Kemi humbur njerëz, si të ishim në një fushë lufte me një armik, jo në një vend pluralist përballë një kundërshtari politik.
21 janari mbetet amaneti i madh i këtij 4-vjeçari në opozitë dhe një prej synimeve tona madhore për drejtësi gjatë 4-vjeçarit tjetër në qeverisje.
Por, kemi pasur padyshim edhe kundërshtitë, moskuptimet dhe keqkuptimet tona. Rivalitetet e brendshme, nganjëherë të kthyera në deformime të imazhit të kësaj familjeje të madhe politike, e cila për nga shkalla e lirisë dhe vetëdijes së çdo individi është e pakrahasueshme me nivelin e mungesës së lirisë dhe vetëdijes qytetare, që e ka kthyer partinë e kundërshtarit në një oxhak familjar dhe klanor. Sot është dita për t’ju thënë të gjithëve, nëse ka ndodhur, dhe me siguri ka ndodhur, që pa dashje të kem gabuar edhe unë, me këdo prej jush, në rrugën e vështirë e plot mundime që kemi përshkuar deri këtu, për t’ju thënë se ju kërkoj sinqerisht ndjesë. Për mua të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kanë qenë dhe do të mbeten bashkëpunëtorët më të afërt të rrugës së përbashkët, që vazhdon me fitoren e 23 qershorit dhe me qeverisjen e vendit për 4 vitet që vijnë.
Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, që Shqipëria ka pasur, pas atyre të vitit 1992. Këto zgjedhje do të vendosin nëse Shqipëria do të rilindë, apo do të vazhdojë në të tatëpjetën e rrënimit të mëtejshëm; nëse do të ketë punësim real apo rritje të mëtejshme të papunësisë; shkatërrim të biznesit, apo rimëkëmbje të tij dhe të ekonomisë; taksa që mbysin të varfrit, fermerët dhe shtresën e mesme, apo taksim të ndershëm, që kush fiton më pak të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë të paguajë më shumë; shërbime publike sipas xhepit apo sipas nevojës; fshat të braktisur në kufijtë e mbijetesës, apo rilindje të fshatit; rritje të mëtejshme të krimit apo shtet që garanton siguri për individin dhe për pronën; një Shqipëri të izoluar nga bota demokratike, që është sëkëlldi për çdo qytetar, apo një Shqipëri europiane, që bën krenar çdo shqiptar.
Me vetëdijen se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje jo për 4 vitet e ardhshme, por për një gjeneratë, si dhe me bindjen se programi ynë për Rilindjen dikton reforma të thella rrënjësore dhe një parlament e një qeveri, që duhet të bëjnë me pasion dhe fuqi të plotë punën e tyre, ne do ta ndajmë legjislativin nga ekzekutivi.
Ndër të tjera, kjo ndarje do të rrisë numrin e protagonistëve, që do të udhëheqin Shqipërinë në rrugën e kalimit të reformave dhe të realizimit të programit tonë të Rilindjes, duke bërë që edhe numri i deputetëve që do të përfshihen në këtë fushatë, për të kontribuar më tej në legjislativ apo në ekzekutiv, të jetë më i madh se sa numri i vendeve që do të fitojmë në 23 qershor. Kjo ka rëndësi për të kuptuar mes nesh dhe për të treguar, botërisht, se ne nuk do të vijmë në krye të punëve të vendit për të vazhduar avazin e vjetër të gjithë këtyre viteve, po për të mbyllur një kapitull të gjatë keqqeverisjeje dhe keq trajtimi të mandatit të popullit dhe për të hapur një kapitull të ri, me titullin “Një Rilindje Shqiptare”. Ky grup ka treguar në këto vite se askush, pa përjashtim, nuk është i paaftë dhe i papërgatitur për të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha. Në këtë grup janë zhvilluar dhe konsoliduar profile të reja, krahas profileve të konsoliduara në vite të tëra jete parlamentare. Nga ky grup do të dalë edhe skuadra fituese e 23 qershorit, ndërsa ndryshimet e natyrshme brenda tij sigurisht që do të ndodhin, por nuk do të nxjerrin jashtë rrugës së mëtejshme të PS-së pas 23 qershorit as edhe njërin. Gjithsecili, do të marrë përgjegjësitë e veta të mëdha, për të garantuar suksesin e mandatit qeverisës që do të marrim nga shqiptarët në 23 qershor.
