opozita ka tjetër rrugë, dhe ne jemi të vendosur ta cojmë deri në fund betejën me krimin. Edhe më të vendosur, sa më shumë zhytet klika e Edi Ramës në krim.

Por ne do të ngulmojmë deri në fund që dekriminalizmin ta realizojmë bashkë me palën kundërshtare duke e nxitur të ngrihet mbi veten, në lartësinë e misionit historik. Ky është shtegu që kemi lënë e duhet të lëmë hapur për të gjithë ata që duan t’i bashkohen këtij misioni. Kjo është gjithëpërfshirja. Në të kundërtën, nëse kryeministri ia del të pengojë, të ngulmojë dhe të mbështesë vetëm me fjalë dhe ta pengojë me veprime dekriminalizimin, ndëshkimi që do të marrë nga qytetarët dhe faktori ndërkombëtar do të jetë shembullor.

Ne do ta çojmë përpara këtë betejë. Deri në fitore. Bashkë me qytetarët. Ndërkohë ne kemi filluar e do të vazhdojmë të shpalosin ofertën tonë të re të demokracisë së re. Taksa të ulta, politika reale zhvillimi, mbështetje reale të nevojave jetike të qytetarëve për punë, siguri dhe dinjitet. Këto nuk janë fjalë, nuk janë vetëm programe, janë veprime, qëndrime, amendamente ligjore edhe tani që jemi në opozitë.

Këto ditë u diskutuan në komisionet parlamentare amendamentet e grupit tonë parlamentar për uljen e çmimit  të energjisë elektrike dhe karburanteve.

Edi Rama refuzoi sërish të merrte një vendim në favor të qytetarëve, për të lehtësuar jetën e tyre.

Edhe pse gjendja ekonomike është ekstremisht e rëndë, edhe pse varfëria e papunësia janë thelluar frikshëm, Edi Rama hodhi poshtë propozimet e Partisë Demokratike për të ulur çmimin e energjisë, dhe për të hequr taksat që mbajnë të lartë çmimin e naftës, pra për ta ulur çmimin e karburantit.

Të dy këto amendamente të paraqitura nga ne do të sillnin një efekt të menjëhershëm pozitiv për shumicën e qytetarëve, pasi do të ndikonin në uljen e kostos së jetesës, duke qënë se kemi të bëjmë me dy elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e shumicës së produkteve.

Këto akte po dëshmojnë se Edi Rama dhe Ilir Meta, politikës i kanë vënë  denatyrimin si etiketë përmbledhëse e qëndrimeve të tyre. Sepse nëse nuk i shërbejnë qytetarëve një herë të vetme, çfarë kuptimi ka qëndrimi i tyre. Pse janë aty? Të penalizojnë shqiptarët, dhe kur u vjen një mundësi që të gjenden në krah të tyre, ta refuzojnë vetëm sepse ky është propozimi ynë, i opozitës?!

Ky është një tjetër konfirmim, se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë një axhendë të vetme. Interesin e tyre, pushtetin personal me çdo kusht e me çdo çmim, dhe tentojnë ta forcojnë atë sa më shumë thellohet varfëria, mjerimi e papunësia.

Por në fakt janë duke afruar me vërtik fundin e tyre. Nëse një qeveri refuzon sistematikisht të shërbejë për qytetarët, t’i pyesë ata, të marrë vendime me ta e për ta, vjen shumë shpejt radha e qytetarëve për të refuzuar qeverinë.

Jam i bindur dhe kjo shihet çdo ditë tek çdo qytetarë i vendit, se ky ka për të qënë një refuzim spektakolar për këtë dyshe që sundon me dhunë, arrogancë e pandjeshmëri.

Refuzimi ka për të qënë masiv dhe i merituar sigurisht, por kjo është po aq një përgjegjësi për ne, pasi qytetarët janë gati, janë në pritje të ofertës së re.

Le ta shndërrojmë seancës e nesërme dhe seancën përkatëse në manifestimin më të ndjerë dhe më profesional të vizionit tonë për zhvillimin, të mundësive reale për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve tanë. Për uljen e çmimeve, për lehtësimin e barrës fiskale, për ndalimin e rrokullisjes ekonomike dhe fillimin e ringritjes me një program të ri, me njerëz të zotë e të përgjegjshëm.

 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Pyetja e Adit