Ky grup meriton të gjitha vlerësimet më të larta për çka ka bërë në këto katër vjet. Çdo pjesëtar i këtij grupi mbetet një kapital shumë i çmuar njerëzor i Partisë Socialiste për të udhëhequr vendin në katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të bëhen të pacenueshme, të paprekshme, të pamanipulueshme. E vetmja garanci që ndryshimi i madh të ndodhë, që rotacioni të ndodhë, që Rilindja të ndodhë, është paprekshmëria e zgjedhjeve përmes pjesëmarrjes sa më të madhe të njerëzve në votime.
Sa më shumë shqiptarë të votojnë, aq më shumë siguri do të këtë çdo votues se rezultati do të jetë i qartë, i thellë, i paprekshëm. Këto zgjedhje nuk mund dhe nuk do t’i fitojmë me 10 vota. Këto zgjedhje mund dhe do t’i fitojmë me një plebishit kombëtar. E prandaj, kjo kërkon që secili prej nesh, çdokush nga anëtarët e këtij grupi, që ka investuar katër vite të jetës për të çuar përpara një betejë opozitare jashtëzakonisht të vështirë, sot të jetë zëdhënësi i domosdoshmërisë për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje, përçuesi bindës i nevojës që çdo qytetar i këtij vendi të kalojë kufirin e cinizmit që e mban larg nga kutia e votimit dhe garanti i besimit se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk është si të gjitha partitë e tjera. Se qeverisja e nesërme e PS nuk do të jetë vazhdimi i një avazi, që do të na barazojë me të gjitha historitë e tjera.
Është domosdoshmëri që të gjithë së bashku të shkojmë jo vetëm qytet më qytet dhe fshat më fshat, por derë më derë dhe të përçojmë këtë besim, të japim këtë garanci, të fuqizojmë këtë bindje duke provuar me qasjen, sjelljen, fjalët tona, të gjithë këtyre ditëve në vijim janë vetëm 53 ditë që kanë mbetur, se jo vetëm ne nuk jemi njësoj me të tjerët, por se ne jemi garancia se punët e këtij vendi do të bëhen ndryshe për gjithë të tjerët.
Sot, jemi të gjithë të vetëdijshëm se imazhi i Shqipërisë është imazhi i një vendi që nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme. Që nuk bën dot rotacion politik paqësor. Që nuk arrin dot të kapërcejë mbi të shkuarën për të shkuar drejt të ardhmes me një vizion, me një program, me një skuadër njerëzish që interesin e kombit, interesin e vendit, interesin e popullit, e vendosin mbi çdo interes tjetër në të gjithë aktivitetin e tyre legjislativ apo ekzekutiv. Ne jemi këtu si e vetmja forcë dhe e vetmja mundësi për ta ndryshuar rrënjësisht këtë imazh.
Sot imazhi i Shqipërisë është shumë më i keq se 4 vite më parë. Sot qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit ndihen shumë më keq për Shqipërinë se 4 vite më parë. Por, edhe qytetarëve shqiptarë që jetojnë brenda vendit, ky imazh i rëndon, jua bën më të vështirë këndvështrimin mbi perspektivën dhe jua bën më këmbëngulës mendimin se duhet ta lënë Shqipërinë.
Vetëm një lidership i ri mund ta ndryshojë këtë imazh dhe mund të hapë perspektivën në këndvështrimin e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Ky nuk mund të jetë asnjë lidership tjetër përveç lidershipit të Partisë Socialiste. Përveç lidershipit të grupit tonë parlamentar, përveç lidershipit të të gjithë protagonistëve të sotëm dhe të nesërm të këtij grupi, pavarësisht nga pozicioni ku do të ndodhen, në legjislativ apo në ekzekutiv.
Sot, ne, po përjetojmë një farsë që vazhdon përditë. Një kryeministër që pas 8 vjetësh nuk ka asgjë më të mirë për të bërë dhe për të thënë sesa të kopjojë programin tonë të Rilindjes, të kopjojë programin e një opozite që është angazhuar për më shumë se një vit rresht në një rrugëtim për të shkruar një program, që është një program qeverisës. Në një rrugëtim për të dëgjuar komunitete, grupe interesi, shoqërinë civile dhe sigurisht anëtarë të kësaj familje politike, ekspertë vendas dhe të huaj, në mënyrë që të mos shkojmë përpara shqiptarëve drejt 23 qershorit me një listë dëshirash nga ato që kthehet në premtime që nuk mbahen kurrë sa për të marrë votën dhe për t’ju kthyer kurrizin. Sot, ne, shohim përditë sesi zhvillohet kjo farsë ku ide të kthyera dhe në drafte ligjore, edhe në amendamente ligjore nga ky grup parlamentar janë rrëzuar me votë në parlamentin e Shqipërisë dhe tani shfaqen si ide të reja të kundërshtarit për 4 vitet e tjera. Kjo farsë duhet të na gëzojë për faktin se kemi bërë vërtet një punë të shkëlqyer të gjithë bashkë. E, këtu, falënderoj të gjithë ndër ju që janë përfshirë drejtpërdrejtë ose dhe indirekt në shkrimin e këtij programi, për faktin se jemi ne alternativa tanimë e miratuar si e tillë edhe nga vetë kundërshtari që me programin tonë bën fushatë. Por, nga ana tjetër, ky fakt duhet të jetë një arsye më shumë pse shqiptarët, edhe ata shqiptarë që e kanë votuar në të kaluarën Partinë Demokratike, të mos e votojnë më në 23 qershor. 8 vjet ishin më shumë sesa të mjaftueshme për të treguar se çfarë mund të bënte Partia Demokratike në pushtet. 8 vjet janë plotësisht të mjaftueshme për të kuptuar se Partia Demokratike, kështu e katandisur në një parti familjare dhe klanore, nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i çojë shqiptarët më teposhtë në rrugën e një rrënimi të vazhdueshëm. Ndërkohë që, është shumë e qartë që riciklimi i premtimeve të pambajtura të 8 viteve më parë, apo të 4 viteve më parë, dhe kopjimi i programit të Partisë Socialiste për të gjitha ato ide të munguara në ato 8 vite, e bëjnë të pavotueshme Partinë Demokratike, e bëjnë të pavotueshëm kryeministrin në ikje dhe e bëjnë absolutisht të thjeshtë dhe të qartë zgjedhjen e shqiptarëve mes origjinalit dhe kopjes. Shqiptarët nuk kanë pse të votojnë kopjen e programit të Rilindjes për të mbajtur në kurriz dhe katër vjet të tjera një forcë rrënuese që vetëm rrënim mund të sjellë, por kanë të gjitha arsyet e mjaftueshme për të votuar origjinalin. Origjinalin, që është shkruar nga mijëra njerëz dhe që do të vuloset në Konventën tonë Zgjedhore të pak javëve më pas.
Nënvizoj domosdoshmërinë që në këtë fazë shumë të rëndësishme, shumë delikate dhe vendimtare, të një rruge që ka vazhduar për katër vjet, ne, të gjithë të funksionojmë si një skuadër kompakte. Ne, të gjithë, të provojmë se secili prej nesh këtu është pjesë e një skuadre, e një skuadre që është më e madhe sesa një grup parlamentar. E një skuadre që duhet të bëjë betejën zgjedhore të fushatës në të gjithë territorin, jo vetëm si përfaqësi parlamentare, por si një përfaqësi shumë më e gjerë me protagonistë të panumërt në të gjithë Shqipërinë. Me drejtues të Partisë Socialiste, me drejtues të njësive vendore, me drejtues të forumeve tona të rinisë dhe të grave. Me drejtues të grupeve, të komuniteteve, shoqatave, me individë, me njerëz që janë të gatshëm t’i bashkohen Aleancës për Shqipërinë Europiane, si një front i madh për të garantuar rotacionin dhe për t’i hapur rrugë një Rilindjeje Shqiptare. Është dita për të vënë interesin madhor të vendit mbi çdo egoizëm dhe mbi çdo interes sado legjitim vetjak.
Është dita për të përçuar intensivisht, çdo orë dhe çdo minutë, drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet të gjithë rrugëve të tjera të komunikimit atë për të cilën shqiptarët, sot, kanë më shumë nevojë sesa për çdo gjë tjetër:
Frymën e besimit tek Partia Socialiste.
Frymën e besimit tek programi i Partisë Socialiste.
Frymën e besimit tek gatishmëria jonë për të marrë në duar punët e vendit dhe për ta udhëhequr këtë vend drejt rrugëdaljes nga kriza dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Këtë frymë besimi të domosdoshme për njerëzit. Për njerëz që sot janë të papunë në atë rreshtin e stërgjatë dhe rraskapitës të mbi 1 milionë të papunëve, për njerëz që sot vetëm mbijetojnë duke qëndruar nga ora 4 e mëngjesit deri në pasdite vonë në të errur tokës mbi kokë, pa mundur dot ta ujisin, pa mundur dot ta kullojnë, pa mundur dot të ulin asgjë nga kostot e prodhimit. Për njerëzit që sot janë të dhunuar dhe që linçohen përditë psikologjikisht si rrogëtarë të një shteti që i mban peng me bukën e gojës; për mësues, për mjekë; për infermiere; për nënpunës, që duan të çlirohen nga kthetrat mbytëse të këtij pushteti që i kushtëzon me mjetet e mbijetesës. Për njerëz që sot janë të vetëpunësuar në një ushqimore apo në një dyqan dhe nuk arrijnë dot të mbërrijnë fundin e muajit dhe nuk dalin dot më nga kurthi i tmerrshëm mes pamundësisë për t’i parë familje të tëra të uritura që vijnë kërkojnë borxh duke shënuar emrin në librin e veresieve dhe arkës së tyre që zbrazet përditë dhe po i kthen edhe vetë pronarët në thonjëza të këtyre bizneseve të vogla në borxhlinj. Për njerëz që janë angazhuar në sipërmarrje të mëdha që kanë derdhur miliona euro për projekte dhe për investime që sot janë tërësisht të bllokuar, tërësisht të dhunuar, tërësisht të penguar në rrugën ku konkurrencës së lirë. U kanë dalë përpara disa individë që janë klientët e partisë familjare të Saliut dhe të cilët bëjnë “ditën dhe natën” për biznesin shqiptar. Për njerëzit tanë. Për njerëzit tanë, për socialistët dhe për progresistët, në të gjithë Shqipërinë, që vetëm pse janë të rreshtuar në kampin tonë politik, vetëm pse janë të shfaqur në komunitete të ndryshme si pjesëtarë të familjes sonë politike vuajnë një përndjekje të mirëfilltë. Janë flakur me kohë nga puna, shohin se si linçohen të afërmit e tyre. Nuk kanë asnjë rrugë tjetër për t’u rikthyer në trajektoren e dinjitetit të tyre përmes punës, përveç 23 qershorit dhe fitores së Partisë Socialiste. E pra, janë gjithë këta njerëz që duhen mbajtur parasysh kur flasim. Janë gjithë këta njerëz që duhen mbajtur parasysh kur ankohemi. Janë gjithë këta njerëz që duhen mbajtur parasysh kur duke u nisur edhe nga qëllime të mira vendosim interesa vetjake mbi këtë interes të madh, këtë interes historik, sot, të ndryshimit të rrugës së vendit. Nga një rrugë drejt një tatëpjete të vazhdueshme që regjistron humbje të përmuajshme, të përtremuajshme, të përgjashtëmuajshme në buxhetin e shtetit në një rrugë ku të gjithëve t’u krijohet një mundësi e re, ku për të gjithë të ketë një shpresë e re. Ku për të gjithë të ketë një korsi të re për të dalë nga kurthi i tmerrshëm i varfërisë, i papunësisë, i borxheve, i maskarallëkut dhe i dhunës. Është themelore që Partia Socialiste përmes gjithë zërave, që gjejnë një rrugë për të dalë në mjedisin e debatit publik të përçojë forcën për të qëndruar mbi çdo interes vetjak. Forcën për të qëndruar në lartësinë e kësaj aspirate të madhe duke kuptuar edhe njëherë atë që është themelorja, se në këtë grup parlamentar të gjithë janë protagonistë të dobishëm të rrugëtimit tonë të katër viteve që vijnë, që të gjithë pa asnjë përjashtim. Pavarësisht, ndryshimeve të natyrshme që duhet dhe do të ndodhin brenda grupit, pavarësisht se në cilën anë të asaj hemisferës së parlamentit do të qëndrojmë në anën e legjislativit apo të ekzekutivit, e rëndësishme është që çka kemi mbjellë të gjithë së bashku Shqipëria ta korrë në 23 qershor si një fitore për vendin, si një fitore për çdokënd. Si një fitore edhe për ata demokratë që sot janë të marrë peng në bukën e gojës apo që sot kanë nevojë të rilindin partinë e tyre. E cila, mund të rilindë vetëm duke shkuar në opozitë dhe duke u ndarë nga kasta e kapur pas interesave familjare, financiare e klanore, të një grushti minimal njerëzish. Jemi të gjithë shumë të vetëdijshëm edhe për çfarë përfaqëson gulçima e përditshme në tribuna e kryeministrit, çfarë përfaqëson degjenerimi i fjalorit të kryetares së Kuvendit në mes të parlamentit, çfarë përfaqëson dhe kjo orvatje sa qesharake aq edhe e rëndë për imazhin e vendit me një komision hetimor që për sa na takon dhe për sa më takon është një tjetër vlerësim i lartë që na bëhet si opozitë nga ana e tyre. Por, është një tjetër vulë turpi që i vihet në ballë Shqipërisë, se të gjitha këto përfaqësojnë, në fakt, atë që është një e vërtetë që ne e dimë të gjithë;
Nuk janë të gatshëm të lënë pushtetin.
Nuk janë të gatshëm ta parafytyrojnë veten në normalitetin opozitar, sepse nuk janë të gatshëm të përballojnë të shkuarën e tyre.
Nuk janë të gatshëm të përballojnë hijet që kanë pas vetes dhe që i ndjekin. Hijet e 4 të vrarëve të 21 janarit. Hijet e 26 të vrarëve në Gërdec. Hijet e gjithë atyre grave dhe burrave të vrarë më kot në rrugët ku krimi ka marrë kontrollin dhe ku policia është tërhequr si një trupë e tradhtuar, e shitur nga një kupolë në Ministrinë e Brendshme që shkëmben favore me krimin.
Nuk janë të gatshëm të përballen me faktin se i kanë lënë shqiptarët rrugëve. Me faktin se sot Shqipëria regjistron një shifër që do të ngjethte çdo vend të botës së tretë jo më të Europës; 57% analfabetizëm funksional! Nuk janë të gatshëm të përballen me të vërtetat e mëdha që do të dalin nga transparenca. Nga transparenca mbi pronat, mbi buxhetin e shtetit, nga transparenca mbi regjistrimin e popullsisë në funksion të regjistrimit të tokës, në funksion të regjistrimit të njerëzve që sot e gjithë ditën jetojnë brenda një kaosi. Nuk janë të gatshëm të përballen me të vërtetën e gatshme se i kanë zhytur shqiptarët në një borxh katastrofik për interesa krejtësisht të përveçme. Nuk janë të gatshëm të përballen me transparencën metër për metër të rrugëve të Shqipërisë që gjoja i kanë shtruar dhe me se i kanë financuar. Sot e gjithë ditën thonë 10.400 km, por nuk nxjerrin dot një hartë, nuk nxjerrin dot një tabelë projektesh, nuk nxjerrin dot një preventiv, siç do të nxirrte çdo shtet normal në rast se do të akuzohej se po fliste për shifra të rreme duke treguar se ‘ja ku janë rrugët që kemi bërë’.
Nuk janë të gatshëm të përballen as me të vërtetën e atyre koncesioneve dhe as atyre privatizimeve që kanë bërë. Nuk janë të gatshëm as me çfarë fshehin të gjitha ato kompani të përfshira në grabitjen e nëntokës shqiptare, në grabitjen e naftës, në grabitjen e minerareve. Nuk janë të gatshëm të përballen as me atë xhungël kriminale që kanë krijuar atje në Bulqizë. As me atë hapësirë të lulëzimit të krimit që kanë krijuar në atë fushën ku shkojnë e vijnë ato autobotet që grabisin naftën e Albpetrolit. Kanë shumë arsye për të mos qenë të gatshëm për ta lënë pushtetin dhe kanë shumë arsye për të imagjinuar deri edhe dhunë. Por, të gjitha këto janë pjesë e një paniku që, ne na thotë vetëm një gjë, se ne jemi këtu për të nxitur çdo shqiptar që të dalë në votim. Ne jemi, këtu, për të kultivuar frymën e besimit se me votë gjërat mund dhe do të ndryshojnë, se vetëm me votë, vetëm me një transformim demokratik të shumicës, vetëm me krijimin e një shumice solide përmes një fitore të qartë dhe të thellë, me votë, ky pushtet mund të shkërmoqet brenda 24 orësh, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.
Për të bërë këtë shqiptarët që na shohin sot në sy, dëgjojnë çdo fjalë që themi, lexojnë çdo germë që shkruajmë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo vështrim, çdo fjalë, çdo germë duhet të shkoj në këtë drejtim. Çdo vështrim, çdo fjalë, çdo germë e çdo njërit prej nesh, i çdo përfaqësuesi të PS në parlamentin e këtyre katër viteve, i çdo përfaqësuesi të PS në nivelin vendor si i zgjedhur vendor duhet të funksionojë për këtë aspiratë të madhe, për këtë interes të madh. Sepse, në fund të fundit, të gjithë janë paguar drejtpërdrejtë nga populli për të bërë këtë detyrë dhe askush nuk ka mbajtur popullin, por populli i ka mbajtur të gjithë bashkë.
Ne jemi, këtu, për t’i shërbyer këtij populli dhe për ta bërë këtë me dinjitet. Duke treguar, sot, në këtë moment dhe pikërisht në këtë çast, kur mbyllet një kapitull dhe hapet një kapitull i ri, kur mbaron misioni i një grupi parlamentar dhe fillon misioni i një tjetër grupi parlamentar, që sigurisht në përbërjen e vet do të ketë shumë ndryshime, se ne jemi mbi çdo interes vetjak, mbi çdo klithëm të brendshme për të vendosur vetveten mbi aspiratat dhe mbi interesat, që mbron kjo forcë e madhe politike. Duke qenë të vetëdijshëm se gjithkush nga ne që është sot protagonist, padyshim, do të jetë dhe nesër protagonist. Gjithkush që ka kontribuar në këto katër vite ka bërë një investim, që jo vetëm nuk mund ta hedhë poshtë në funksion të mbrojtjes së interesave të publikut, por përkundrazi duhet ta çojë përpara për t’i mbrojtur interesat e publikut nga ana tjetër e barrikadës, nga ana e forcës që qeveris vendin, nga ana e forcës që do të marrë mandatin për të qeverisur vendin, nga ana e forcës që sot udhëheq me diferencë në dëshirat dhe pritshmëritë e shqiptarëve, pikërisht, sepse i ka bindur shqiptarët që ka një projekt bazuar mbi një vizion dhe që ka një skuadër që mund ta garantojë këtë projekt.
Nga sot deri ditën e zgjedhjeve nuk është më programi në sytë e shqiptarëve. Shqiptarët e kanë parë dhe e shohin qartë se ne kemi një program kurse ata kanë vetëm dështimet, që u kanë mbetur në duar pas 8 vjetësh. Por, është skuadra dhe është bindja se kjo skuadër mund ta realizojë këtë program, se kjo letër e shkruar mund të kthehet në një realitet të shqiptarëve, pasi kjo skuadër është një skuadër që funksionon në emër të interesave të shprehura publikisht si interesa kombëtare dhe publike. E, jo në emër të axhendave të fshehura, por të një axhende kombëtare, të një axhende politike, të një axhende të qartë reformash dhe të një axhende të qartë ndarje të punëve. Ndarje të punëve për t’i shërbyer njerëzve duke mos harruar për asnjë çast se sot ata që kanë nevojë nuk janë deputetët. Ata që janë në nevojë janë qytetarët, janë të gjithë ata që përmenda, janë të gjithë shqiptarët që lëngojnë familjarisht në kushtet e varfërisë, papunësisë, të mungesës së shpresës e të rrënimit të vazhdueshëm.